Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot në Athinë një takim të veçantë me Presidentin zgjedhur të Republikës së Greqisë, z. Karolos Papulias. Në fillim të takimit, z.Nano i shprehu z.Papulias
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot në Athinë një takim të veçantë me Presidentin zgjedhur të Republikës së Greqisë, z. Karolos Papulias. Në fillim të takimit, z.Nano i shprehu z.Papulias urimet për zgjedhjen në detyrën e rëndësishme të Presidentit të Republikës.
Në këtë takim, të zhvilluar në një atmosfere shumë miqësore, dy autoritetet e larta diskutuan dhe vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve, duke i konsideruar ato marrëdhënie të një partneriteti strategjik dhe së fundi intensifikimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Z.Nano vlerësoi mbështetjen që Greqia ka dhënë në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në strukturat euroatlantike. Z. Papulias vlerësoi progresin dhe hapat e ndërmarrë nga Shqipëria në fusha të ndryshme të zhvillimit të vendit. Ai u shpreh se edhe në detyrën ku është zgjedhur do të vazhdojë të kontribuojë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe mbështetjen e plotë të proceseve integruese euroatlantike të Shqipërisë.
Gjithashtu Kryeministri Nano dhe Presidenti i zgjedhur Papulias diskutuan rreth hapave të ndërmarra nga shteti grek në drejtim të legalizimit dhe integrimin shoqëror, kulturor e social të emigrantëve shqiptarë në Greqi. Ata ndanë të njëjtin mendim se edhe në të ardhmen ky proces do të vazhdojë në këtë drejtim, duke theksuar se emigrantët shqiptarë në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri janë një urë e çmuar për forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.
Z.Nano shprehu bindjen se, ashtu sikurse edhe në detyrat e kaluara, z.Papulias do të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të shumëanshëm midis dy vendeve tona.