Kryeministri Berisha zhvillon një takim me Kryetarin e Asamblesë së Madhe të Turqisë Koksal Toptan
Kryeministri Berisha pati sot një takim me Kryetarin e Asamblesë së Madhe të Turqisë, zotin Koksal Toptan.
Kryeministri Berisha, pasi i uroi mirëseardhjen, u shpreh i bindur se vizita e zotit Toptan është një kontribut i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, të vendosura mbi baza shumë të forta historike. Kryeministri Berisha dhe zoti Toptan theksuan se marrëdhëniet politike midis dy vendeve janë në një nivel të shkëlqyer dhe bashkëpunimi ekonomik është rritur, por ky bashkëpunim, u shprehën ata, duhet çuar në një nivel edhe më të lartë.
Kryeministri Berisha i shprehu zotit Toptan falënderimet për mbështetjen që Turqia i ka dhënë Shqipërisë në të gjitha proceset e integrimit në NATO dhe modernizimit të vendit.
Duke vënë theksin në dy projektet madhore për Shqipërinë, integrimin në NATO dhe BE, Kryeministri Berisha e njohu zotin Toptan me përpjekjet e qeverisë shqiptare për të përmbushur kriteret dhe standardet e kërkuara në këtë drejtim.
Kryetari i Asamblesë së Madhe të Turqisë u shpreh me bindje se Shqipëria do të jetë anëtare e NATO-s në pranverën e vitit të ardhshëm dhe se kjo do të jetë një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin në rajon.
Kryeministri Berisha e njohu, gjithashtu, zotin Toptan me reformat ekonomike edhe në sistemin fiskal, të cilat kanë sjellë një rritje dyshifrore të ekonomisë së vendit, rritje e cila pritet që edhe vitin e ardhshëm të shihet me optimizëm. Lidhur me këtë, zoti Toptan u shpreh se një rritje dyshifrore si kjo në një periudhë krize të ekonomisë botërore, mbi të gjitha me një inflacion të ulët është impresionuese. Zoti Toptan u shpreh se Turqia ndjek me vëmendje të vazhdueshme dhe vlerëson shumë zhvillimin e lartë ekonomik të Shqipërisë, si rrjedhim i reformave mjaft të suksesshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare në vitet e fundit, gjë që e bën shumë të lumtur qeverinë dhe popullin turk.
Kryeministri Berisha nënvizoi ndihmën e pashlyer që Turqia i ka dhënë Shqipërisë në fushën ekonomike, në arsim, në modernizimin e Forcave tona të Armatosura, në kulturë, në tregti, posaçërisht në këtë fundit, u shpreh Kryeministri, po zbatohet me sukses Marrëveshja e Tregtisë së Lirë, si një faktor i rëndësishëm në rritjen e shpejtë të volumit ekonomik midis dy vendeve në tre vitet e fundit.
Zoti Toptan i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e ngrohta të Presidentit Gül dhe Kryeministrit Erdogan.
24/12/2008