Kryeministri Berisha: Qeveria shqiptare e hapur dhe bashkëpunuese me të gjitha institucionet e angazhuara për hetimin e krimeve të luftës dhe gjenocidit në ish Jugosllavi

- Qeveria shqiptare fton EULEX të ndërmarrë hetimin lidhur me pretendimet e raportit të Dick Marty dhe garanton se do të ofrojë të gjitha lehtësirat dhe bashkëpunimin e plote të autoriteteve shqiptare.
- Delegacioni shqiptar në KE do të nisë punën me një kërkesë të vetme dhe unike që Dick Marty ti dorëzojë provat, në se ka të tilla, autoriteteve të EULEX, përndryshe ai ka bërë një abuzim shumë të rëndë, me besimin e këtij institucioni, anëtar i të cilit është Shqipëria.
Kryeministri Berisha theksoi sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj pretendimeve të ngritura në raportin e anëtarit të Asamblesë së Përgjithshme të KE, senatorit Dick Marty.
Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare ka qenë tërësisht e hapur dhe ka patur një bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet e angazhuara, për hetimin e krimeve të luftës dhe gjenocidit në ish Jugosllavi.
Duke nënvizuar se raporti i Dick Marty është kryekëput i pabazuar në fakte dhe të dhëna reale, kryeministri Berisha, në emër të qeverisë shqiptare ftoi EULEX të ndërmarrë hetimin, duke garantuar se qeveria do të ofrojë të gjitha lehtësirat dhe bashkëpunimin e plote të autoriteteve shqiptare.
Kryeministri u shpreh se delegacioni shqiptar në KE do të nisë punën me një kërkesë të vetme dhe unike që Dick Marty ti dorëzojë provat, në se ka të tilla, autoriteteve të EULEX, përndryshe, vijoi kryeministri, ai ka bërë një abuzim shumë të rëndë, me besimin e këtij institucioni, anëtar i të cilit është Shqipëria.
Kryeministri kërkoi nga Ministri i Drejtësisë, që me anë të një letre të veçantë drejtuar Kryetarit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, ta garantojë atë, se pavarësisht se mandati i Gjykatës është për krimet e luftës në Ish –Jugosllavi, në Shqipëri nuk do të kenë as edhe pengesën më të vogël për çdo lloj hetimi.
Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri u shpreh:
Së pari, dëshiroj të deklaroj se lidhur me raportin e senatorit Dick Marty, anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, raport i bazuar në pretendimet kryekëput të pafaktuara të ish prokurores së përgjithshme të Zvicrës dhe më pas Prokurore e Gjykatës së Hagës, për varr masiv dhe krime të shëmtuara, si trafik organesh nga UÇK, realizuar kjo sipas këtyre pretendimeve, në territorin e Shqipërisë në Burrel, duhet të theksoj se qeveria shqiptare ka qenë tërësisht e hapur dhe ka patur një bashkëpunim të ngushtë, me të gjitha institucionet e angazhuara për hetimin e krimeve të luftës dhe gjenocidit në ish Jugosllavi.
Natyrisht, Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë pjesë e konfliktit, por faktor i zgjidhjes së konflikteve, ka qenë prapavijë e fuqishme e Aleancës së Atlantikut të Veriut, në sulmet kundër diktatorit të Serbisë, ka qenë sigurisht mbështetje e fuqishme e luftës çlirimtare, luftë e cila shndërroi çështjen e lirisë së shqiptarëve, në çështje të lirisë së botës së lirë.
Shqipëria, pavarësisht se raporti i Dick Marty flet për akte makabre, duke mos paraqitur as edhe një fakt të vetëm, flet për dëshmitarë njëlloj sikur të ishin personazhe të Franc Kafkës, të cilët nuk mund të shfaqen, kërkojnë anonimatin, flet për 300 serbë të zhdukur dhe nuk jep qoftë edhe një emër të veçantë, flet për një klinikë të gjetur në Prishtinë nga EULEX, e cila sipas këtyre akuzave merret me trafik, por që i ka drejtuesit nga vende të tjera dhe këtë ngjarje të 2009-s e lidh me ngjarje të 1999, pra, pavarësisht nga të gjitha këto pretendime të bazuara në asnjë fakt apo të dhënë reale, sërish duke patur parasysh vullnetin e hekurt të qeverisë që ligji kombëtar dhe ndërkombëtar të predominojë, ne ftojmë EULEX të ndërmarrë hetimin dhe i garantojmë të gjitha lehtësirat dhe bashkëpunimin e plote të autoriteteve shqiptare.
Pavarësisht se EULEX ka një mandat për shtetin e pavarur të Kosovës, ne mirëpresim plotësisht hetimin e tij, sikundër zoti Ministër i Drejtësisë do ti drejtoheni Kryetarit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, me një letër të veçantë, me anë të së cilës, ta ftosh e ta garantosh se pavarësisht se mandati i Gjykatës është për krimet e luftës në Ish –Jugosllavi, në Shqipëri nuk do të kenë as edhe pengesën më të vogël për çdo lloj hetimi.
Delegacioni shqiptar në KE do të nisë punën me një kërkesë të vetme dhe unike që Dick Marty ti dorëzojë provat, në se ka të tilla, autoriteteve të EULEX, përndryshe ai ka bërë një abuzim shumë të rëndë, me besimin e këtij institucioni, anëtar i të cilit është Shqipëria dhe do të insistojë të ndërmarrë çdo nisëm ligjore në Këshillin e Evropës që ky zotëri të dorëzojë pranë autoriteteve të EULEX, në se është serioz dhe nuk ka ndërmend dhe ai të shkruajë ndonjë fixion me këto që publikon, pra ti dorëzoje autoriteteve, të gjitha provat dhe dëshmitarët.
Janë shumë akuza direkte ndaj Gjykatës Ndërkombëtare për krime të luftës në Ish Jugosllavi, në raport se janë zhdukur prova nga kjo gjykatë. I takon kësaj gjykate, integriteti dhe kredibiliteti i saj, të kërkojë se cilat prova ka zhdukur gjykata. Asnjë nga vendet e lira, asnjë nga anëtaret e koalicionit nuk ka qenë kurrë i interesuar që të fshihen, të zhduken provat e krimeve të luftës, aq më pak mendoj dhe gjykoj, do të ketë qenë e interesuar Gjykata e Ndërkombëtare e Hagës. Ndaj dhe duke ftuar gjykatën që të rinisë hetimin e kësaj çështje e ftoj gjithashtu të qartësojë sepse kjo përbën një akuzë të rëndë ndaj gjykatës.
Dy fjalë për senatorin Dick Marty dhe qëndrimet e tij. Kam patur rastin të jem në KE, anëtar i delegacionit të Shqipërisë, kur isha në opozitë. Ky zotëri ka qenë një avokat i papërmbajtur i krimeve të shëmtuara mbi shqiptarët. Teza e tij kryesore në KE, të cilën e ka mbrojtur me fanatizëm, ka qenë se në Kosovë nuk ka ekzekutorë dhe viktima, se nuk mund të pranohet që serbët të jenë ekzekutorë dhe shqiptarët viktima. Ky ka qenë lajtmotivi i tij ndaj krimeve monstruoze të luftës. Se kush i shpërnguli 1 milion shqiptarë, se kush e mbushi Kosovën me varreza masive, se kush e mbushi Savën dhe Danubin me kufoma shqiptarësh, kjo për Dick Martyn nuk kishte rëndësi. Ky zotëri, në të gjitha rastet do të bënte avokatinë e verbër të Serbisë së Madhe në raport me shqiptarët. Vendi i tij është një nga vendet, ndaj të cilit ne shqiptarët kemi një mirënjohje të veçantë se në fakt në Zvicër, flakët e lirisë së Kosovës nuk u shuan kurrë sepse Zvicra dhe liria janë një traditë shekullore dhe se në fakt Zvicra, pavarësisht se mbylli kufijtë për NATON, në emër të neutralitetit, populli zviceran dhe shoqëria zvicerane kanë mbështetur kauzën e drejtë të popullit të Kosovës dhe ky vend është një nga vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Dick Marty edhe në këtë vend, ndonëse ka patur funksione të rëndësishme, edhe në këtë vend ka qenë kundër pavarësisë se Kosovës. Ka qene kundër ndërhyrjes së NATO-s, kundër njohjes së pavarësisë, dhe pasi gjykata e Hagës , drejtësia botërore bëri të qartë se nuk ka asnjë shkelje të së drejtës ndërkombëtare, përkundrazi pavarësia është në përputhje të plotë me të drejtën dhe ligjin ndërkombëtar, ky person, ju garantoj se sërish është i gatshëm të sulmojë edhe këtë gjykatë.
Unë nuk u ndala në këtë çështje për ta personalizuar, por shqiptarët nuk duhet të habiten, sepse rracizmat ndaj tyre nuk janë zhdukur. Pas rracizmit të egër ndaj çifutëve, dua të theksoj këtu, se në memorien e historisë padrejtësitë dhe rracizmat ndaj shqiptarëve kanë qenë një nga aktet më të turpshme. Këto i ka fryrë dhe nxitur ideja e serbomadhisë, por edhe komplekse idesh të tjera, të cilat bënë që trojet shqiptare të copëtohen në pesë shtete, pavarësisht se shqiptarët ishin kudo një mazhorancë në territoret e tyre dhe vazhdimësi etnike gjeografike.
Të dashur qytetar shqiptarë, nuk duhet të çuditeni kur ndonjë racist të dalë një ditë dhe të thotë se luftëtarët e UÇK-së kanë qenë edhe kanibalë. Madje të thotë se ata kanë përdorur edhe të brendshme fëmijësh për byrek apo për supë. Pavarësisht nga i gjithë ky kontekst dhe përpjekje për të demonizuar një prej faqeve më të ndritura të historisë tonë kombëtare; pavarësisht nga kjo përpjekje për të shtrigëzuar shqiptarët, një fushatë që më kujton gjahun e shtrigave në mesjetë; pavarësisht nga të gjitha këto Shqipëria është një vend i lirë, është vend anëtar i NATO-s, është një vend tërësisht i hapur ndaj çdo lloj hetimi dhe me ndjeshmëri të plotë ndaj në problematike. Sepse çdo të thoshte ky zotëri në qoftë se një deputet shqiptar në Këshillin e Europës do të deklaronte se dëshmitarë që nuk duan të identifikohen më kanë thënë se i kemi dhënë kaq apo aq për të bërë këtë deklaratë? Apo te thonë se kemi parë këtë apo atë dëshmitar të paguar që t’i paraqitet këtij zotërie. Çfarë do të thoshte ky zotëri në rast se një deputet shqiptar në Këshillin e Europës do të deklaronte se shërbime të huaja të besuara apo shërbime të vendit më kanë deklaruar këto gjëra për Dik Martyn, por ato dhe dëshmitarët nuk mund ti rrëfej këtu? Sepse nuk mund të thuash që janë zhdukur 300 serbë dhe të mos japësh një emër të vetëm. Të thuash se në Fushë Krujë janë bërë heqje organesh, do të thotë të fyesh një qytet të tërë dhe të mos tregosh as edhe një fakt të vetëm, të mos japësh as edhe një fakt të vetëm. Dik Marty për Fushë Krujën mund të ketë dëgjuar një herë në jetën e tij dhe ndaj është përqendruar, por qëndrimet e tij janë qëndrime të tij dhe nuk kemi asgjë me të. I thash këto, sepse është në detyrimin e tij që çdo fakt t’ia dorëzojë EULEX-it. Unë e garantoj EULEX-in, Bashkimin Europian dhe Këshillin e Europës se Shqipëria, ky vend dhe kjo qeveri do të krijojë çdo lloj lehtësie të nevojshme për çdo hetim që është i nevojshëm për këtë çështje.
Së pari do të bëhet hetimi dhe ky është interesi kryesor, pastaj të tjerat. Sepse një familje u rrënua. Edhe dje Abdullah Katoci më dërgoi mesazh ku më thoshte se janë bërë përpjekjet më të paimagjinueshme për të kriminalizuar familjen e tij, një familje e ndershme dhe që s’mund të pranonte kurrë të bënte shtëpinë kasaphanë për të tjerët.
Një tjetër sharlatan që bëhet i gjallë tani. Edhe ai duhet të hetohet. Le të sjellë të gjitha provat, sepse ka shumë dyshime që ai është larguar nga detyra vetëm për fshehje provash. Ai që akuzon të tjerët për fshehje provash, ka indice të sigurta se ai është larguar nga detyra për fshehje provash. Kjo çështje duhet hetuar. Këto kërkojnë hetim të plotë.
Ai thotë shkuam në Bicaj, por atje ai ka shkuar me disa persona dhe jo me një. Madje ka shkuar me GPS dhe aty ku ka rënë GPS kanë qenë banesa. Ai që shkon në Bicaj e sheh aty çdo gjë. Por aty ku ky zotëria kërkoi me GPS varrezën e përbashkët, aty gjeti banesa. Megjithatë le të vij përsëri. Shqipëria nuk ka asgjë dhe në mënyrë kategorike kushdo që ka kryer krime lufte, kemi qenë dhe mbetemi të bindur e të vendosur, duhet të paraqitet para drejtësisë.
Unë i ftoj shqiptarët, sepse kam vënë re që ka një lloj nervozizmi dhe shqetësimi për këto shpifje, që duhet ta dinë se ka të tjerë që mund të shkojnë më lartë se Dik Marty dhe që mund të shpallin e të deklarojnë dhe një herë se ka pasur grupe kanibale, pasi me çdo gjë mund të pajtohen, por jo me lirinë e shqiptarëve. Por këto janë e shkuara. Këto nuk kanë dhe nuk mund të kenë ndikim në të gjitha proceset, të shtyjnë integrimin, që të shtyjnë bashkëpunimin, që të shtyjnë negociatat, të cilat janë për tu zhvilluar dhe do të zhvillohen. Me këto do të merret drejtësia.
Ndërkohë edhe një herë e mbyll fjalën duke i bërë thirrje EULEX-it që pavarësisht se e ka hetuar këtë çështje, duke i bërë thirrje Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës që pavarësisht se e ka hetuar këtë çështje, por e sjellë përsëri në arenën në Këshillin e Europës, e sjellë në arenën mediatike ndërkombëtare, gjykoj se kjo meriton një rishqyrtim dhe transparencë të plotë. Pastaj secili merr përgjegjësinë e tij.
Faleminderit!
22/12/2010