E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Shtetit për Koordinim, Zoti Marko Bello, zhvilloi sot paradite një një takim pune me delegacionin e Reporterëve të Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit

Ministri i Shtetit për Koordinim, Zoti Marko Bello, zhvilloi sot paradite një një takim pune me delegacionin e Reporterëve të Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për Shqipërinë, të kryesuar nga z.Jerzy Smorawinski.

Ministri Bello e falenderoi z.Smorawinski për kontributin dhe mbështetjen që Asambleja Paralementare e Këshillit të Europës i ka dhënë Shqipërisë në përpjekjet e saj për realizimin e reformave në kuadër të integrimit dhe në veçanti për luftën korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme. Ai shprehu kënaqësinë për mbështetjen e gjithanshme të ofruar nëpërmjet strukturave të specializuara të Këshillit të Europës, të cilat janë tërësisht të angazhuara për të ndihmuar konkretisht Qeverinë Shqiptare për të përmbushur të gjitha detyrimet dhe angazhimet e saj para partnerëve ndërkombëtarë.

Në këtë kuadër, Ministri Bello njohu Delegacionin e Monitoruesve të KE-së me ecurinë e reformave në administratën publike dhe vecanërisht me iniciativat, strategjitë dhe planet kombëtare të veprimit në luftë kundër korrupsionit dhe trafikut të qënieve njerëzore, të cilat janë në zbatim nga Qeveria Shqiptare në bashkëpunim më të gjithë aktorët e angazhuar në këtë proces.

Ministri Bello informoi delegacionin e Monitoruesve të KE-së në lidhje me disa iniciativa të rëndësishme ligjore të ndërmarra nga Qeveria dhe me ngritjen e strukturave që garantojnë zbatimin e tyre, duke përmendur projektligjin e miratuar së fundi nga Qeveria "Për Konfliktin e Interesave", "Paketën Antimafia", paketa ligjore për ndyshimet dhe përmirësimin e Kodin Penal për të gjithë veprat penale korruptive në përputhje me kërkesat e parashikuara në konventën e Këshillit të Europës për korrupsionin, krijimi i Inspeltoriatit të Lartë për Verifikimin dhe Kontrollin e Pasurive, krijimi i Gjykatës dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, krijimi i Task Forcës kundër Krimit të Organizuar, etj.

Zoti Smorawinski shprehu vlerësimin për arritjet e deritanishme të Shqipërisë në luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit, si dhe për ritmin e kënaqshëm të reformave. Ai falenderoi Ministrin Bello për informacionin dhe të dhënat statistikore që iu vunë në dispozicion delegacionit të monitoruesve të KE-së. Zoti Smorawinski konfirmoi mbështetjen e strukturave të KE-së për të ndihmuar Shqipërinë në konsolidimin e arritjeve të deritanishme dhe zbatimin e objektivave prioritare të saj.

Ministri Bello në përfundim siguroi z.Smorawinski se vullneti dhe angazhimi i qeverisë Shqiptare do të vazhdojnë të jenë pjesë e pandarë e bashkëpunimit tonë të ardhshëm, me qëllim që të thellohet progresi drejt integrimit në strukturat Euro-Atlantike.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›