Kryeministri Berluskoni: Shqipëria është shndërruar në një partner të besueshëm
- Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha me Kryeministrin italian Silvio Berluskoni
Kryeministri Sali Berisha mirëpriti Kryeministrin e Italisë Silvio Berluskoni, i cili zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Shqipëri. Pas bisedimeve zyrtare ndërmjet dy delegacioneve dhe ceremonisë së nënshkrimit të disa marrëveshjeve dhe akteve të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, dy kryeministrat dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Kryeministri Berisha: Kjo është një ditë e madhe për mua, për vendin tim dhe për të gjithë shqiptarët, sepse kemi sot, këtu, mes nesh, mikun e madh të shqiptarëve, mikun e çmuar që gjithmonë e ka dashur dhe e ndihmuar shumë vendin dhe kombin tim, zotin Silvio Berluskoni. Shqiptarët gjithmonë kanë parë tek Kryeministri Berluskoni një mik të madh e të çmuar dhe do ta kenë gjithnjë atë. E kam takuar shpesh herë mikun tim të madh Silvio Berluskoni në kohë të vështira dhe në të gjitha kohërat. Por sigurisht takimi i sotëm më jep një kënaqësi të madhe, sepse para syve tuaj, të shqiptarëve dhe italianëve, firmosëm marrëveshje që kapin shumën e 2 miliard eurove, por, siç i thashë mikut tim Berluskoni, marrëveshje të tjera me një shumë prej 3 miliard euro do të firmosen së shpejti me firma të tjera italiane, që sigurisht do t’i hapin rrugëve investimeve të reja.
Tre vjet më parë, zhvillova në Itali një takim me sipërmarrës italianë, i organizuar nga Instituti i Tregtisë së Jashtme. U prezantova para tyre me një ndjenjë të thellë hidhërimi në zemër, sepse e dija që me mijëra prej tyre ishin larguar nga vendi im dhe kur një investitor lë investimet e tij dhe largohet nga vendi, kjo është e dëmshme për të gjithë vendit. U zotova para tyre se do të bëja gjithçka për ta bërë vendin tim sa më tërheqës e miqësor për investitorët, në mënyrë që projektet e tyre të ishin një histori suksesi në Shqipëri. Dhe kjo ditë erdhi. Në këto tre vjet, ne kemi bërë shumë, në bashkëpunim me qeverinë dhe ambasadën italiane, me Institutin e Tregtisë së Jashtme dhe jam shumë i kënaqur që ne, si miq të vjetër që jemi, asistojmë sot në këtë ditë. Kryeministrit italian, pasi i shpreha mirënjohjen time për të gjithë ndihmën e madhe dhe solidaritetin e lartë që Italia i ka dëshmuar vendit tim gjatë këtyre 20 viteve të fundit, i kërkova të inkurajojmë në mënyrë institucionale investitorët italianë për të investuar në Shqipëri, pasi kjo është e rëndësishme. Dua t’i siguroj ata se do të kenë të gjithë lehtësirat dhe tek qeveria shqiptare do të gjejnë një mik në përpjekjet e tyre këtu. Ne kemi ndërmarrë reforma të thella dhe Shqipëria është vendi me taksat më të ulëta në Europë, kemi reduktuar burokracinë për hapjen e një biznesi në Shqipëri dhe tani biznesi mund të regjistrohet në gjysmë ore në një sportel të vetëm, kemi hequr 2/3 e licencave dhe lejeve, po krijojmë ‘one stop shop’ për lejet dhe licencat e mbetura.
Me Kryeministrin Berluskoni diskutuam për bashkëpunimin në të gjitha fushat, së pari, në atë energjetike. Në vizionin tim, Shqipëria duhet të shndërrohet në një superfuqi e vogël energjetike në Ballkan. Ne kemi mbi 20 miliard kilovat/orë energji për t’u shfrytëzuar, kemi një potencial të jashtëzakonshëm eolik, pra, të energjisë me erë, kemi licencuar prodhimin e më shumë se 1 mijë megavat të energjisë eolike, por ekzistojnë kapacitete për prodhimin e 4 mijë megavat të tjerë në këtë sektor. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë me prodhimin e energjisë bërthamore dhe tek Italia, unë shikoj partnerin e parë për të bashkëpunuar në këtë sektor.
Së bashku, diskutuam për një bashkëpunim të ngushtë edhe në fushën e turizmit, të punojmë në mënyrë që investitorët italianë të vijnë të investojnë në këtë sektor të rëndësishëm për ekonominë shqiptare.
Ne po krijojmë parqet e para industriale, disa ndër të cilët do të administrohen nga italianët.
Me gjithë progresin që kemi bërë, siç i thashë mikut tim Berluskoni, ne kemi nevojë për bashkëpunimin italian, që ka qenë shumë i çmuar në qindra e qindra projekte të shtrira në të gjithë vendin. Për ne, është shumë i rëndësishëm riorientimi i këtij bashkëpunimi. Së pari, në mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla e të mesme në Shqipëri dhe së dyti, agrikultura shqiptare ka nevojë për një mbështetje të fuqishme nga Italia. Në Shqipëri, më shumë se 40 për qind e popullsisë jeton në zonat rurale. Qeveria ime do të fillojë një projekt për shtimin e plantacioneve të ullirit, i cili synon mbjelljen e 20 milion fidanëve në një periudhë 4-5 vjeçare. Gjeta mirëkuptimin dhe mbështetjen e plotë nga miku im. Të dy e duam përjetësinë dhe ulliri është simbol i paqes dhe përjetësisë.
Unë kërkova gjithashtu, ndihmën e qeverisë italiane për mbështetjen e nismës së qeverisë shqiptare për arritjen në moshën e internetit. Kombi im është kombi me moshën më të re në Europë. Ne po shtrijmë internetin në të gjitha shkollat, por ky është vetëm hapi i parë. Unë mora premtimin për mbështetje në këtë drejtim. Ne ramë dakord të bashkëpunojmë fuqishëm edhe në sektorin e arsimit, kulturës dhe të shëndetësisë.
Lufta e përbashkët kundër kriminalitetit mbetet një detyrë për të gjithë qeverive tona. Ne ramë dakord për të vazhduar bashkëpunimin e shkëlqyer që ne kemi në këtë fushë. I premtova Kryeministrit se që javën e ardhshëm mund të fillojmë procedurat për transferimin në Shqipëri të të burgosurve shqiptarë që aktualisht vuajnë dënimin në burgjet italiane. Unë shpreha gatishmërinë e qeverisë sime për të firmosur të gjitha marrëveshjet e nevojshme për të forcuar bashkëpunimin në luftën kundër kriminalitetit të organizuar. Pra, ne ramë dakord për bashkëpunim në të gjitha fushat.
Edhe një herë, zoti Kryeministër, shumë faleminderit që keni ardhur sot, këtu. Jam i sigurt se kjo vizitë do të japë një kontribut historik në marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Edhe një herë, ju faleminderit.
Kryeministri Berluskoni: Faleminderit shumë miku im Sali, Kryeministër i Shqipërisë, për mikpritjen shumë të ngrohtë që më rezervuat sot. Ju falënderoj edhe për atë ilustrim shumë të mirë që i bëtë bashkëpunimit mes dy vendeve tona, një bashkëpunim që ka ekzistuar në të kaluarën, por që shpresoj që do të intensifikohet akoma më shumë në të ardhmen.
Jam i nderuar të theksoj se Italia është një mike shumë e ngushtë e Shqipërisë në këta dhjetëvjeçarë të mundimshëm, që kanë karakterizuar jetën shqiptare. Të gjithë e dimë që Shqipëria vjen nga një diktaturë shumë e egër dhe nga një ideologji shumë e tmerrshme dhe pas asaj periudhe shumë të vështirë për shqiptarët, u gjet një zgjidhje nëpërmjet bashkëpunimit shumë të ngushtë mes forcave të policisë mes dy vendeve tona dhe nuk ka pasur më probleme. Unë shpresoj që edhe në vazhdim të nisim një bashkëpunim shumë të ngushtë mes dy vendeve tona, një bashkëpunim që do të mbështetet fuqimisht nga Italia, e cila ka qenë gjithmonë një përkrahëse e fuqishme e Shqipërisë në këto vite dhe do të vazhdojë të jetë e tillë.
Raportet mes dy vendeve tona janë raporte që të gjithë i njohin tashmë. Kjo ngushtësi marrëdhëniesh midis dy vendeve dëshmohet edhe nga prania në Itali e më shumë se gjysmë milioni shqiptarësh që jetojnë aty. Janë rreth 85 mijë nxënës shqiptarë të regjistruar në shkollat italiane dhe krahas tyre, janë edhe rreth 18 mijë studentë shqiptarë që frekuentojnë universitetet italiane. Këto marrëdhënie lehtësohen shumë edhe nga njohja e gjuhës italiane këtu në Shqipëri. Më informojnë se rreth 80 për qind e popullsisë shqiptare flet dhe kupton italishten dhe unë përfitoj nga rasti për të falënderuar Kryeministrin Berisha, i cili zgjodhi të përdorë gjuhën e vendit tim, italishten, si gjatë takimit, ashtu edhe në këtë konferencë për shtyp. Faleminderit.
Ashtu siç e theksoi dhe miku im Sali, ne jemi miq prej shumë kohësh dhe bëjmë pjesë të dy në komunitetin e demokracisë dhe lirive europiane, pra, të partive Demokratike Europiane, ku bashkëpunojmë prej shumë kohësh. Pra, bashkëpunimi ynë vjen prej një kohe shumë të hershme dhe bazohet mbi identitetin e vlerave dhe parimeve dhe karakterizohet nga kontakte të shumta pune midis bashkëpunëtorëve tanë. Firmat italiane që sot firmosën këtu një sërë marrëveshjesh për realizimin e veprave që u bënë të njohura edhe në këtë konferencë, do të kenë gjithmonë mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe do të gjejnë një garanci për thjeshtëzimin e procedurave burokratike. E theksoj se, tek të dy kryeministrat, te unë edhe zoti Berisha, te qeveria shqiptare, autoritetet shqiptare, gjithmonë do të gjejnë një mundësi për lehtësimin e aktivitetit të tyre dhe thjeshtëzimin e burokracive dhe jo të ndodhë ashtu siç ndodh shpesh – dhe për këtë jemi dëshmitarë -, me firma të ndryshme italiane kur ato operojnë jashtë shtetit.
Tashmë kemi një arritje shumë të rëndësishme të Shqipërisë, besoj edhe falë mbështetjes italiane, që është ajo e hyrjes së Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Italia do të ketë krenarinë dhe nderin të jetë avokati i parë i Shqipërisë, në momentin që ajo do të vendosë të paraqesë kërkesën për marrjen e statusit të kandidatit për hyrjen e saj në Bashkimin Europian. Kjo është një politikë që unë personalisht ë ndjek prej kohësh do të vazhdoj ta ndjek, sepse besoj se të gjitha këto konfliktet etnike dhe konfliktet ndërkombëtare që fatkeqësisht ende vazhdojnë këtu në zonën e Ballkanit, do të marrin fund njëherë e përgjithmonë vetëm me hyrjen e plotë të këtyre vendeve ballkanike në familjen e vendeve europiane.
Me zotin Kryeministër, edhe sot, punuam për disa pika specifike të bashkëpunimit. Ai vjen nga fusha e shëndetësisë dhe unë punoj shumë mirë me të, vetëm sepse më duket si një sipërmarrës. Ramë dakord për disa bashkëpunime shumë specifike, lamë takim me Ambasadorin shqiptar në Romë, këtë të premte, për të zgjidhur disa procedura të para, për të cilat ramë dakord dhe për t’i zgjidhur ato me pragmatizmin që ndoshta jo të gjithë politikanët e kanë, por që në këtë rast ne e kemi bërë tonin, qysh këtë të premte.
Do të përfundoj fjalën time,duke i bërë një ftesë publike Kryeministrit Berisha që, pasi të ketë fituar zgjedhjet e ardhshme këtu në Shqipëri, të marrë pjesë në leksionet javore pranë universitetit të Demokracive dhe Lirisë, që do të hapet në marsin e vitit të ardhshëm, në Itali. Shpreh bindjen se do të jetë një kënaqësi e vërtetë të dëgjojmë leksionin e tij, për të kuptuar më mirë se si një popull mund të kalojë nga diktatura e plotë drejt një demokracie të plotë.
Edhe njëherë faleminderit zoti Kryeministër për mikpritjen, faleminderit të gjithëve.
Më poshtë, disa nga pyetjet e bëra gjatë konferencës për shtyp:
Pyetje: Zoti Kryeministër Berluskoni, ju thatë se Italia do të jetë avokat i Shqipërisë, në momentin që Shqipëria do ë paraqesë kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat. Por, lidhur me çështjen e liberalizimit të sistemit të vizave, cili është mendimi juaj, a do të liberalizohen vizat për Shqipërinë në Bashkimin Europian, gjatë vitit 2009?
Kryeministri Berluskoni: Pozicioni im në këtë drejtim është plotësisht pozitiv dhe kjo u shpreh edhe gjatë vizitës së fundit që pati në Shqipëri përfaqësuesi i qeverisë sime, ministri i Jashtëm, Franko Frattini.
Pyetje: Zoti Berisha, Kryeministri Berluskoni ka deklaruar dje në një intervistë për gazetën “Panorama”, se do të kërkojë votën e Shqipërisë për në OKB. A ka qenë kjo pjesë e diskutimeve tuaja dhe a do ta mbështesë qeveria shqiptare kandidaturën, duke qenë se edhe Gjermania ka bërë një kërkesë të tillë?
Kryeministri Berisha: Kjo çështje nuk u diskutua në këtë takim. Është një çështje që ekziston dhe do ta diskutojmë me çiltërsi, të hapur dhe në bashkëpunim të plotë, kur t’i vijë koha.
02/12/2008