Kryetarja e Kuvendit në Kelmend të Shkodrës në përkujtim të 64 vjetorit të kryengritjes antikomuniste.Kryetarja e Kuvendit: Kjo është një ditë e madhe reflektimi
"Në ligjin për dëmshpërblimin e të përndjekurve politik do të përfshihen edhe familjarët e atyre që janë pushkatuar pa gjyq." Kështu u shpreh Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e cila ishte sot e ftuar në përkujtimin e 64 vjetorit të kryengritjes antikomuniste në fshatin Tamar në Kelmend të Shkodrës, e cila ka hyrë në historinë e Shqipërisë si lëvizja më e fuqishme krahas asaj të Postribës dhe ndër të parat levizje antikomuiniste në Shqipëri dhe rajon.
Duke e cilësuar këtë datë të shënuar si një ditë të madhe reflektimi, Kryetarja e Kuvendit theksoi se kjo qeveri është e angazhuar plotësisht jo vetëm të respektojë këtë kategori martirësh por dhe të nderojë kujtimin e tyre si pjesë e ndritur e historisë së Shqipërisë.
Kryengritja e Kelmendit, e nisur në 25 janar të vitit 1945 vazhdoi për ditë të tëra ku qindra banorë të zonës kryesuar nga Prek Cali luftuan për pëmbushjen e aspiratës së tyre për një Shqipëri të lirë e demokratike. Pas luftimeve të ashpra ata u rrethuan nga forcat e sigurimit të cilët vranë mbi 70 vetë mes të cilëve edhe gra si dhe dogjën me dhjetra shtëpi.
E kemi detyrim, tha Kryetarja e Kuvendit, së pari të kujtojmë dhe të përpunojmë të kaluarën më të zymtë dhe më te egër jo vetëm të zonës së Kelmendit e Shkodrës por të gjithë shoqërisë shqiptare.
Duke dëgjuar numrin e jashtëzakonshëm të të vrarëve në krahasim me përqindjen e popullsisë, ajo që më bën përshtypje është forca e karakterit tuaj, forca e shpirtit tuaj, e prindërvet dhe gjyshërve tuaj, që reflekton atë forcë të madhe të natyrës me të cilën ju keni fatin të rrisni fëmijët tuaj.
Unë, tha Kryetarja e Kuvendit, shpreh keqardhjen që Edi Rama dhe një pjesë e Partisë Socialsite nuk gjejnë kurajon të kërkojnë falje, nuk gjejnë kurajon të dënojnë krimet e komunizmit. Kjo është një dhimbje e madhe Këtë e them për krerët e Partisë Socialsite që e kanë të vështirë të ndahen nga e kaluara dhe jo për atë pjesë të shoqërisë që ata pëfaqësojnë.
Ky përkujtim, vijoi Kryetarja e Kuvendit, është një ditë e veçantë jo vetëm sepse është moment reflektimi por edhe pasi koencidon me vetëm dy ditë distancë para një feste shumë të madhe, që është një vjetori i pavarësisë së Kosovës. Kjo është një ditë e madhe për të gjithë ne dhe ne jemi shumë optimistë për të ardhmen e saj.
Por një ditë tjetër e madhe është dhe e marta në mbrëmje kur parlamenti i fundit do të ratifikojë protokollin e NATO-s dhe me këtë mbyllet cikli i ratifikimit të këtij protokolli nga 26 vendet e Alenacës Atlantike që besojnë te Shqipëria.
Në këtë ceremoni përkujtimore mbajtën fjalën edhe përfaqësues të ish të përndjekurve politik, historian e studiues që revokuan sakrificën e të përndjekurve nga regjimi më i egër totalitar.
Kryetarja e Kuvendit vendosi edhe një kurorë me lule në memorialin e ngritur në nderim të kësaj lëvizje dhe të martirëve të lirisë të zonës së Kelmendit.