E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvilloi homazhe në nderim të ish Kryeministres Margaret Thatcher

Kryeministri Berisha zhvilloi sot homazhe në ambasadën e Britanisë së Madhe në Tiranë, në nderim të ish Kryeministres Margaret Thatcher, e cila u nda nga jeta pak ditë më parë. Me këtë rast, ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë hapi sot librin e ngushëllimeve, në të cilin Kryeministri Berisha la një shënim në nderim të figurës së Baroneshës Thatcher.

Pas homazheve, në një prononcim për mediat e pranishme, Kryeministri Berisha u shpreh:

“I shpreha ngushëllimet e mija dhe të qeverisë shqiptare ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, zotit Nicholas Cannon, për humbjen e madhe, për ndarjen nga jeta të një prej personaliteteve më të shquar politikë të Britanisë së Madhe dhe të botës perëndimore të të gjitha kohërave, Lady Thatcher.

Baronesha Thatcher është shënuar në memorien e kohës si një nga reformatoret më të mëdha, si një promovuese e jashtëzakonshme e vlerave të tregut dhe lirisë së tij, si mbrojtësja e flaktë e çështjes së drejtë të kombeve të shtypura nga diktaturat totalitare komuniste, por edhe nga diktaturat në tërësi. Margaret Thatcher ishte një mike shquar, një mike e vërtetë e shqiptarëve, e cila mbështeti me vendosmëri çështjen e tyre.

Ndaj, i shpreha me këtë rast ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjes së Baroneshës Thatcher, qeverisë së Britanisë së Madhe, qytetarëve të këtij vendi, ambasadorit Cannon dhe personelit të ambasadës në Tiranë”.

-Zoti Kryeministër, Baronesha Thatcher thonë se ka qenë në mbrojte të kombeve të shtypura, por rezoluta çame kërkon votëbesim në Parlament. Cili është qëndrimi i Partisë Demokratike?

Kryeministri Berisha: Qëndrimet janë bërë shumë të qarta, gjithçka. Por këtu jam për një moment solemn zije.


10/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›