Kryeministri Berisha:Shqiptarët e pritën Presidentin Bush me ndjenjat më miqësore, si Presidenti i një vendi me të cilin ata janë të lidhur më shumë se me çdo komb tjetër
- Proamerikanizmi i shqiptarëve i ka rrënjët në rolin shpëtimtar të SHBA-ve në moment më kërcënuese për lirinë dhe ekzistencën e kombit, si dhe në përpjekjet e shqiptarëve për të ndërtuar të ardhmen e munguar, të ardhmen e merituar si komb dhe vend i lirisë.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite ne ceremoninë e vendosjes së statujës së ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhorxh W. Bush në sheshin e qytetit të Fushë Krujës. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Tiranë, drejtues të pushtetit vendorë, deputetë të zonës, autorët e kësaj skulpture, etj.
Kryeministri e vlerësoi këtë ceremoni si një nderim i merituar i njërës prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë kombëtare, vizitës së Presidentit të 43-të të SHBA-ve dhe vizitës së parë në historinë e këtij vendi të Presidentit të vendit të madh të lirisë, Xhorxh W. Bush, katër vjet më parë në 10 qershor 2007.
Kryeministri Berisha tha se Fushë Kruja shënoi kulmin e një turneu evropian të Presidentit Bush, ku ai u prit me ndjenjat më miqësore. Ai nënvizoi se 21 të shtënat përshëndetëse për nder të tij, Urdhri më i lartë i vendit, akorduar në nderim të tij, dreka zyrtare dhe rruga e kryeqytetit, u tejkaluan nga ndjenjat miqësore, mesazhi, dashuria dhe respekti i qytetarëve të Fushë Krujës për kombin e madh amerikan. “Ju përfaqësuat me dinjitetin më të madh çdo shqiptar në të katër anët e Shqipërisë, por edhe çdo shqiptar kudo në botë”, vijoi Kryeministri.
Shqiptarët, theksoi Kryeministri, duhet të jenë krenarë për proamerikanizmin e tyre, pasi ai i ka rrënjët në historinë e lirisë së tyre, në rolin shpëtimtar të SHBA-ve në moment më kërcënuese për lirinë dhe ekzistencën e kombit, si dhe në përpjekjet e shqiptarëve për të ndërtuar të ardhmen e munguar, për të ndërtuar të ardhmen e merituar si komb dhe vend i lirisë. Mesazhet historike të shprehura nga Presidenti Bush në këtë vizitë në Shqipëri; ”Shqipëria në NATO” dhe “Kosova e pavarur”, u bënë shumë shpejt realitet, tha Kryeministri.
Kryeministri shprehu nderimin dhe mirënjohjen më të madhe për Presidentin Xhorxh W.Bush, për qeverinë e SHBA-ve, për Presidentin Obama, për të gjithë mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme, si dhe shprehu garancinë e plotë se shqiptarët, me ato ndjenja dashurie e respekti që dëshmuan në këtë vizitë, do të bëjnë gjithçka për të konsoliduar në Shqipëri lirinë, shtetin e të drejtës, ekonominë e tregut dhe për të përmbushur detyrimet si vend anëtarë i Aleancës së Veriut.
Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri u shpreh:
Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht në këtë ceremoni, në nderimin e njërës prej ngjarjeve më të mëdha, më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare, vizitës së Presidentit të 43-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vizitës së parë në historinë e këtij vendi të Presidentit të vendit të madh të lirisë, Xhorxh W. Bush.
Të dashur qytetarë,
Fushë Kruja shënoi kulmin e një turneu evropian të Presidentit Bush. Në 10 qershor 2007 Presidenti erdhi në Shqipëri pas një vizite që ai kishte bërë te aleatët tradicionalë dhe të vjetër të SHBA-së. Por turneu i tij kulmoi me vizitën në Shqipëri. Në këtë vend ai u prit me ndjenjat më miqësore.
Por dua të theksoj këtu se 21 të shtënat përshëndetëse për nder të tij, Urdhri më i lartë i vendit, akorduar në nderim të tij, dreka zyrtare dhe rruga e kryeqytetit, pra të gjitha këto së bashku u tejkaluan nga ndjenjat tuaja miqësore, mesazhi juaj, dashuria juaj, respekti juaj për SHBA-të, për kombin e madh Amerikan që shpërtheu më fuqishëm se kurrë. Ju përfaqësuat me dinjitetin më të madh çdo shqiptar në të katër anët e Shqipërisë, por edhe çdo shqiptar kudo në botë. Presidenti Bush erdhi në këtë vend në një ditë të madhe të historisë sonë kombëtare, erdhi në ditën e unitetit tonë kombëtar, ditën e Lidhjes së Prizrenit. Presidenti solli për kombi shqiptar dy mesazhe historike. ”Shqipëria në NATO” ishte deklarata e tij në Tiranë. Por ai e zgjodhi Tiranën për të shpallur pavarësinë e Kosovës. Kosova e pavarur ishte zotimi i tij para shqiptarëve, zotim të cilin administrata e tij, ai personalisht, me përpjekje të mëdha me vendosmëri të jashtëzakonshme do ta shndërronte pak muaj më vonë në realitet.
Shqiptarët, qytetarët e Fushë Krujës, e pritën Presidentin Xhorxh W. Bush me ndjenjat më miqësore, e pritën siç meritonte Presidenti i një vendi me të cilin shqiptarët janë të lidhur më shumë se me çdo vend dhe komb tjetër të planetit. Shqipëria dhe shqiptarët u detyrojnë SHBA-ve gjatë 100 viteve të fundit mbështetjen shpëtimtare. Pas shpalljes së pavarësisë, fuqitë grabitqare evropiane po bënin çdo gjë për të shuar nga harta e Evropës vendin e kombin ndër më të vjetrit siç ishin shqiptarët. Ishte presidenti Ëillson që do të hidhte mënjanë atë Traktat kobzi që kërkonte të na tjetërsonte ne edhe ato dy pëllëmbë tokë që na kishin mbetur. Më vonë, qeveria e SHBA-ve dha një ndihmë të jashtëzakonshme në konsolidimin e Shqipërisë së pavarur dhe shtetit shqiptar. Gjatë luftës, shqiptarët luftuan në një aleancë me koalicionin antifashist, por regjimi që do të vendosej pas luftës ishte i papajtueshëm me vlerat e lirisë dhe demokracisë që kombi amerikan, qeveria amerikane, ndan dhe zhvillon me kombet e lira në mbarë botën. Ndaj dhe Presidenti Thruman do të bënte përpjekje të mëdha, në mënyrë që shqiptarët të çliroheshin nga diktatura e egër që ishte vendosur mbi ta pas luftës. Pas rënies së perdes së hekurt, qeveria e SHBA do të ishte qeveria e parë që bënte përpjekje të mëdha për të ndihmuar shqiptarët të ndërtonin sistemin e tyre demokratik, të bazuar në vlerat e tregut. Presidenti Xhorxh Bush do të përcaktonte linjën e kuqe për kasapin e Ballkanit në Kosovë, Presidenti Bill Klinton do të udhëhiqte Aleancën e Atlantikut të Veriut në betejën çlirimtare për popullin e Kosovës. Presidenti Xhorxh W. Bush do të sillte këtu mesazhin e historisë “”Shqipëri në NATO, ”Kosova e Pavarur”. Presidenti Barak Obama do të udhëhiqte samitin në të cilin Shqipëria u bë anëtare e plotë e Aleancës së Veriut.
Zonja e zotërinj,
Proamerikanizmi i shqiptarëve është një proamerikanizëm me të cilin ata duhet të jenë krenar sot e në të gjitha brezat. Proamerikanizmi i shqiptarëve i ka rrënjët, themelet, në historinë e lirisë së tyre, në rolin shpëtimtar të SHBA-ve në moment më kërcënuese për lirinë dhe ekzistencën e kombit. Proamerikanizmi i shqiptarëve I ka rrënjët në përpjekjet e shqiptarëve për të ndërtuar të ardhmen e munguar, për të ndërtuar të ardhmen e merituar si komb dhe vend i lirisë.
Edhe njëherë le të shprehim nderimin më të madh për Presidentin Xhorxh W.Bush , për qeverinë e SHBA, për Presidentin Obama, mirënjohjen më të thellë për të gjithë mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme dhe garancinë e plotë se ne, me ato ndjenja dashurie e respekti që dëshmuam në këtë shesh e kudo, do të bëjmë gjithçka për të konsoliduar në Shqipëri lirinë, shtetin e të drejtës, ekonominë e tregut. Do të bëjmë çdo gjë të përmbushim detyrimet tona si vend anëtarë i Aleancës së Veriut, do të bëjmë gjithçka që të zgjerojmë çdo ditë e më shumë liritë e qytetarëve shqiptarë.
Faleminderit!”
06/07/2011