E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvilloi një vizitë ngushëllimi në familjen e Leka Zogu I

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij znj. Liri Berisha, zhvilloi sot pasdite një vizitë ngushëllimi në familjen e Leka Zogu I, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 72 vjeçare.

Kryeministri Berisha i shprehu ngushëllime Princit Leka dhe familjarëve për ndarjen nga jeta të Leka Zogut I, një humbje e madhe kjo për mbarë kombin shqiptar dhe Shqipërinë.

Duke shprehur nderimin e tij të thellë për veprën e Leka Zogut I, Kryeministri Berisha la dhe një shënim në librin e ngushëllimeve të çelur me këtë rast.

Në përfundim të vizitës, Kryeministri Berisha dha një prononcim për mediat:

“Dua  t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Princit Leka dhe Familjes Mbretërore për humbjen e Mbretit Leka Zogu I, një humbje e madhe kjo për mbarë kombin shqiptar dhe Shqipërinë. Mbreti Leka I u largua nga vendi i tij dy ditë pas lindjes, por përfaqëson një jetë të tërë atdhedashurie të pakufishme, përkushtimi të jashtëzakonshëm, mbrojtje të pamposhtur të lirisë së shqiptarëve, mbështetje të madhe të shqiptarëve në Kosovë në përpjekjet e tyre për liri kombëtare, mbështetje të madhe të shqiptarëve në Shqipëri në përpjekjet e tyre për tu çliruar nga zgjedha e regjimit më barbar që vendi ka njohur në tërë historinë e tij.

Gjithashtu, është një nderim për kontributin e madh, historik, të Mbretit Zog, burrit që bëri pavarësinë e Shqipërisë të jetojë, shtetarit që më shumë se kushdo tjetër kontribuoi në ndërtimin e shtetit shqiptar, Mbretit që u largua nga Shqipëria pasi ajo ishte përcaktuar si viktimë e parë e agresionit nazifashist në Evropë, por që vazhdoi me vendosmëri të madhe luftën për çlirimin e Shqipërisë. Përpjekjet e legalistëve, qëndresa e tyre që në orët e para të pushtimit deri në ditën e fundit të çlirimit të vendit janë një faqe e ndritur atdhetarie, heroizmi dhe qëndrese.

Pas lufte në Shqipëri ndodhi ndryshe nga vendet e tjera që dolën nga pushtimi barbar nazifashist, të cilat kurorat i rikthyen ose shpallën referendume në mënyrë që populli të shprehej. Në mënyrën më arbitrare, një kongres ndaloi monarkun e shqiptarëve të kthehej në vendin e Tij, gjë e cila zgjati, siç dihet, gjatë gjithë jetës së Tij dhe Mbreti vdiq në Paris në vitin ‘61. Më vonë, një referendum u bë dhe shqiptarët janë dëshmitarë, se ata shprehën masivisht qëndrimin e tyre në respekt të Mbretit Leka i Parë dhe në favor të tij, por, siç dihet, ai referendum u mbajt në kushte të një rrebelimi të egër komunist. Dhe e vërteta është se askush nuk mund të thotë kurrë se rezultati ishte ai që u shpall. Kjo çështje nuk është e mbyllur. Unë i them të vërtetat ashtu siç janë, nuk mund të them gjë tjetër. Unë i them të vërtetat ashtu siç i perceptoj dhe siç kanë ndodhur. Kjo është detyra ime.

Edhe një herë, unë ngushëlloj Familjen Mbretërore për këtë humbje të madhe, shpreh nderimin tim më të thellë për veprën e Mbretit Leka.

Gazetari: Zoti Kryeministër, si e komentoni heshtjen e opozitës?

Kryeministri Berisha: Unë nuk dua t'i jap asnjë karakter partiak. Ai ligj, i cili i ka dhënë dhe ka njohur statusin e Familjes Mbretërore është votuar në Parlament nga deputetë të të gjitha forcave politike. Kjo është e vërteta. Për të gjithë ata të cilët kanë votuar atë ligj dhe shqiptarët në tërësi e kanë shumë të qartë që Familjet Mbretërore përbëhen nga Mbretërit, Mbretëreshat, Princërit, Princeshat, e kështu me radhë. Kjo është e vërtetë për Familjen Mbretërore shqiptare dhe Parlamenti ka rivendosur një të drejtë historike, duke përcaktuar me shumë të drejtë Protokollin Shtetëror dinjitoz, siç i përket Familjes Mbretërore. Nuk duhet të merremi me copëza të shkëputura, sepse kudo ka individë pro e kundër dhe kjo është normale. Unë di një gjë që shqiptarët, në të katër anët kudo që jetojnë, janë të bashkuar në dhembjen dhe zinë për humbjen e Mbretit Leka I. Këtë bashkim e kanë të bazuar në kontributet historike të Tij, të Mbretit Zog, Mbretëreshës Geraldinë, të Familjes Mbretërore”.   


01/12/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›