Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot paradite një takim me Kryeministrin e Sllovakisë z. Mikulash Dzurinda, në Bratislavë, ku po zhvillon punimet Konferenca e Kryeministrave për demokracinë në

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot paradite një takim me Kryeministrin e Sllovakisë z. Mikulash Dzurinda, në Bratislavë, ku po zhvillon punimet Konferenca e Kryeministrave për demokracinë në vendet e Vilniusit dhe Vishegradit.
Kryeministri Nano e ka njohur homologun e tij Sllovak edhe me gjendjen e fundit të krijuar në Kosovë, duke u shprehur se situata po shkon drejt normalitetit.
Më pas të dy Kryeministrat janë ndalur edhe në çështjet e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë. Në këtë kuadër zoti Nano është shprehur se përbën një domosdoshmëri rritja e volumit të shkëmbimeve tregtare, intensifikimi i këtij bashkëpunimi në fushën e industrisë, atë të turizmit, të doganave, ku po bashkëpunohet në nivel ekspertësh për luftën kundër pastrimit të parave. "Mirëpresim pjesëmarrjen e investimeve sllovake në Shqipëri si dhe pjesëmarrjen e kompanive sllovake në projektet e Paktit të Stabilitetit, për të rritur bashkëveprimin në fusha të tilla si energjitika, infrastruktura etj", tha kryeministri Nano.
Sipas Kryeministrit shqiptar, një sfidë e përbashkët mbetet lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, për të cilën është e nevojshme të rrisim kapacitetet tona bashkëpunuese në funksion të përballimit të saj. Gjithashtu Kryeministri Nano u fokusua edhe në rëndësinë e shkëmbimit të përvojës dhe informacionit mes strukturave të mbrojtjes së të dy vendeve tona për anëtarësimin në NATO.
Nga ana e tij Kryeministri i Sllovakisë z. Dzurinda shprehu mbështetjen për qëndrimin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe rolin e saj konstruktiv në Ballkan, si dhe për shkëmbimin e përvojës në çështjet e integrimit. Gjithashtu Kryeministri Sllovak në takimin me Kryeministrin Nano shprehu gadishmërinë për mbështetjen e Shqipërisë për integrimin në NATO në Samitin e ardhshëm të Stambollit.
Kryeministri Dzurinda ka konfirmuar vizitën e tij në shtator në Tiranë pas ftesës së bërë nga Kryeministri Nano gjë që konfirmon edhe njëherë marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes të dy vendeve.