E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Fatos Nano është pritur sot paradite në selinë kryeministrore në Athinë nga Kryeministri Kostas Karamanlis. Në takim ishte i pranishëm edhe ministri i Jashtëm grek Petros Molivia

Kryeministri Fatos Nano është pritur sot paradite në selinë kryeministrore në Athinë nga Kryeministri Kostas Karamanlis. Në takim ishte i pranishëm edhe ministri i Jashtëm grek Petros Moliviatis.

Të dy autoritetet e larta e vlerësuan takimin të rëndësishëm në kuadër të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë në të gjitha fushat. Ata ndanë të njëjtin mendim se marrëdhëniet shumë të mira me Greqinë janë futur në një rrugë progresi të vazhdueshëm, veçanërisht edhe me intensifikimin së fundi të kontakteve të nivelit të lartë. Në këtë funksion, dy qeveritë rikonfirmojnë vullnetin e plotë për dinamizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në të ardhmen në të gjitha drejtimet.

Dy kryeministrat diskutuan për nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit shumëplanësh në të ardhmen, zhvillimin dhe realizimin e projekteve ekonomike, kulturore, të inisiativave ligjore që mbështesin lëvizjen e qytetarëve respektivë dhe situatën në rajon.

Kryeministri Karamanlis ndërkohë ritheksoi mbështetjen e plotë të Greqisë në drejtim të objektivit kryesor të qeverisë shqiptare, integrimit në Bashkimin Europian.

Z.Nano e njohu z.Karamanlis me përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke theksuar se "vullneti ynë është i qartë dhe ne po punojmë për zhvillimin e zgjedhjeve sipas standarteve ndërkombëtare".

Z.Karamanlis informoi kryeministrin Nano se së fundi qeveria greke ka mbyllur fazën e fillimit të financimit të projekteve në kuadër të planit grek për rindërtimin e Ballkanit. Në kuadër të këtij plani, u ra dakort për financimin e 4 projekteve në sektorin energjitik dhe në infrastrukturën rrugore në Shqipëri.

Duke u ndalur në marrëdhëniet ekonomike dypalëshe, bashkëbiseduesit u shprehën për intensifikimin e tyre dhe ngritjen në një nivel më të lartë të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar mes dy vendeve tona. Në këtë funksion, ata vlerësuan përgatitjet për mbajtjen e Sesionit të 9-të të Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunimin Ekonomiko-Tregtar në muajin mars në Janinë, si dhe shprehën interesin për zhvillimin e takimeve të ministrave përkatës për bashkërendimin e planit të veprimeve për kalimin nga projektet e ndihmës në ato të kooperimit dhe të zhvillimit të qëndrueshëm, projektet e lëvrimit të kredisë për strehimin, vazhdimin e financimit të disa objekteve shëndetësore në disa qytete të vendit.

Më tej, dy Kryeministrat ndanë të njëjtin mendim për vazhdimin e hapave për krijimin e lehtësirave për legalizimin e emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe integrimin e tyre atje, duke theksuar se është i mirëpritur çdo hap i mëtejshëm në këtë drejtim. Ata ndanë të njëjtin vlerësim se emigrantët shqiptarë në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri përbëjnë ura të forta për forcimin e bashkëpunimit dhe miqësisë midis dy vendeve. Ndërkohë Kryeministri Karamanlis vlerësoi se Shqipëria ka bërë shumë progres për minoritetet.

Dy autoritetet shkëmbyen mendime edhe në lidhje me zhvillimet në rajon, ku Kryeministri grek e njohu Kryeministrin Nano me vizitën e tij në disa vende të rajonit. Z.Karamalis tha se roli i Shqipërisë në rajon është i vlerësuar në funksion të nxitjes së inisiativave që forcojnë paqen, stabilitetin dhe perspektivën europiane të tij. Duke u ndalur në mënyrë të veçantë në zhvillimet në Kosovë, Z.Nano tha se ajo ka bërë progres në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe bashkëjetese multietnike. E ardhmja e Kosovës, tha ai, është integrimi në Bashkimin Europian dhe se e kaluara nuk mund të kthehet më. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin qëndrim për formulën europiane të Kosovës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›