Kryeministri Berisha takon ambasadorin e Spanjës në Tiranë, zotin Emanuel Montobbio me rastin e përfundimit të detyrës
Kryeministri Berisha priti sot, në një takim, ambasadorin e Spanjës në Tiranë, zotin Emanuel Montobbio, me rastin e përfundimit të detyrës.
Kryeministri Berisha vlerësoi lart punën e ambasadorit Montobbio, si ambasadori i parë i Spanjës në Shqipëri. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi rëndësinë e intensitetit të zhvillimit të marrdhënieve bilaterale midis Shqipërisë dhe Spanjës gjatë kësaj periudhe. Në takim, u theksua ndër të tjera, nevoja e vazhdimit të forcimit dhe konsolidimit të marrëdhënieve dypalëshe.
Nga ana e tij, ambasadori Montobbio theksoi rëndësinë e madhe që Spanja i kushton marrëdhënieve me Shqipërinë edhe në kuadër të NATO-s, bashkëpunimit mesdhetar, si dhe në të ardhmen, në gjirin e Bashkimit Evropian.
Kryeministri Berisha e falënderoi ambasadorin Montobbio për rolin e tij aktiv dhe për arritjet shumë pozitive që ai lë pas, në marrëdhëniet bilaterale. Ndër të tjera, Kryeministri vuri në pah rëndësinë e madhe që kanë për Shqipërinë marrëdhëniet me Spanjën, si në planin dypalësh dhe në atë shumëpalësh.
Ambasadori Montobbio u shpreh se do të mbetet mik i shqiptarëve dhe se do të kontribuojë në promovimin e vlerave të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
20/12/2010