E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi feston Ditën e Pavarësisë me bashkatdhetarët në Torino

26 nëntor 2011
Torino, Itali

Pasi zhvilloi edhe një takim të veçantë në Përfaqësinë e Dhomës së Tregtisë së Tiranës në Torino, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, të shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së qytetit të Torinos, Piero Fasino, morën sot pjesë sonte në veprimtarinë artistiko-kulturore “Shqipëria – Njëzet vjet më pas”, të organizuar në Sallën e Koncerteve të Konservatorit Shtetëror “Xhuzepe Verdi” të Torinos.

Në një atmosferë tepër të ngrohtë e emocionuese, Presidenti Topi iu drejtua të gjithë bashkëkombësve tanë si dhe autoriteteve italiane të pranishme në këtë veprimtari artistiko-kulturore, duke thënë: “Miqësia midis popullit shqiptar dhe atij italian është sa e vjetër aq dhe e mbushur me një respekt reciprok për historinë e lashtë të dy vendeve tona. Këtë vit, populli italian festoi 150-vjetorin e Bashkimit të Italisë, kurse populli shqiptar do të festojë vitin që vjen jubileun e madh, 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Pra, nuk është e rastit që ky aktivitet sot zhvillohet në prag të festës së madhe për gjithë shqiptarët kudo në botë, në ditën e 28 Nëntorit, shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë."

Presidenti Topi, pasi shprehu mirënjohjen, nderimin dhe gëzimin që ndodhej në Torino me ftesë të Kryebashkiakut Fasino për të përkujtuar njëzetvjetorin e fillimit të emigracionit modern të shqiptarëve, dhe duke vlerësuar vigjiljen e 28 Nëntorit, Festës së Flamurit, theksoi "se së bashku po festojmë një ngjarje që nuk u takon vetëm shqiptarëve, por edhe italianëve." "Kanë kaluar njëzet vjet dhe në ciklin e njeriut, njëzet vjetë nuk janë pak. Unë kam pasur rastin të takoj sot edhe të rinj, të cilët janë maturuar duke lindur, duke u rritur dhe duke u shkolluar në Itali. Kështu që mesazhi që jap sonte është mjaft i rëndësishëm: Padyshim unë gjatë viteve të mia si President, kam preferuar që vizitat zyrtare, që kam bërë në Itali, të realizoj edhe kontakte nëpërmjet vizitave zyrtare të karakterit rajonal për të kontaktuar autoritetet rajonale, por edhe për të takuar bashkëatdhetarët e mi. Besoj që kjo ka qenë jashtëzakonisht e frytshme, sepse i kemi dhënë mbështetje kësaj politike, e cila në Kartën e Autonomisë Vendore, është shumë e rëndësishme." – u shpreh Presidenti.

"Sot pasdite unë dhe mjaft bashkëatdhetarë të mi, por edhe shumë miq italianë patëm rastin të shohim një ekspozitë të thjeshtë, por mjaft domethënëse. Natyrisht që jemi ambjentuar, duke parë edhe pamje filmike, që na çojnë pikërisht në vitet 1990-91. Prandaj është shumë e rëndësishme që etapat historike të memorizohen për të bërë edhe dallimin, sepse njeriu, me zhvillimet e vrullshme të jetës së tij, ndonjëherë edhe i harron. Kjo lloj kujtese duhet të vlejë shumë për brezin e ri që nuk e ka jetuar atë përvojë. Në njëzet vjet gjërat kanë ndryshuar shumë, zoti Fasiono dhe për këtë jemi të gjithë të ndërgjegjshëm. Gjërat kanë ndryshuar për mirë. Sot Shqipëria ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore, por falë edhe bashkëatdhetarëve tanë, të cilët kanë shkuar në emigracion dhe asnjëherë nuk e kanë harruar vendin e tyre. Autoritetet më të larta të shtetit italian, por edhe ju personalisht e dini, – vazhdimisht e kam thënë në mënyrë shumë të hapur e të sinqertë, që shqiptarët sot në Itali janë shumë të integruar. Unë, duke njohur shumë mire forcën shpirtërore të bashkatdhetarëve të mi, e kam thënë gjithmonë që shqiptarët dinë të integrohen, sepse janë njerëz të ndershëm, punëtorë dhe familjarë. Apelin më të rëndësishëm e kam dhënë vazhdimisht për brezin e ri. Këtë e kam dhënë në shumë mjedise, qoftë në Itali, qoftë në Greqi, kudo ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët. Shqiptarët vërtet kanë kaluar nëpërmjet hallesh të shumta gjatë periudhës së izolimit, por edhe gjatë viteve të para të emigracionit. Por ajo që kanë bërë dhe kanë ditur ta bëjnë jashtëzakonisht mirë si njerëz të emancipuar është që pavarësisht vështirësive të tyre ekonomike, të shkollojnë fëmijët e tyre. Dhe nga të gjitha informacionet që kemi: studentët shqiptarët janë nga më të mirët. Kjo sigurisht që na bën krenarë, na bën të ndihemi shumë mirë, sepse ata vërtet do të jenë qytetarë të denjë të Evropës së Bashkuar." – vuri në dukje Presidenti Topi.

Presidenti Topi theksoi më tej se: "Shqipëria dhe Italia vërtet kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithmnonë gjeografikisht shumë afër. Edhe projekti i fundit që kemi pasur në kuadrin e festimeve për 150-vjetorin e Italisë ka qenë ‘Deti Adriatik – deti i përbashkët.’ Unë e përmenda këtë fakt për t’iu referuar edhe 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, jubile që fillon menjëherë pas datës 28 Nëntor. Janë 100 vjet të historisë së re të shqiptarëve, por asnjëherë nuk duhet të harrojmë historinë e lashtë të marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe italianëve. Kështu që duhet të dijmë ta vlerësojmë historinë tonë. Kjo është arsyeja që shqiptarët kanë qenë dinjitozë edhe në vështirësit më të mëdha të jetës së tyre.

Sot Shqipëria është vend i NATO-s. Shpreson që shumë shpejt të jetë kandidate për në Bashkimin Evropian. Dëshiroj të theksoj publikisht para jush! Një nga mbështetësit kryesorë për Shqipërinë ka qenë pikërisht Italia, një partnere strategjike. Është vendi me të cilin ne kemi bilancin parësor ekonomik, të biznesit.

Padashur të zgjatem në këtë fjalë sonte, sepse secila histori familjare apo personale flet shumë më tepër, do të doja të thoja që në këtë njëzetvjetor ju i keni dhënë shumë nder Shqipërisë, sepse vërtet keni qenë ambasadorë të çështjes shqiptare kudo, në çdo qelizë të territorit italian. Kështu që cilido, duke filluar që nga Presidenti i Republikës, vjen me shumë krenari në Italia kur e viziton. Jam i bindur që në 100-vjetorin, që do të fillojë menjëherë pas datës 28 nëntor, të gjithë së bashku do t’i kushtojmë shumë rëndësi këtij jubileu. Unë nuk kam bërë parashikime në politikë, por një gjë e did he kam bindje të brendshme. Që në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ajo do të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian."

Në përfundim të fjalës së tij, Presidenti Topi, u shpreh: "Dëshiroj t’ju falenderoj për praninë tuaj këtu! Të falenderoj Kryebashkiakun e Torinos, mikun e Shqipërisë, të nderuarin Fasiono! Duke qenë në Torino, duke qenë në Itali dëshiroj të përshëndes nga ky auditor i mrekullueshëm Presidentin Napolitano, i cili vërtet, gjatë gjithë kohës ka ofruar shumë respekt e shumë dashuri për Shqipërinë dhe shqiptarët! Edhe njëherë, gëzuar Festën e Pavarësisë së Shqipërisë! Gëzuar Festën e Flamurit!"

Kjo veprimtari, e cila zhvillohet në prag të 28 nëntorit, Ditës së Pavarësisë, u përshëndet edhe nga dy personalitete e figura të njohura të bashkësisë shqiptare në Itali, shkrimtarja Anila Ibrahimi dhe artisti Adrian Paci. Kryetari i Shtetit shqiptar u vlerësua për vëmendjen e duhur që i kushtoi kësaj veprimtarie artistiko-kulturore, për mbështetjen e tij përmes pjesëmarrjes, të cilën të gjithë bashkatdhetarët e tyre të pranishëm në këtë ngjarje, e konsiderojnë dhe e respektojnë për domethënien dhe vlerën simbolike të kujdesit dhe interesimit të shtetit shqiptar për fatin e atyre mijëra shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Itali, por që dhe njëkohësisht ruajnë e integrojnë vlerat dhe virtytet më të mira të shqiptarëve në shoqërinë italiane duke rritur jo vetëm imazhin e tyre, por edhe të vetë Shqipërisë nëpër botë.

Në vijim, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë së bashku me të pranishmit ndoqën koncertin e pianistes virtuoze shqiptare, Elda Laro me pjesë të zgjedhura nga kompozitorë të shquar të muzikës klasike italiane, botërore, por edhe asaj shqiptare.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›