BE përforcon qëndrimin kundër protestave dhe grevës së urisë

PD: Rama shpërfill vullnetin e sovranit, kërkon të marrë pushtetin me dhunë
Lohan: Dialog konstruktiv në Kuvend, i vetmi kusht për të mbrojtur integrimin. Zyrtarët e lartë të Brukselit Garrido dhe Fule, shprehën një ditë më parë shqetësimin e tyre për kursin e ndjekur nga opozita, ndërsa konsideruan si të domosdoshme dialogun konstruktiv. Pavarësisht zërave të ashpër të kancelarive perëndimore, Edvin Rama ende nuk është tërhequr nga çmenduria e burgimit të socialistëve
Krahas deklaratës zyrtare dhënë dje nga Brukselit pas takimit të Këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, u shpreh për një dialog konstruktiv mes palëve në sallën e Kuvendit. Ai e konsideroi këtë si të vetmin kusht të ndërkombëtarëve, për të përforcuar rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Duhen zgjidhur konfliket e brendshme në Shqipëri. Këshilli i Stabilizimi Asociimit theksoi vendosjen e një dialogu konstruktiv mes aktorëve politikë në Shqipëri. BE ka plot shembuj që tregojnë se si ka ndihmuar dialogu në tejkalimin e krizave. Ne mendojmë se zgjidhja duhet të vijë nga parlamenti dhe kjo duhet të arrihet pikërisht aty, në vendin e debatit”, u shpreh Lohan. Këto deklarata Lohan i bëri gjatë pritjes me rastin e Ditës së Europës ku të pranishëm ishin kryeministri i vendit Sali Berisha, kryertarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kreu i shtetit, Bamir Topi. Ambasadori Lohan vlerësoi më tej se Shqipëria ka të nevojshme vazhdimin e kursit reformat, ku edhe kjo kërkon një konsensus të gjërë pozita-opozitë.
PD: Rama shpërfill vullnetin e sovranit, kërkon të marrë pushtetin me dhunë Partia Demokratike ka reaguar sot përmes deputetëve të saj, duke dënuar qëndrimin e opozitës së Edi Ramës. Ligjvënësja demokrate, Paulina Hoti tha se Edi Rama është i vendosur të paralizojë vendin dhe kjo vihet re edhe nga bllokimi i akseve kombëtare në mbarë vendin. “Dje, Edvin Kristaq Rama kërcënoi me dhunë duke penguar për pak minuta qarkullimin e makinave dhe lëvizjen e qytetarëve. Dhe kjo si ndëshkim për shpërfilljen që shqiptarët i kanë bërë çadrave të tij. Edvin Kristaq Rama, dje, kërkoi të bllokonte rrugët, siç kërkon të bllokojë lëvizjen e lirë të shqiptarëve në Evropë. U bëj thirrje kolegeve që prej 12 ditësh flejnë në rrugë, të gjejnë kurajon të shërojnë vetveten. U bëj thirrje, kolegeve, të rigjejnë dinjitetin e nënave. U kërkoj kolegeve femra, që flejnë në rrugë të madhe, të dënojnë dhunën, të distancohen e të zhbllokojnë rrugën e shqiptarëve drejt Evropës. Të nderuara kolege gjeni kurajon, çlirojuni, mos u përdorni më. Kthehuni dhe ju në shtëpi”. Gjithashtu edhe deputeti Sybi Hida dënoi protestën dhe grevën e urisë të socialistëve, duke nënvizuar se bllokmenët e rinj e të vjetër, kanë vetëm një peng, të marrin pushtetin me dhunë, përveçse me votën e lirë të shqiptarëve. “Bllokmenët e rinj e të vjetër: Edvin Kristaq Rama, Gramoz Ruçi, Ilir Xhelil Gjoni, Dash Myslim Peza kërkojnë pushtet me çdo kusht. Kjo pjellë e Bllokut të vjetër kërkon hakmarrje për baballarët. Si 20 vjet më parë këto bllokmenë të rinj janë të izoluar nga bota. Këto pinjollë të neveritshëm janë të përbuzur nga elita e Kombit. Këto “revolucionarë” qesharakë janë braktisur mençurisht nga shqiptarët. Faktori ndërkombëtar dhe trupi diplomatik në Shqipëri i ka cilësuar përpëlitjet e tyre për dhunë si një luftë për pushtet e cila vjen në momentin më të papërshtatshëm, me metoda që çdo ditë bëhen më të dënueshme. Bota po i tregon me gisht. Elita i dënon Shqiptarët i kanë lënë vetëm”.
...