E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me Kryeministrin hungarez Viktor Orban

-         Kryeministri Orban: Kryeministri Berisha ka një rol shumë të madh dhe shumë pozitiv që nga fillimi i historisë moderne shqiptare dhe historia moderne shqiptare, pa zotin Berisha, as nuk do mund të imagjinohej. Është një nder i madhe që kemi sot këtu një luftëtar të demokracisë.

 - -       -  Kryeministri Orban: z. Kryeministër ka punuar vite të tëra pikërisht për të ndërtuar këtë demokraci kaq të mirë dhe mendoj se Shqipëria pas diktaturës, ka arritur të ndërtojë një demokraci me standarde evropiane. Po të shikosh demokracinë në Shqipëri, ajo nuk le asgjë për të dëshiruar. Mendoj se në të ardhmen Shqipëria do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

Kryeministri Berisha, i cili ndodhet sot për një vizitë zyrtare në Hungari, zhvilloi një takim tet a tet me Kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban, takim i cili u vijua më pas nga bisedimet mes dy delegacioneve respektive.

Në përfundim të bisedimeve, të dy kryeministrat dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, gjatë së cilës u shprehën:  

Kryeministri i Hungarisë Orban: Liderët e shteteve të Evropës do të kishin parë me sytë e tyre se ka shumë pak vetë që ngjajnë me mikun tonë këtu sot, pasi ai është një person që ka një rol shumë të madh dhe shumë pozitiv, që nga fillimi i historisë moderne shqiptare dhe, historinë moderne shqiptare, pa zotin Berisha, nuk do të ishte e mundur as ta imagjinonim. Kështu që jemi shumë të gëzuar që jeni sot këtu me ne, zoti Kryeministër.

Gjithashtu, do të doja t’ju thosha se për ne, shqiptarët janë një popull mik, pasi mbi të gjitha, janë një popull që, nga vuajtje të mëdha, kanë arritur të jetojnë në demokraci. Shumë vetë flasin për demokracinë dhe këta janë persona të tillë që nuk kanë jetuar kurrë në diktaturë, ndaj unë mendoj se është më mirë të dëgjojmë ata persona që kanë jetuar vërtetë në diktaturë dhe në një diktaturë të rëndë madje, sepse një njeri që ka parë të keqen, ai mund të dijë se si është edhe e mira, ndërsa ai njeri që nuk ka parë të keqen, ai nuk mund ta vlerësojë të mirën. Mund të them se Shqipëria ka kaluar një nga diktaturat më të mëdha dhe më të këqijat e të gjithë historisë evropiane, ndaj mendoj se shqiptarët e dinë më mirë se ç‘do të thotë të jetosh në diktaturë. Në këtë kontekst, është vërtetë një nder i madh që të kemi sot këtu një luftëtar të demokracisë si ty, zoti Kryeministër i Shqipërisë.

 Të nderuar zonja e zotërinj,

 Për sa i përket lidhjes midis popujve tanë, midis shteteve tona, midis Hungarisë dhe Shqipërisë, lidhjet nuk janë  të rëndësishme vetëm sepse ne jemi miq me njëri –tjetrin, por sepse Shqipëria është një shtet i rëndësishëm dhe në të ardhmen do të jetë akoma edhe më i rëndësishëm dhe të njëjtën gjë do ta shikojë edhe Evropa. Mund të them gjithashtu se ne kemi edhe histori të përbashkëta, duke pasur parasysh që nga historia e lashtë Skëndërbeun dhe Hunyadin, por edhe Mbretëresha shqiptare, zonja Geraldinë, ka qenë hungareze.

 Mes Shqipërisë dhe Hungarisë ka shumë e shumë vite që ka lidhje diplomatike dhe pikërisht, ne festojmë edhe 90 vjetorin e lidhjeve diplomatike mes dy vendeve.

 Duhet të dimë se Shqipëria është një vend që sa vjen e rritet më lartë, GDP-ja është në rritje vit për vit.

 Duke pasur parasysh stabilitetin e Ballkanit, duhet të themi se Shqipëria është një nga faktorët kryesor për këtë stabilitet në rajon. Unë mendoj se roli i Shqipërisë do të ndryshojë dhe do të zmadhohet shumë në vitet e ardhshme. Prandaj, ne mendojmë se politikë e mirë do të ishte që Hungaria të ndihmonte dhe të merrte parasysh si partner strategjik, jo vetëm Shqipërinë, por të gjitha shtetet  e rajonit.

Unë mendoj se në vitet e ardhshme, potenciali më i madh për rritjen ekonomike në Evropë do të jetë pikërisht nga rajoni i Ballkanit. Ndaj, mendimi im është që; në qoftë se Evropa në të ardhmen do të ecë para, kjo do të ndodhë vetëm sepse ajo do të ketë partnerë  potencialë nga ana  e vendeve të Ballkanit.

Pyetja është se cili do të ishte hapi i parë që duhet të bënim për të rritur ekonominë në Evropë?. Për  mendimin tim, hapi i parë do të ishte që shtetet e Ballkanit Perëndimor të hynin në Bashkimin Evropian. Prandaj, jo vetëm ne, por edhe Evropa, e ka të rëndësishme që Shqipëria të bëhet pjesë e Komunitetit Evropian.  Shpresoj që kjo gjë të ndodhë sa më shpejt, pra që Shqipëria të hyjë në BE. Kjo do të ishte një gjë e mirë jo vetëm për Evropën, por edhe për shqiptarët kudo që ata të ndodhen, qoftë brenda kufijve të Shqipërisë, qoftë jashtë  tyre.

Prandaj, i uroj suksese të mëtejshme zotit Berisha për punën që ai ka  përpara për të bërë.

Do të doja të thosha edhe një fjali për sa i përket lidhjeve dypalëshe, sidomos të ekonomisë mes dy vendeve tona, sepse unë mendoj se detyra më e rëndësishme  që na pret ne të dy, si kryeministra, është të  rinovojmë dhe të nxisim edhe më tej marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, sepse marrëdhëniet diplomatike, turistike, etj, ne i kemi shumë të mira. Duhet të fokusohemi vetëm në ekonominë. Është vërtetë e trishtueshme nëse shohim se nuk i kemi shfrytëzuar mundësitë ekonomike që u jepen të dy vendeve tona. Këtë po diskutoja edhe me Kryeministrin Berisha se, ku qëndron problemi që nuk kemi arritur të merremi edhe me anën ekonomike mes dy vendeve tona. Prandaj kemi biseduar me zotin kryeministër dhe do të bisedojmë dhe në të ardhmen për këtë çështje. Një gjë është e sigurt, që përgjigjen për këtë pyetje do ta gjejmë së shpejti.

Shumë faleminderit”

Kryeministri Berisha; Së pari, dëshiroj të falënderoj shumë përzemërsisht Kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban, mikun e shquar timin dhe të shqiptarëve, për ftesën që më bëri për të vizituar vendin dhe fjalët miqësore që ai tha në adresë të shqiptarëve dhe timen.

Është një rast për t’i shprehur mirënjohjen time të thellë kombit mik hungarez dhe qeverisë hungareze, për të gjithë mbështetjen e çmuar që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë, në projektet e saj të rëndësishme të zhvillimit të vendit dhe integrimit në NATO dhe tani, integrimit në Bashkimin Evropian.

Zonja dhe zotërinj,

Marrëdhëniet mes dy kombeve dhe vendeve tona janë marrëdhënie të hershme dhe do t’i quaja cilësore. Janë marrëdhënie përpjekjesh të përbashkëta në kohëra të shkuara, për liri dhe dinjitet dhe mbrojtjen e vlerave të qytetërimit të sotëm perëndimor. Por kjo vizitë e imja koincidon me 90 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona dhe në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Nuk mund të mos ndalem  dhe të shpreh mirënjohjen për faktin se në këtë vend mik u mor një vendim i një rëndësie historike për pavarësinë e vendit tim. Diku nga gjysma e dytë e vitit 1912, themeluesit e pavarësisë së Shqipërisë u ftuan nga Sekretari i Shtetit i asaj kohe Konti Johan Hadik në bisedime, së bashku me ministrin e Jashtëm të Perandorisë austro- hungareze, njërin nga personalitetet më të shquara te diplomacisë evropiane të asaj kohe. Kjo ishte një kohë ndër më të vështirat për shqiptarët, sepse që nga Kongresi i Berlinit, deri në vazhdim, fuqitë e mëdha të asaj kohe kishin si synim të vetëm fshirjen nga harta politike e Evropës të shqiptarëve. Konti Hadik dhe ministri i Jashtëm i  Perandorisë austro-hungareze i dhanë mbështetje të plotë dhe totale themeluesit të pavarësisë së Shqipërisë dhe delegacionit që e shoqëronte atë, iu krijuan të gjitha lehtësitë e udhëtimit në mënyrë që nga Budapesti të kalonin në Vjenë dhe, me një anije po të perandorisë, të zbarkonin në Durrës, të vazhdonin udhëtimin e tyre për në Vlorë, për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë.

Sot, pas 100 viteve, shqiptarët janë të lirë, por asokohe, ky ishte vendimi i parë i vetëm në mbështetje të pavarësisë së shqiptarëve. Si një gur i çmuar në kurorën mes dy vendeve tona, si një trashëgimi e shkëlqyer në kurorën mes dy vendeve tona, mbetet mbretëresha e parë shqiptare në kohët moderne, Mbretëresha Geraldinë. Dashuria e saj për kombin dhe vendin tim është legjendë e dashurisë për një vend dhe një komb. Geraldina ishte pa dyshim mbretëresha më e bukur e Evropës.

Por le ta lëmë historinë e shkuar. Në ditët e sotme, shqiptarët kanë pasur te Hungaria një mbështetje të fuqishme për anëtarësimin e tyre në NATO, ndërkohë që kanë një mbështetje të vendosur në projektin e  Shqipërisë për integrimin e plotë në BE.

Ne diskutuam gjerësisht për intensifikimin e marrëdhënieve tona në të gjitha fusha, në mënyrë të veçantë në fushën ekonomike, ku ka një hapësirë shumë më të madhe bashkëpunimi. Shqipëria bëhet çdo ditë e më shumë një vend me interes të veçante nga investitorët dhe ka një klimë miqësore ndaj biznesit. Në fushën energjisë, ne jemi vend i pasur në ujëra dhe kompani nga e gjithë bota po ndërtojnë hidrocentrale në Shqipëri. Shqipëria po ndërton një infrastrukturë tërësish të re rrugore, ku kompani nga e gjithë bota po marrin pjesë në tenderët në ndërtimin e kësaj infrastrukture. Kompanitë hungareze janë të mirëpritura në këto drejtime.

Për qeverinë time arsimi ka një rëndësi parësore, ndaj ne duhet të përfitojmë nga standardet e arsimit në Hungari. Kryeministri më premtoi se do të rritet bursat për shqiptarët dhe ky është një lajm shumë i gëzuar. Ne e kemi studiuar dhe do të bëjmë çdo gjë që të vendosim modelin hungarez të financimit të arsimit të lartë, si një mekanizëm që ndikon realisht në rritjen e cilësisë.

Ne duhet të bashkëpunojmë ngushtësisht në fushën e bujqësisë dhe në të gjitha fushat e tjera.

Do ta mbyll duke iu përgjigjur mikut tim për fjalët që shqipëroi dhe tha në drejtimin tim. Dua ta siguroj se kombi hungarez ishte një burim i madh frymëzimi për të gjitha kombet e shtypura nga diktatura komuniste, përfshi shqiptarët që përjetonin një diktaturë të vërtetë. Drita e revolucionit hungarez dhe më pas, nga fundi i viteve 80, ndryshimet demokratike të këtij vendi, mënyra e zhvillimit të tyre, ishin udhërrëfyese dhe frymëzuese edhe për ne në Shqipëri.

Edhe njëherë, dua t’ju falënderoj shumë përzemërsisht, zoti Kryeministër, për mikpritjen tuaj, për ndjenjat miqësore që ju dëshmoni ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Unë jam i bindur se duke punuar së bashku, ne do të zhvillojmë intensivisht marrëdhëniet tona miqësore.

Faleminderit”.

 -         Më pas, të dy Kryeministrat iu përgjigjën interesit të gazetarëve, duke bërë këto komente:

Pyetje: Zoti Kryeministër Orban, opozita shqiptare, pas dy vjet bllokimi te proceseve integruese, pranoi atë çfarë ishte ofruar për 2 vjet nga mazhoranca. Gjithashtu, Shqipëria i rezistoi krizës.  A mendoni se reformat e ndërmarra janë ne rrugën e duhur?

 Kryeministri Orban: Unë jam një nga ata që kam menduar dhe mendoj se, gjithmonë, gjithë ndryshimet që kanë ndodhur në Shqipëri, kanë qenë pozitive. Unë mendoj se demokracia që ka arritur Shqipëria deri më sot, në të ardhmen do të jetë gjithmonë edhe më  e mirë.

 Probleme të politikës së brendshme ka në çdo vend, por kjo nuk do të thotë se demokracia nuk është e mirë në një shtet.  Sa më shumë debate të brendshme të ketë në politikën e brendshme, aq më shumë e forcojnë ato demokracinë. Unë kam frikë më tepër nga ato vende që thonë se janë demokrate dhe nuk kanë asnjë problem dhe që nuk tregojnë asnjë problem jashtë. Mendoj se demokracia më e madhe është në ato vende ku ka debat midis partive politike. Po të shikojmë demokracinë shqiptare, unë mendoj se nuk ka asnjë gjë të prapambetur në krahasim me demokracitë e tjera në Evropë, por është e njëjtë me ato. Mendoj se Komiteti Evropian nuk duhet të rrijë larg Shqipërisë dhe nuk duhet të kritikojë Shqipërinë, aq më tepër për demokracinë, sepse z. Kryeministër ka punuar vite të tëra pikërisht për të ndërtuar këtë demokraci kaq të mirë. Unë mendoj se Shqipëria, pas diktaturës, duke pasur parasysh se ka kaluar dhe një nga diktaturat më të rënda nga të gjitha vendet e tjera, ka arritur të ndërtojë një demokraci me standarde evropiane. Në qoftë se ka ndonjë shtet apo person që të vihet kundër Shqipërisë sepse ka probleme të brendshme, pra në politikën e brendshme të saj, unë mendoj që kjo bën keq, sepse çështjet e politikës së brendshme i takojnë vetëm një shteti dhe po të shikosh demokracinë në Shqipëri, ajo nuk le asgjë për të dëshiruar. Unë mendoj se në të ardhmen Shqipëria do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

 Pyetje: Zoti Berisha, a do te vazhdoni reformat duke progresuar më tej?

 Kryeministri Berisha:  Reformat janë dhe mbeten “perpetum mobile” e kësaj kohe, për qeverinë time. Unë kam lexuar reformat e shkëlqyera dhe shumë të guximshme  të Kryeministrit Orban. Është jetike që të garantojmë rritjen ekonomike. Garantimi i rritjes do të jetë faktor kryesor në përcaktimin e ndërtimit të së ardhmes.  Kështu që ne jemi të vendosur të vazhdojmë reformat.  Ne jemi ndikuar nga kriza dhe nuk është se nuk kemi pasur ndikime, por nuk kemi  rënë në recension  dhe tani po punojmë për një paketë të re reformash,  në mënyrë që të përshtatim  ekonominë shqiptare në rrethanat e reja të krijuara nga globalizmi, në një botë post perëndimore.


19/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›