Berisha: Bllokqenëve që vrasin njëri-tjetrin, të mos u qeshë buza, ne jemi të vendosur të ecim drejt Evropës

“Rrugët janë të qytetarëve, askush nuk mund ta mendojë se mund të ndëshkojë qytetarët duke dalë në rrugë dhe të bllokojë ato”
Kryeministri Berisha i ka bërë thirrje dje kreut socialist Edi Rama të mos lëndojë qytetarët dhe të mos bllokojë rrugët. Duke marrë pjesë në një sërë inaugurimesh në bashkinë e Kamzës, Berisha theksoi se rrugët janë të qytetarëve dhe se askush nuk mund ta mendojë se mund të ndëshkojë qytetarët duke dalë në rrugë. Berisha duke iu referuar grevës së urisë të socialistëve theksoi se do të zbatojë çdo të drejtë kushtetuese që shqiptarët të gëzojnë të drejtat e tyre. “Siç e dini, bulevardi kryesor i kombi prej 13 ditësh është i bllokuar nga një grevë urie. Jam këtu për t’u angazhuar edhe një herë, se do të respektoj çdo të drejtë kushtetuese të qytetarëve shqiptarë, se qytetarët e këtij vendi do të kenë të garantuar lirinë e të drejtën e protestës paqësore. Por më duhet t’i them Ramiz Alisë dhe bllokqenëve të tjerë, të mos u qeshë buza, se jeni gabim, jeni gabim rëndë. Prandaj, keni bërë, ç’keni bërë me njëri-tjetrin, keni vrarë dhe eliminuar njëri-tjetrin, ne, demokratët, jemi të përcaktuar të ecim drejt Europës”- u shpreh kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë bëri thirrje të mos bllokohen akset kombëtare, pasi siç theksoi kryeministri, askush nuk mund të ndëshkojë qytetarët. “Zotit Edi Rama i kërkoj këtu, duke i respektuar plotësisht protestën, të mos tentojë të mundojë qytetarët e Shqipërisë, duke u dalë përpara rrugëve. Të puthet tre herë në ditë me Ramiz Alinë, por qytetarët të mos i lëndojë, sepse ky është rregulli. Rrugët janë të publikut, janë të qytetarëve, janë të atyre që transportojnë, janë të të sëmurëve dhe të të shëndoshëve, të halleve dhe problemeve, të urgjencave dhe askush nuk mund të mendojë se do të mund të ndëshkojë qytetarët shqiptarë, duke u dalë përpara në rrugë”, nënvizoi kreu i qeverisë Berisha.
...