E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Forcat e ushtrisë e policisë kanë bërë një punë jashtëzakonisht të çmuar në përballimin e tragjedisë së Gërdecit

Gjatë fjalës në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Berisha vlerësoi punën jashtëzakonisht të çmuar dhe kurajën e forcave të ushtrisë e policisë për përballimin e ngjarjes së Gërdecit.

“Vlerësimi i dëmeve në zonë do të ishte i pamundur pa kontributin thelbësor, pa guximin, trimërinë, kurajën e njësive ushtarake dhe forcave të rendit, të cilat bënë të mundur për faktorin civil që të hynë në fushë dhe të realizojë vlerësimin”, u shpreh Kryeministri.      

Repartet e ushtrisë në këtë zonë, - tha Kryeministri - kanë punuar me të njëjtën shpejtësi, përgjegjësi dhe përkushtim që kanë punuar grupet e vlerësimit, por në kushtet e një rreziku shumë të madh.  Në raportimin e fundit, ata informojnë se nga 1000 ha zonë e banuar, e infektuar, 900 ha janë tërësisht të kontrolluar dhe autorizojnë në të këtë zonë qarkullimin në banesa dhe në rrugët rreth tyre. Ndërkohë, janë 100 hektarë, përfshi edhe vendin ku ndodhi eksplozioni, në kontroll e sipër. Kryeministri Berisha informoi se i është paraqitur Pentagonit një kërkesë për të ndihmuar në trajtimin e kësaj zone, duke shpresuar në një përgjigje pozitive.

“Ushtria, e cila po bën një punë me vetëmohim, ka mbledhur deri tani, në këto 900 hektarë të kontrolluar, 5000 predha të pa rrezikshme, por ka mbledhur gjithashtu edhe 690 predha të një rrezikshmërie shumë të lartë. Ata nuk i eksploduan ato në këto zona, për të mos thelluar traumën, por i kanë sistemuar në arka dhe i kanë larguar tërësisht nga zona e Gërdecit. Këto efektiva kanë bërë një punë jashtëzakonisht të çmuar”, tha Kryeministri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›