E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi pritet nga Presidenti i Këshillit Rajonal të Piemontes, Valerio Kataneo

26 nëntor 2011
Torino, Itali

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, në kuadër të vizitës zyrtare në Itali me ftesë të Kryetarit të Bashkisë së qytetit të Torinos, Piero Fasino, u prit sot nga Presidenti i Këshillit Rajonal të Piemontes, Valerio Kataneo.

Gjatë takimit, Presidenti Topi dhe zoti Kataneo vlerësuan marrëdhëniet tradicionale të shkëlqyera e shumëplanëshe që ekzistojnë mes dy vendeve tona si dhe bashkëpunimin e vlefshëm politik, ekonomik, shëndetësor, kulturor, akademik, etj, duke vënë në dukje gjithashtu edhe nevojën për një intensifikim të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për ndihmesën e vazhdueshme dhe të çmuar të Italisë për Shqipërinë gjatë periudhës së tranzicionit për konsolidimin e demokracisë dhe institucioneve të saj, si edhe për mbështetjen ndaj aspiratës së popullit shqiptar për integrim në familjen e madhe evropiane. “Shqipëria shikon tek Italia një partner strategjik, një vend dhe një popull mik me të cilin ne kemi shprehur qartë dhe kemi dëshmuar prioritetet e bashkëpunimit të gjithanshëm në funksion të interesave të vende dhe popujve tanë”, - vuri në dukje Presidenti Topi.

Kryetari i Shtetit u shprehu mirënjohjen autoriteteve italiane dhe përfaqësuesve vendorë në emër të të gjithë shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në vendin fqinj, të cilët po kontribuojnë jo vetëm për forcimin e marrëdhënieve, por edhe për vetë të ardhmen e Italisë. Në këtë drejtim, Presidenti Topi vuri në pah mundësitë e mëdha që ofron Shqipëria për investitorët e huaj, duke theksuar rëndësinë e rritjes së shkëmbimeve ekonomiko-tregtare si shtimin e numrit të investitorëve piemontezë në vendin tonë.

Pasi i uroi Presidentit Topi mirëseardhjen në Itali, Presidenti i Këshillit Rajonal të Piemontes, zoti Kataneo shprehu kënaqësinë e këtij takimi dhe vuri në dukje faktin se vizita e Kryetarit të Shtetit Shqiptar në Itali është një tregues pozitiv i marrëdhënieve tradicionalisht shumë të mira e të afërta që ekzistojnë mes dy vendeve e popujve tanë. Zoti Kataneo dhe anëtarë të Këshillit Rajonal vlerësuan praninë e rëndësishme të bashkësisë së mirëintegruar shqiptare dhe rolin e saj me peshë në Rajonin e Piemontes.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›