E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano është takuar sot me Kryeministrin e Kosovës Bajram Rexhepi. Kryeministri Nano ka vlerësuar, në fillim të takimit, zhvillimet inkurajuese për arritjen e standarteve dh

Kryeministri Fatos Nano është takuar sot me Kryeministrin e Kosovës Bajram Rexhepi.

Kryeministri Nano ka vlerësuar, në fillim të takimit, zhvillimet inkurajuese për arritjen e standarteve dhe demokratizimin e Kosovës. Në këtë drejtim, Z.Nano ka vlerësuar edhe rolin e Z.Rexhepi dhe qeverisë që ai drejton, për masat që janë ndërmarrë dhe nivelin e bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtar në këtë proces.

Kryeministri shqiptar ka rikonfirmuar mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë që ai drejton, për institucionet demokratike në Kosovë, në funksion të përmbushjes së standarteve dhe implementimin e tyre, si mënyra më e mirë për ta përgatitur Kosovën për të shkuar sa më parë drejt statusit final të saj.

Z.Nano ka vlerësuar iniciativat për avancimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, duke çmuar në këtë drejtim qëndrimin e spektrit politik kosovar në tërësi dhe rolin e Qeverisë së Kosovës dhe të Kryeministrit Rexhepi në veçanti. "Roli i Qeverisë Shqiptare do të vazhdojë të mbetet mbështetës dhe inkurajues ndaj këtij procesi edhe përmes ndikimit mbi faktorët ndërkombëtarë për vazhdimin e mëtejshëm të dialogut në nivelet e grupeve teknike të punës, për zgjidhjen e çështjeve praktike", u shpreh Z.Nano.

Më tej, bashkëbiseduesit kanë vlerësuar nivelin aktual të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës, por kanë theksuar se ekzistojnë ende hapësira të pashfrytëzuara, që mundësojnë një bashkëpunim më intensiv në të gjitha nivelet. "Eshte i nevojshem shkëmbimi i informacionit dhe eksperiencës për të nxitur proceset integruese në të dy vendet por edhe në krejt rajonin" tha z.Nano, duke shtuar se intensifikimi i kontakteve edhe në nivel ekspertësh do të influencojë pozitivisht në këtë drejtim.

Duke u ndalur në nivelin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ekonomik mes të dy vendeve, Z.Nano ka nënvizuar në këtë drejtim si shumë të rëndësishëm nënshkrimin gjatë vitit 2003 të Marrëveshjes së Tregëtisë së Lirë dhe asaj për Mbrojtjen e Nxitjen e Investimeve, hapjen dhe pasurimin me shërbimin doganor të pikave kufitare, që lehtësojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe kapitaleve, zhvillimin e një Tregu Rajonal Energjitik. Ai ka shprehur vullnetin dhe gadishmërinë e Qeverisë Shqiptare për intensifikimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve dhe mbështetjen për avancimin e procesit të privatizimit në Kosovë.

Po ashtu, ristrukturimi i sistemit të drejtësisë, depolitizimi i plotë i tij dhe trajnimi i kuadrove të rinj në këtë fushë dhe në fusha të tjera të administratës u vlerësua si një hap i rëndësishëm në kuadër të përmbushjes së standarteve.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi dypalësh, personalitetet e larta u angazhuan të bashkërendojnë përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar, sigurimit të kufijve, trafiqeve të paligjshme, evazionit fiskal etj.

Kryeministri Nano shprehu mbështetjen edhe për përpjekjet e bëra për decentralizimin e pushtetit vendor në Kosovë, duke theksuar se zbatimi i këtij plani duhet të konkretizohet në kohën e duhur dhe t'i përmbahet vizionit për një Kosovë unike dhe shumëetnike, si dhe të mos lejojë dezintegrimin dhe enklavizimin e komuniteteve etnike.

Një tjetër çështje e diskutuar në këtë takim ka qenë edhe ajo e bashkëpunimit shumëpalësh ku janë përmendur aktivizimi në kuadrin e SEECP-së, Paktit të Stabilitetit, Nismës Adriatiko-Joniane, si dhe rëndësia e veçantë e avancimit të projekteve me karakter rajonal si Korridori i 8, naftësjellësi AMBO etj.

"Përfshirja e Kosovës në iniciativat e ndryshme rajonale do të ndikonte jo vetëm në krijimin e raporteve më të mira në aspektin politik dhe ekonomik me vendet e rajonit, por edhe në zhvillimin dhe konsolidimin e ekonomisë, infrastrukturës, sigurisë në vend e rajon, si dhe në konkretizimin e mëtejshëm të proceseve demokratike dhe integrimit të Kosovës dhe të gjithë rajonit në BE", tha z. Nano.

Nga ana e tij, Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi vlerësoi se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis Kosovës dhe Shqipërisë janë më të mirat në rajon dhe theksoi se ky shembull i bashkëpunimit të ngushtë mes të dy vendeve do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Z. Rexhepi veçoi se prioritet i të dy vendeve do të jetë bashkëpunimi në fushën e energjetikës dhe në ndërtimin e rrugës Durrës-Prishtinë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›