Kryeministri Fatos Nano i shoqëruar edhe nga një grup biznesmenësh shqiptarë, gjatë vizitës zyrtare në Kosovë, ka zhvilluar një takim edhe me përfaqësues të biznesit kosovar. Kryetari i
Kryeministri Fatos Nano i shoqëruar edhe nga një grup biznesmenësh shqiptarë, gjatë vizitës zyrtare në Kosovë, ka zhvilluar një takim edhe me përfaqësues të biznesit kosovar.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Kosovës i ka uruar mirëseardhjen Kryeministrit Nano, duke theksuar se kjo vizitë për gjithë biznesin e Kosovës është motivuese për të nxitur shkëmbimet tregtare në të ardhmen.
Ndërsa Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Shqipërisë z. Luan Bregasi tha se veçoria e marrëdhënieve me Kosovën është se ato karakterizohen nga investime të shumë kompanive shqiptare, të cilat kanë krijuar sipërmarrje dhe kanë investuar kapitalet e tyre në Kosovë.
Kryeministri Nano, duke marrë fjalën, i ka inkurajuar biznesmenët kosovarë dhe ata të Shqipërisë për të bërë investime dhe për zgjerimin e tregjeve shqiptare në rajon dhe më gjerë. Kryeministri Nano ka deklaruar se duhet ndërtuar infrastruktura ligjore ekonomike në Kosovë. Sipas tij, procesi i privatizimit tani në Kosovë duhet të sjellë investitorë nga të gjitha viset shqiptare.
Kryeministri shqiptar ka theksuar përpara biznesmenëve kosovarë dhe atyre të Shqipërisë se e rëndësishme është që tregu rajonal shqiptar të zgjerohet. "Jemi të bindur se eksperienca e procesit të reformave për integrim në Europë është duke vazhduar në Shqipëri. Realiteti në Kosovë tani është i mirë dhe është duke ecur në rrugë demokratike", ka thënë më tej Kryeministri.
Z. Nano ka theksuar se prodhimet e Shqipërisë janë të pranishme në tregun kosovar. Ai ka deklaruar para biznesmenëve të të dy vendeve se këtë e ka mundësuar edhe Marrëveshja për Tregtinë e Lirë që, sipas tij, në të ardhmen duhet që Kosova të bëjë edhe me vendet e tjera të rajonit.
Sipas Kryeministrit shqiptar politika ekonomike e Qeverisë Shqiptare synon në rritjen e investimeve për të siguruar një zhvillim ekonomik të shpejtë, të qëndrueshëm, të shoqëruara këto me reduktimin e varfërisë. Në këtë kontekst janë identifikuar si prioritare infrastruktura, reformat në administratën publike, zhvillimi i sektorit privat, programet e sektorit social, etj.
"Pjesë substanciale e politikave tona është edhe krijimi i një mjedisi atraktiv ndaj biznesit dhe krijimi i lehtësirave tregtare për investitorët vendas e të huaj nëpërmjet nje kuadri ligjor liberal e transparent", tha Kryeministri duke shtuar se "Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë përfaqësojnë një reformë të thellë në drejtim të liberalizimit të mëtejshëm të tregtisë. Marrëveshja e Tregtisë së Lirë dhe marrëveshjet e tjera siç është ajo fitosanitare dhe veterinare dhe Marrëveshja për Mbrojtjen dhe Nxitjen e Investimeve ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, e nënshkruar së fundi, përfaqësojnë një kuadër të përshtatshëm ligjor që lehtëson bashkëpunimin ekonomiko-tregtar ndërmjet dy vendeve tona".
Si tregues të rëndësishëm e konkret të një bashkëpunimi të pëlqyeshëm mes të dy vendeve Kryeministri ka renditur faktet se momentalisht rreth 30 kompani shqiptare ushtrojë aktivitetin e tyre në Kosovë, ndërkohë që disa të tjera si "Coca Cola", "Olim", "Glina", etj, janë prezente në Kosovë me prodhimet e tyre përmes dhënies se ekskluzivitetit disa kompanive vendase; Në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit për Tregun Rajonal Energjitik, Shqipëria dhe Kosova, si nënshkruese të këtij memorandumi, kanë harmonizuar dhe aprovuar Termat e Referencës për linjën 400 kv Prizren-Vau i Dejës; Fillimi i punimeve për rrugën Durrës-Kukës, fillimi i punimeve për rikonstruksionin e rrugës Gjakovë – Qafë Prush, vendimi i qeverisë shqiptare për hapjen e një pike të re kufitare me Kosovën në Dobrunë të rrethit të Hasit, inagurimi i fillimit të shërbimit të plotë doganor në pikën e kalimit kufitar të Morinës etj.
Në përfundim Kryeministri ka vënë në dukje se Shqipëria ka një qeveri që është e angazhuar plotësisht në zhvillimin e ekonomisë së tregut në vend, të gatshme dhe të angazhuar për liberalizimin dhe plotësimin e mëtejshëm të legjislacionit për forcimin e bashkëpunimit ekonomik me vendet e rajonit në tërësi dhe Kosovën në veçanti si prioritet i politikës së jashtme. "Në këtë kontekst, një rol i veçantë u mbetet të luajnë operatorëve dhe biznesmenëve të të dy vendeve tona për të vendosur kontaktet dhe bashkëpunimin e nevojshëm bazuar në kuadrin ligjor që po kompletohet dita ditës", ka përfunduar Kryeministri Nano.