Kryeministri Fatos Nano është takuar edhe me Kryeministrin e Kroacisë Ivo Sanader. Në këtë takim është shprehur vullneti dhe angazhimi i përbashkët për të ngritur në një nivel të ri bas
Kryeministri Fatos Nano është takuar edhe me Kryeministrin e Kroacisë Ivo Sanader. Në këtë takim është shprehur vullneti dhe angazhimi i përbashkët për të ngritur në një nivel të ri bashkëpunimin dypalësh.
Kryeministri Nano ka përshëndetur hapat e hedhur në drejtim të procesit të integrimit nga pala kroate si dhe ka shprehur mendimin se përmes shkëmbimit të përvojës dhe mbështetjes reciproke do të përshpejtohet edhe ritmi i përafrimit drejt strukturave euroatlantike dhe NATO-s, i të gjithë vendeve të rajonit tonë.
Kryeministri Nano, gjithashtu, ka vlerësuar rëndësinë e madhe që ka Samiti i Stambollit, në këtë proces, i cili sipas tij lypset të parashtrojë një road map për vendet tona, duke parë mundësinë e një anëtarësimi të mundshëm në NATO në vitin 2006.
Kryeministri Nano, në këtë takim, ka theksuar rëndësinë që Qeveria e Shqipërisë i kushton lëvizjes së lirë të njerëzve në hapësirën e rajonit tonë, si një hap i rëndësishëm edhe në kuadër të integrimit europian.
Kryeministri Nano e ka njohur homologun e tij kroat me hapat e hedhura nga Qeveria Shqiptare për përgatitjen e paketës Shengen.
Lidhur me bashkëpunimin në fushën e ekonomisë të dy Kryeministrat kanë shprehur angazhimin për thellimin e këtij bashkëpunimi sidomos në sektorin e naftës dhe atë energjetik. Në këtë kuadër Korridori Adriatiko-Jonian është konsideruar si një arterie e rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit.
Gjithashtu, një vend të veçantë në këtë takim ka zënë edhe shprehja e vullnetit politik dhe angazhimit lidhur me intensifikimin e përpjekjeve të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve.
Në këtë takim është diskutuar edhe për situatën në rajon dhe në veçanti në Kosovë.