Kryeministri Berisha: Të ngrihet një grup pune për verifikimin e çdo ankese të qytetarëve për vlerësimin
Kryeministri Berisha kërkoi sot, gjatë mbledhjes së qeverisë, që Shtabi i Emergjencës Civile të përcaktojë një grup pune për të verifikuar çdo ankesë që mund të kenë qytetarët në lidhje me vlerësimin e dëmit.
“Shtabi i Emergjencës Civile ka bërë një punë jashtëzakonisht intensive. Tashmë, është e domosdoshme që ky shtab të përcaktojë, nëpërmjet kryetarit të bashkisë së Vorës, grupin e punës për çdo ankesë që qytetarët kanë për vlerësimin e dëmit”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri theksoi se nga komunikimi që ka pasur me banorë të kësaj zone, ata janë shprehur të bindur se është kryer një vlerësim objektiv.
“Fatmirësisht, i tërë informacioni është i përpunuar në variantin elektronik, por edhe shkresor. Për këdo që do të ketë pretendimin edhe më të vogël, ekipi do të shkojë me të dhe krahas paraqitjes së dokumentit, do të riverifikojë me përgjegjësi të plotë terrenin”, theksoi Kryeministri.