Kryeministri Berisha/Reformat e thella kanë sjellë rezultate efikase në luftën kundër korrupsionit
Gjatë këtij takimi në Tiranë të TI, kryeministri Sali Berisha paraqiti të gjitha masat e marra nga qeveria për efikasitet ndaj korrupsionit, duke nisur me shkurtimin e shpenzimeve të administratës nga 3 në 2 % të GDP, futjen e sistemit elektronik në prokurimet publike, vendosjen e çmimeve të referencës në shëndetësi, apo dhe miratimin e ligjit kundër nepotizmit dhe shpërblimit e mbrojtjes së informatorëve të korrupsionit.
“Unë mbetem thellësisht i vendosur që të bëj çdo përpjekje për të konsoliduar suksesin e kësaj lufte; për të rritur vetëdijen e qytetarëve shqiptarë ndaj këtij armiku të egër të lirive të tyre; për të rritur transparencën në çdo qelizë të veprimtarisë publike të këtij vendi”- deklaroi Berisha. Përpjekjet, tha kryeministri, kanë qenë të shumta dhe multidimensionale, për penalizmin e korrupsionit. “Ato janë bazuar në dy shtylla kryesore: në reforma të gjithanshme për zvogëlimin dhe parandalimin e tij, në penalizmin e autorëve të korrupsionit. Nuk dua të zgjatem, por të theksoj një moment. Këto reforma kanë bërë që qeveria ime të ketë fituar betejën dhe ndoshta edhe më shumë sesa betejën, por lufta mbetet për tu fituar. Ajo çka është arritur deri më sot do të thotë se është plotësisht e mundur që shqiptarët të kenë të kthjellët një perspektivë tjetër dhe jo perspektivën e një shoqërie ryshfeti”, nënvizoi kreu i qeverisë.