Kryeministri Berisha takon ambasadorin e Kroacisë, zotin Darko Javorski me rastin e përfundimit të detyrës

Kryeministri Berisha prit sot në një takim, ambasadorin e Kroacisë, zotin Darko Javorski, me rastin e përfundimit të detyrës të tij, në vendin tonë .
Pasi e uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e zotit Javorski për forcimin e mëtejshëm të miqësisë tradicionale midis dy popujve dhe vendeve, si dhe zgjerimin e marrëdhënieve shumë të mira dhe bashkëpunimit të gjithanshëm midis të dy vendeve mike, aleate e partnere në të gjitha fushat.
Nga ana e tij, ambasadori Javorski, pasi e falënderoi për pritjen e ngrohtë dhe miqësore i shprehu Kryeministri Berisha mirënjohjen më të thellë, për bashkëpunimin dhe përkrahjen e jashtëzakonshme të tij dhe të qeverisë shqiptare gjatë gjithë kësaj periudhe.
Ambasadori vlerësoi arritjet e jashtëzakonshme që Shqipëria dhe qeveria shqiptare kanë realizuar gjatë këtyre katër viteve të fundit, duke theksuar se Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara dhe një progres të admirueshëm pozitiv, në të gjitha fushat, por në veçanti në arritjet historike, si anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave dhe ecjen përpara drejt integrimit në BE.
Në takim u rikonfirmua vendosmëria e të dy vendeve dhe qeverive, për të zgjeruar dhe thelluar edhe më tej, në të ardhmen miqësinë tradicionale midis të dy popujve, si dhe marrëdhëniet e ngushta të partneritetit aleancës dhe bashkëpunimit frytdhënës, në dobi të të mirës dhe të interesit të ndërsjellë të të dy popujve, si dhe paqes dhe bashkëpunimit në rajon.
21/12/2010