E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton vendimin për krijimin e Agjencisë së Zhvillimit të Shoqërisë Civile

Kryeministri Berisha: Projektligji për mbështetjen e shoqërisë civile synon forcimin e monitorimit të qeverisë dhe administratës, lidhur me korrupsionin

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u miratua vendimi për krijimin e Agjencisë së Zhvillimit të Shoqërisë Civile, i cili synon ngritjen e një agjencie për shpërndarjen e fondeve.

Kryeministri tha se qeveria mbetet e vendosur që çdo vit të përcaktojë fonde për shoqërinë civile, duke nënvizuar se këto fonde duhet të kenë si orientim kryesor monitorimin  e shtetit, të administratës, të sektorit publik, për sa i përket korrupsionit.

“Ne jemi të vendosur që çdo vit të përcaktojmë fonde për shoqërinë civile. Por shpërndarja e fondeve ka karakter delikat. Kjo shpërndarje nuk duhet të cenojë kurrsesi autonominë e plotë dhe të vërtetë të organizatave të shoqërisë civile”, tha Kryeministri.

Kryeministri nënvizoi se duhet të t’u jepet përparësi atyre organizatave që përballen direkt me qeverinë, me administratën, për sa i përket korrupsionit. “Qeveria jonë është dhe do të jetë e gatshme për këtë gjë.  Sot, në luftën kundër korrupsionit, shoqëria civile po bëhet faktor kryesor”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri vuri në dukje se ky ligj vjen si rezultat i punës së një grupi, i cili ka shëtitur disa vende, ndërsa bëri të qartë se këto financime nuk jepen me kushtëzim nga financimet e tjera që marrin këto organizata. “Ne nuk u ndërhyjmë atyre, por ne vetëm dëshmojnë se në kuptimin e financave, ato janë aksionerë të këtij vendi dhe marrin një fond të caktuar nga buxheti i shtetit”, vijoi Kryeministri.


24/12/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›