Kryetarja e Kuvendit takim me zëvendësambasadorin e OSBE-së në Tiranë. Jozefina Topalli: Nuk ka Kushtetutë në vende të lira që mandatet ti mbajë mbi krimin apo të veshë krimet me imunitet.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli priti sot në një takim të kërkuar prej saj, zëvendësambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Aleks Finen, pasi ambasadori Bosh ishte larguar një ditë më parë nga Shqipëria. Dje, tha Kryetarja e Kuvendit, parlamenti votoi ligjin mbi pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë. Personalisht, e konsideroj këtë një arritje dhe një borxh, ndonëse pak të vonuar, ndaj vuajtjeve dhe kalvarit çnjerëzor që populli shqiptar kaloi për gjysëm shekulli. Parlamenti votoi një ligj të standardeve, model i ligjit çek. Ligji çek është shqyrtuar dhe miratuar dy herë nga Gjykata Kushtetuese çeke dhe nuk është vënë kurrë në dyshim nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Ajo që është kushtetuese për Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe për Çekinë, vend anëtar i BE-së, nuk mund të jetë jokushtetues për Shqipërinë që ka kaluar kalvarin më të egër diktatorial. Nuk ka Kushtetutë në vende të lira që mandatet tI mbajë mbi krimin apo të veshë krimet me imunitet. Ato dhjetra e mijra shqiptarë që u burgosën e u pushkatuan, u martirizuan për parimet e Kartës së Helsinkit, për principet që mbron edhe OSBE-ja." Kryetarja e Kuvendit tha se ne kemi të gjithë vullnetin dhe garantojmë transparencë të plotë në zbatimin e këtij ligji në përputhje me standardet e parashikuara nga Strasburgu."