E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano u takua në Bratislavë, me Kryeministrin e Rumanisë Adrian Nastase. Në fillim të takimit, të dy autoritetet e larta kanë diskutuar mbi ngjarjet e fundit në Kosovë.

Kryeministri Fatos Nano u takua në Bratislavë, me Kryeministrin e Rumanisë Adrian Nastase.

Në fillim të takimit, të dy autoritetet e larta kanë diskutuar mbi ngjarjet e fundit në Kosovë. Kryeministri i Rumanisë Nastase ka shprehur vlerësimin për qëndrimin e Kryeministrit Nano dhe Qeverisë së Shqipërisë për mesazhet, që ata kanë dhënë për qetësimin e situatës dhe ka shprehur konsideratën se rikthimi i normalitetit është i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës.

Më tej bashkëbiseduesit kanë vlerësuar se marrëdhëniet tradicionalisht të mira mes dy vendeve kohët e fundit kanë përjetuar zhvillime të rëndësishme konkrete, të shoqëruara edhe me shkëmbime të nivelit të lartë. Në këtë drejtim, zoti Nano ka theksuar se është me interes shkëmbimi intensiv i përvojës përsa i përket strategjisë dhe logjistikës rumune në negociatat e deritanishme dhe të ardhme me BE-në dhe NATO-n.

"Të dy vendet, -tha zoti Nano,- kanë mundësi të mëdha bashkëpunimi në kuadrin e nismave rajonale, në të cilat janë të anëtarësuara si Pakti i Stabilitetit, SEECP, BEDZ, NEQ etj,". Ai ka përshëndetur marrjen së afërmi të kryesisë së radhës nga ana e Rumanisë së Nismës së Bashkëpunimit Ekonomik të Vendeve të Evropës Juglindore.

Duke u ndalur në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ekonomik në rajon, zoti Nano ka theksuar rëndësinë që do t'i kushtohet hartimit të projekteve ekonomike rajonale, si tregu rajonal energjitik, që luajnë një rol mjaft të rëndësishëm në integrimin, zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, lëvizjes së lirë, paqes dhe stabilitetit në rajon. Po ashtu realizimi i shengenit rajonal, - ka vlerësuar zoti Nano,- vazhdon të mbetet një ndër prioritet e rëndësishme në kuadrin e politikave integruese, ndërkohë që Rumania me realizimin e hyrjes në shengenin europian mund të japë ndihmesën e saj të këtë drejtim.

Gjithashtu, Kryeministri Nano ka zhvilluar edhe takime me zyrtarë të lartë të SHBA-së, të cilët merren me çështje të NATO-s, ku kanë diskutuar për takimin e ardhshëm që do të mbahet së shpejti në Uashington.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›