-Shqipëria nga konsumatore e sigurisë është bërë garant i sigurisë në rajon- Zëvendëskryeministri Namik Dokle priti sot në një takim të veçantë ministrin e Mbrojtjes së Belgjikës A
-Shqipëria nga konsumatore e sigurisë është bërë garant i sigurisë në rajon-
Zëvendëskryeministri Namik Dokle priti sot në një takim të veçantë ministrin e Mbrojtjes së Belgjikës Andre Flahaut dhe delegacionin që e shoqëronte atë.
Në takim u theksuan marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve duke vënë në dukje se kohët e fundit është intensifikuar dialogu politik dhe se ka ardhur koha për një intensifikim e thellim të mëtejshm të këtyre marrëdhënieve në të ardhmen.
Zëvendëskryeministri Namik Dokle, u shpreh se kjo vizitë do të hapë një faqe të re në fushën e marrëdhënieve dypalëshe e sidomos në fushën e mbrojtjes midis dy vendeve tona, duke theksuar se Qeveria Shqiptare ka si prioritet parësor vendosjen e marrëdhënieve me të gjitha vendet e Aleancës Euroatlantike. Zoti Dokle, në emër të Qeverisë Shqiptare, falenderoi Qeverinë Belge për kontributin që ka dhënë për Shqipërinë sidomos në mbështetje të projektve për grumbullimin dhe shkatërrimin e arëmve në duart e popullsisë.
Në vijim, Zëvendëskryeministri Dokle, e njohu ministrin e Mbrojtjes së Belgjikës me angazhimin e Qeverisë Shqiptare për zhvillimin e reformave progresive komplekse që synojnë arritjen e standarteve për integrimin në BE dhe në NATO, të cilat përbëjnë edhe objektivin strategjik të Shqipërisë dhe, nënvizoi se Qeveria Shqiptare do t'i jetë mirënjohëse Qeverisë së Belgjikës për mbështetjen politike dhe ushtarake në këtë proces, duke theksuar rolin e Belgjikës si qendër e BE dhe NATO-s.
Duke u ndalur në reformën në ushtri Zoti Dokle, u shpreh se ne po zhvillojmë një reformë komplekse që synon transformimin e Forcave të Armatosuara në një forcë me theks profesionist, më cilësore për integrimin në NATO si dhe në zhvillimin e kapaciteteve operacionale ushtarake në ndihmë të popullatës në vend me misionin humanitar në kohë paqeje, si dhe për të kontribuar në misionet ndërkombëtare. Shqipëria, theksoi Dokle, ka dhënë e po jep kontribut për paqen dhe stabilitetin. Ai u ndal në kontributin që po jep vendi ynë në misionet ndërkombëtare në Afganistan, në Bosnjë – Hercegovinë, si dhe në në Irak në kuadër të "Koalicionit të Vullnetit" në luftën kundër terrorizmit botëror.
Zoti Dokle duke u ndalur në situatën në rajon u shpreh se në këtë drejtim ka një progres të padiskutueshëm në përmirësimin e sigurisë rajonale. Shqipëria, tha ai, nga konsumatore e sigurisë është bërë garant i sigurisë në rajon. Në këtë kuadër zoti Dokle theksoi se Qeveria Shqiptare, zgjidhjen e problemeve që ka në rajon, i shikon vetëm përmes dialogut politik. Ne do të vazhdojmë të jemi aktivë në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal nëpërmjet zbatimit të masave të bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë dhe të rritjes së masave mirëbesimit reciprok, shtoi Dokle. Në këtë kuadër bashkëbiseduesit diskutuan edhe për situatën në Kosovë e Maqedoni.
Duke iu përgjigjur interesit të delegacionit për përgatitjet për zgjedhjet e ardhëshme parlamentare në vendin tonë, Zëvendëskryeministri shprehu edhe një herë angazhimin e Qeverisë Shqiptare për zgjedhje të standareteve evropiane, të lira, të drejta, të barabarta, demokratike dhe të pranueshme nga të gjitha palët. Standarti i zgjedhjeve është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë drejt integrimit në strukturat Euroatlantike, tha Ai. Gjithashtu Zëvendëskryeministri shprehu angazhimin e Qeverisë Shqiptare për një luftë të papajtueshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ministri i Mbrojtjes së Belgjikës Andre Flahaut, përgëzoi qeverinë Shqiptare për përpjekejet që ajo po bën në arritjen e standaretev përmes zbatimit të reformave për të arritur objektivin strategjik të saj: anëtarësimin në BE dhe NATO. Ai u shpreh optimist edhe për reformat e ndërmara në ushtri dhe kontributin e Shqipërisë në misionet paqeruajtëse. Z.Andre Flahaut garantoi mbështetjen e Qeverisë Belge për Qeverinë Shqiptare në proceset e integrimit të Shqipërisë në strukturat Euroatlantike. Gjithashtu Ai u shpreh për intensifikim të bashkëpunimit reciprok jo vetëm në marrëdhëniet ushtarake, ku tregoi gatishmëri për institucionalizimin e tyre, por edhe në ekonomi, biznes e turizëm.