Kryeministri Berisha: Koncesionet janë leva e Arkimedit për të shndërruar në vlera, pasuritë ujore dhe pasuri të tjera të vendit

Kryeministri Berisha përshëndeti sot pasdite, Konferencën me temë “Shtatkraft në Shqipëri dhe projekti i Hec të Devollit”, organizuar nga kompania norvegjeze Shtatkraft për prezantimin e axhendës së saj lidhur me ndërtimin e Hec-ve në kaskadën e Devollit.
Në aktivitetin ku merrnin pjesë Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë,zoti Jan Braathu, zv/presidentja e kompanisë Shtatkraft për hidrocentralet, zonja Tima Iyer, përfaqësuesit e kompanisë Devolli Hydropower, si dhe të ftuar të tjerë, kryeministri Berisha theksoi se prania e kompanisë prestigjioze Shtakraft në vendin tonë përbën një ngjarje të madhe të gjithanshme për Shqipërinë, zhvillimin e saj dhe zhvillimin e energjisë së rinovueshme në vend.
Kryeministri u shpreh se ky investim, i cili e vendos Shqipërinë në hartën e projekteve të mëdha të kompanisë Shtatkraft është një apel i fuqishëm për të gjitha kompanitë e tjera norvegjeze dhe jonorvegjeze për të konsideruar në mënyrën më serioze investimet në Shqipëri, në fushën energjetike dhe në fusha të tjera.
Duke falënderuar përzemërsisht qeverinë e mbretërisë së Norvegjisë, kryeministrin e saj dhe të gjitha ata që inkurajuan Shtatkraft të investojë në Shqipëri, Kryeministri Berisha u shpreh në fjalën e tij:
“Kjo konferencë në të cilën kompania Shtatkraft shpalos axhendën e saj për ndërtimin e hec-ve mbi kaskadën e Devollit është një ngjarje shumë e rëndësishme për të gjithë vendin. Për Shqipërinë, prania, vendimi i Shtatkraft të Norvegjisë për të nisur investimet në Kaskadën e Devollit është lajmi më i mirë dhe shënon investimin më të madh në fushën e energjisë të bërë ndonjëherë në vendin tonë, shënon nga ana tjetër, praninë, ndërtimin e kësaj Kaskade nga kompania me e madhe e fushës në Evropë dhe në botë siç është Shtatkraft, kompania që ka eksperiencën më të pasur në ndërtimin e Hec, menaxhimin më të pasur, më të suksesshëm të tyre. Në këtë kontekst, prania e Shtatkraft përbën një ngjarje të madhe të gjithanshme për Shqipërinë, zhvillimin e saj, zhvillimin e energjisë së rinovueshme ne vend.
Zonja dhe zotërinj,
Me këtë rast unë dua të falënderoj përzemërsisht qeverinë e mbretërisë së Norvegjisë, kryeministrin dhe të gjithë ata që kanë inkurajuar Shtatkraft të vazhdojë me durim shqyrtimin e mundësive që paraqet Shqipëria, të falënderoj përzemërsisht Shtatkraft, këtë kompani të madhe për punën jashtëzakonisht të madhe që ka bërë, parapërgatitore, për fillimin e punimeve në kaskadën e Devollit. Dua ti siguroj se qeveria shqiptare ka vlerësimin më të madh për vendimin e tyre, e konsideron këtë një ngjarje të madhe për vendin në tërësi, ekonominë dhe energjinë e tij në veçanti.
Ne jemi të vetëdijshëm se kjo është një sipërmarrje e madhe, një sipërmarrje e cila bazohet në radhë të parë në besimin që gjigandi energjetik Shtatkraft dëshmon ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, një sipërmarrje e madhe që përcaktohet nga vëllime të jashtëzakonshme pune, transformime të tëra të një rajoni. Por unë ju siguroj sot se do të bëjmë gjithçka, do të keni mbështetjen e plotë dhe totale për suksesin e kësaj sipërmarrje.
Shqipëria me këtë investim të Shtatkraft vendoset në hartën e projekteve të mëdha të kësaj kompanie të madhe dhe ky është një apel i fuqishëm për të gjitha kompanitë e tjera norvegjeze dhe jonorvegjeze për të konsideruar në mënyrën më serioze investimet në Shqipëri në fushën energjetike dhe në fusha të tjera. Qeveria, nga viti 2007 e deri më sot, ndofta si asnjë vend tjetër ka firmosur koncesione me sektorin privat për ndërtimin e 360 HEc-ve, ndër të cilat 50 kanë përfunduar ose janë në përfundim të tyre, të tjera janë në fillim të punimeve. Një gjë është e sigurtë, katër vitet që vijnë, Shqipëria do të njohë, ndërtimin e veprave energjetike më të madh ndofta se çdo vend tjetër.
Një adresë do tu bej sot, qytetarëve të vendit, koncesionet janë leva e Arkimedit për të shndërruar në vlera pasuritë ujore dhe pasuri të tjera të vendit. Shekuj e shekuj Devolli dhe ujërat e tij dhe ujërat e lumenjve të tjerë janë derdhur në det të fjetura dhe të pavlerë. Në ndërtimin e veprave energjetike nëpërmjet koncesioneve ato marrin një vlerë të madhe për çdo qytetar shqiptar. Por kjo përpjekja jonë e madhe në fushën e energjetikës ka dhe një synim, i cili është zhvillimi i qëndrueshëm i Shqipërisë. Askund nuk janë më afatgjatë investimet sesa ne veprat energjetike dhe në fund këto vepra të gjitha kthehen në pasuri publike pas afatit të koncesionit.
Të dashur miq,
Shqipëria ka dëshmuar përpjekje shumë serioze për tu bërë një vend tërheqës dhe i sigurtë për investime të huaja. 5-6 vite më parë ne vendosëm taksën e sheshtë dhe unë jam i gëzuar. Parlamenti shqiptar vetëm një javë më parë votoi heqjen e çdo takse dhe tarife për çdo lloj kapitali të importuar për prodhim në Shqipëri. Sikundër ne hoqëm tvsh për hekurin, çelikun, çimenton që do të përdoret për ndërtimin e hec-ve në Shqipëri. Ne jemi të vendosur të bashkëpunojmë më ngushtë me njeri-tjetrin për sistemin më solid dhe më të besueshëm, në mënyrë që investimet tuaj dhe investimet e investitorëve të tjerë të jenë një histori e vërtetë suksesi. Në Shqipëri, reformat ekonomike kanë patur rezultat të padiskutueshëm. Ato kanë mbrojtur në mënyrë të sigurtë rënien në recension të ekonomisë shqiptare. Këto reforma kanë bërë që në vitet e krizës më të thellë, Shqipëria të trefishojë investimet e huaja direkte. Këto reforma kanë krijuar premisa që në 4 vitet që vijnë, ne të marrim së paku 6 miliard investime të huaja në ekonominë shqiptare. Idetë dhe mendimet për të rikthyer kohërat e taksave të larta janë shkatërrimtare për investimet dhe krijimin e vendeve të punës. Në Shqipëri këto ide janë sa të rrezikshme aq dhe qesharake. Shqipëria gjatë këtyre viteve ishte dhe do të jetë në të ardhmen, vendi i taksave të ulëta.
Dua ta mbyll fjalen duke theksuar një raport të ri që krijohet në këtë investim midis dy vendeve, midis Shqipërisë dhe Norvegjisë. Prania e Shtatkraft dhe investimet e mëdha të Shtatkraft në Shqipëri bëjnë që dy vendet tona të jene partnerë dhe të vështrojnë tek njëri-tjetri, një mirëbesim, mirëkuptim dhe perspektivë shumë të qartë në marrëdhëniet mes tyre.
Së shpejti do të merret një vendim tjetër shumë i rëndësishëm mbi gazin Kaspik në Evropë dhe rrugën e tij. Edhe këtu në këtë projekt kompanitë norvegjeze janë në vendin e parë dhe kohërat e lirisë e sollën që marrëdhëniet tona, nga inekzistente pak kohë më parë të bëhen kaq të ngushta dhe kaq të rëndësishme.
Unë dua ta garantoj ambasadorin dhe të gjithë ekipin e Shtatkraft se ne jemi shumë krenarë me këtë. Edhe njëherë urimet më të përzemërta.
09/04/2013