E Diel, 1 Nëntor 2026

Z.Kryeministër ju falenderoj që pranuat ftesën tonë për këtë intervistë? Jam i lumtur që në këtë vizitë të parë timen në Kosovë, më jepet një mundësi për të komunikuar me njÃ

Z.Kryeministër ju falenderoj që pranuat ftesën tonë për këtë intervistë?

Jam i lumtur që në këtë vizitë të parë timen në Kosovë, më jepet një mundësi për të komunikuar me një auditor kaq të gjerë të Kohës, vizionari tjetër.

Zoti Kryeministër pak më parë përmendët se kjo është vizita juaj e parë në Kosovë. Si ju është dukur kjo vizitë ashtu si ju e prisnit apo e kundërta?

Është më shumë se c'prisja jo sepse isha përgatitur ndryshe, por sepse për shkak të lirisë dhe të pjekurisë në vitin e pestë të lirisë po prek kudo një realitet shumë më të zhvilluar se sa c'mendohet. Po shoh optimizëm dhe besim tek njerezit dhe përfaqsuesit e institucioneve të reja kosovare, po shoh më shumë besim tek UMNIK-u, tek aftësitë e autoriteteve vendore, për të ndërtuar institucione funksionuese dhe një shoqëri moderne, po shoh shumë më tepër interesa për të forcuar shkëmbimet dhe marrëdhëniet me homologët në Shqipëri, po shoh një realitet që do të zhvillohet, tashmë është e qartë, më shpejt se c'mendoni.

Z.Kryeminiter si i vlerësoni ju marrëdhëniet Shqipëri - UNMIK?

Ne po respektojmë dhe po përdorim UNMIK-un, ashtu si ju, si bashkëbisedues për të ndërtuar realitetin e marrëdhënieve të reja midis Shqipërisë dhe Kosovës, në kuadrin e të njëjtave procese demokratike dhe të integrimit që po jeton i gjithë rajoni sot. UNMIK-u është një autoritet ndërkombëtar, shumëkombësh që besoj ka sjellë mbështetje të zhvillimit demokratik të Kosovës, ekspertizë ndërkombëtare të dorës së parë, e cila është e vlefshme për të ndërtuar jo vetëm realitete bashkëjetese, por edhe për të njohur standartet me të cilat punon bota e zhvilluar. Nga kjo pikëpamje, ashtu si ju dhe autoritetet shtetërore nuk bëjnë dot pa UNMIK-un dhe besoj se tashmë UNMIK-u ka kuptuar se askush nga ne nuk ka mendime të mbrapshta apo mendime të fshehura, por po bëhemi gjithnjë e më të besueshëm dhe më të aftë për të shfaqur aftësitë e integrimit dhe të zhvillimit modern të shoqërive tona.

Zoti Kryeministër, cila është preferenca juaj, kush do të ishte bashkëbisedues më i mirë për ju, ndoshta qeveria e Kosovës apo UNMIK-u?

Mua nuk më lejohet të zgjedh sepse flas natyrshëm në Tiranë apo në Prishtinë, si me z.Holker ashtu edhe me homologun tim Bajram Rexhepi, mikëpritësin tim sot. Flas natyrshëm si me zëdhënësin amerikan të z.Holker apo me zëdhënësin rus të tij. Apo flas natyrshëm njëlloj me partitë politike të Kosovës, të përfaqësuara në parlamentin e zgjedhur demokratikisht, apo përfaqësues, si dhe në pritjen që përcollëm pak më parë, përfaqësues të pakicake të integruara në qeverinë e Kosovës, një zonjë e pakicës turke vecanërisht, pra unë jam i disiplinuar për të pritur, për të davaritur edhe konfuzionin që përcjell pyetja juaj në vëmendjen e publikut, të ketë sa më parë një autoritet me të cilin të punoj për interesa të përbashkëta.

Po pse Zoti Fatos Nano ka pritur plotë pesë vite që të vijë në Kosovë?

Kjo është një pyetje me vend që më jep mundësinë për të thënë se, pavarësisht nga dukja sikur jam i vonuar, pavarësisht nga fakti që unë nuk jam kryeministri i parë i Republikës së Shqipërisë që vizitoj Kosovën, sot ndjeva që kam qënë prej kohësh me ju, midis jush, në vite të vështira dhe në vitet e rritjes me lirinë dhe më lejoni të them në eksperiencën time politike preferoj kumbullat e pjekura, as të thartat, as hoshafkat, pra kam ardhur në momentin e duhur për të kuptuar pjekurinë tuaj, e cila po bën të mundur që Kosova të marrë tjetër rol në zhvillimin rajonal dhe tjetër rol në marrëdhëniet ndërshqiptare.

Përmendët rajonion z.Kryeministër, dilpomacia shqiptare para pak kohësh ka qënë entuziaste për hapjen e saj ndaj Beogradit. A qëndroni ende në atë kurs politik?

Unë besoj se tashmë, ashtu si Kosova apo kryeqytete dhe vende të tjera të rajonit, edhe Beogradi duhet të marrë mirë dhe në mënyrë të orientuar drejt nga moderniteti përgjegjësitë e veta. Përgjegjësitë e veta edhe në raport me Prishtinën, apo me dialogun që Prishtina zyrtare duhet të cojë përpara njëlloj si me faktorë të tejrë në rajon, të komunitetit ndërkombëtar, edhe me autoritetet e Beogradit. Filozofia që unë mbroj ka dy elementë: pra Kosova nuk mund të mos jetë një demokraci e konsoliduar multietnike, me raportet që ka krijuar Zoti në këtë vend, për pasojë kthimi i serbëve në Kosovë është një nga parametrat e standarteve që duhet të mbërrijnë në institucionet kosovare dhe të dialogut me Beogradit, nuk do të thotë assesi që Kosova të kthehet nën Serbinë, sepse procesi historik në të cilin jemi përfshirë dhe jetojmë nuk ka kthim prapa dhe i vetmi terminal që shohim të gjithë është Brukseli, Europa e Bashkuar, ku me shpejtësi të ndryshme do të integrohemi të gjithë për t'i dhënë fund edhe kësaj qasjeje të cuditshme që ka rajoni sot, shtatë kryeqytete për pesë shtete.

Zoti Kryeministër, meqë jemi tek rajoni do të kalojmë pak në Maqedoni. A mendoni se atje është realizuar në tërësi marrëveshja e Ohrit dhe cili është qëndrimi i qeverisë tuaj ndaj këtij shteti fqinj, kur sic dihet atje jeton një numër i konsiderueshëm i popullatës shqiptare?

Qcveria e Republikës së Shqipërisë ka mbështetur qysh herët stabilitetin e Republikës së Maqedonisë dhe proceset e integrimit të brendshëm dhe rajonal e europian të këtij vendi fqinj. Unë për shkak të detyrës dhe të aspiratave të njëjta që ndaj me aktorët e tjerë që udhëheqin proceset e bashkëpunimit dhe të integrimit edhe në Maqedoni, ashtu si në gjithë rajonin, ndjek me vëmendje evolucionet e shoqërisë dhe demokracisë maqedonase krahas boshtit themelor të saj që është bashkëjetesa që tashmë ndërtohet në bazë të marrëveshjes së Ohrit.

A e ka kaluar rrezikun Maqedonia?

Unë besoj se po për shkak se Maqedonia tashmë prej më shumë se 10 vjetësh ka një qeveri kohabitacioni ndëretnik. Paravësisht se ndërrohen forcat politike që qeverisin si maxhoranca, sërish janë parti maqedonase dhe shqiptare në koalicion bashkëqeverisës. E dyta: marrëveshja e Ohrit tashmë ka mbërritur në një pikë të pakthyeshme dhe vecanërisht po fillon të japë efekte të prekshme në të gjitha nivelet për shkak të miratimit të ligjit mbi arsimin shtetëror edhe për Universitetin e Tetovës dhe të ligjit për reformën e riorganizimit territorial të administratës vendore. Pra kjo jep mundësi që shqiptarët në Maqedoni ashtu sic bashkëqeverisin për shkak të maxhorancave që dalin me zgjedhje demokratike, të integrohen edhe në nivele të ndryshme të administratës civile, të ndihen të barabartë sipas kornizës kushtetuese në këtë vend dhe të kontribuojnë si cdo shtetas tjetër për integrimin e Maqedonisë në BE.

Zoti Kryeministër, kalojmë tani tek Greqia, ku mbetemi ende në rajon. Raportet e shtetit shqiptar me Greqinë kanë njohur edhe batica edhe zbatica. Dihet se roli i Greqisë është i madh, është i vetmi vend i rajonit në BE. Aktualisht cilat janë raportet e Qeverisë Shqiptare me atë greke?

Baticat dhe zbaticat e marrëdhënieve shqiptare-greke tashmë i përkasin historisë, sepse Greqia si anëtare e BE-së dhe Shqipëria në procesin e asocimit me BE kanë prej më shumë se një dekade marrëdhënie të qëndrueshme si fqinjë të mirë dhe si vende që zhvillojnë një partnetritet të privilegjuar për shkak të pranisë së minoritetit grek në Shqipëri dhe të një numri të madh shqiptarësh që janë integruar në shoqërinë greke prej më shumë se një dekade.

A ka mundësi që cështja came t'i destabilizojë këto raporte?

Nuk besoj sepse këto raporte janë gjitrhashtu të favorshme për kuptimin dhe zgjidhjen e cështjes came, sepse camët nuk janë një popullsi ekstraballkanike, apo ekstraplanetare, janë njerëz si të gjithë të tjerët, shqipëtarë apo grekë, që kanë jo vetëm identitetin e tyre, por edhe pronat dhe historinë e komunitetit cam të lidhur me to, kanë lëvizshmërinë e tyre diku të kushtëzuar nga padrejtësi historike dhe sot nga lëvizjet e lira që po garantohen edhe në Ballkan dhe për pasojë gjithkush që do të spekullonte me cështjen came si faktor konflikti apo destabilizimi, jo vetëm në marrëdhëniet shqiptaro-greke, sepse cdo cështje e trajtuar në mënyrë parciale apo të vecuar nga integrimi europian i vendeve të Ballkanit do të sillte konflikte, do të dështonte edhe në karrierën e vet politike.

Cilat janë raportet e qeverisë suaj me atë të Malit të Zi dhe cili është qëndrimi i qeverisë shqiptare ndaj popullatës shqiptare të Malit të Zi, që jeton atje?

Ne kemi marrëdhënie shumë të mira me autoritetet e Podgoricës, përfshi edhe partitë politike në Malin e Zi, marrëdhënie që nuk dallojnë për nga substanca dhe orientimi politik nga marrëdhëniet me kryeqytetet e tjera të Ballkanit, të cilat pasqyrojnë jo vetëm një fluks shkëmbimesh dypalëshe që po shtohen por edhe reforma të njëjta që po i celin kufijtë, që po i bëjnë më të sigurtë për lëvizjen e lirë të qytetarëve, më të mbrojtur nga flukset e trafikantëve apo të krimit të organizuar, dhe sigurisht më nxitëse për aktivizimin e resurseve tona për zhvillim të cilat nuk mund të shërbejnë për standarte më të larta jetese nëse merren të vecuara që nga bregdeti deri në infrastrukturën e madhe që nëpërmejt Malit të Zi, Shqipërinë e lidh me Europën Qendrore. Unë besoj se kemi në vëmendje të gjitha proceset politike që lidhin apo ndajnë Malin e Zi me Serbinë dhe me rajonin, pra ne ndjekim me vëmendje jo vetëm vazhdimin e integrimit të shqiptarëve si shtetas të Malit të Zi në të gjitha nivelet e jetës ekonomike dhe administrative të këtij vendi, por edhe proceset e integrimit rajonal e europian të Malit të Zi, në marrëdhënie me Unionin e krijuar me Serbinë që pritet të na japë prova nëse do të funksionojë apo jo.

Pak më parë përmendët se Maqedonia e ka tejkaluar krizën, se nuk ka rrezik. A e ka tejkaluar në fakt Shqipëria përfundimisht sindormën e vitit '97?

Besoj se po përfundimisht, sepse edhe '97, apo fillimi i vrullshëm i tranzicionit pas rënies së komunizmit, treguan që shqiptarët nuk e durojnë dot shtypjen apo padrejtësinë shtetërore. Nga kjo pikëpamje unë besoj se edhe lëvizjet e vrullshme që kanë shoqëruar historinë tonë më të freskët flasin për një qytetari që është kollona e zhvillimit dhe e hapjes së shoqërisë demokratike edhe të shqiptarëve. Prandaj tashmë nëqoftëse i referohemi fakteve kritike sic është shpërthimi i depove të armëve dhe përmbytja e shoqërisë me armatime, apo shëmbja e insitucioneve dhe humbja e rendit shoqëror dhe publik në Shqiëpri kjo është një periudhë e kapërcyer njëherë e mirë me rindërtimin e shtetit të së drejtës, të institucioneve të sigurisë ligjore dhe publike, dhe me përparimin e proceseve të bashkëjetesës në demokraci midis faktorëve të ndryshëm politik dhe të integrimit rajonal dhe europian të vendit.

Jemi dëshmitarë, gjatë këtyre ditëve, që opozita akuzon qeverisjen socialiste dhe qeverisjen tuaj duke ju thirrur në varfërimin e tejskajshëm të popullsisë së Shqipërisë. A mendoni se një varfërim i tillë është rezultat i kostos që duhet paguar për reformat apo si rezultat i keqadministrimit?

Pyetja juaj e sjell problemin e varfërisë në fokusin e duhur, sepse Shqipëria ashtu si zona të tjera të këtij rajoni kanë varfëri të trashëguar për shkak të prapambetjes historike të stimuluar nga regjime tiranike, sic ishte regjimi komunist në Shqipëri, apo keqadministrimi i pushtetit nga qeveritë e para postkomuniste të cilat në '97 duke shkatëruar shtetin, sollën edhe humbjen e akumulimit të parë fillestar të kapitalit në kushtet e lirisë së sipërmarrjes, kursime jetike nga iniciativa private apo nga puna në emigracion, që u përthithën nga piramidat financiare. Nga kjo pikëpamje tashmë Shqipërisë nuk i lejohet të trajtojë me metoda amatore apo specifike varfërinë që ekziston apo faktorët e rritjes ekonomike. Ne kemi vite që punojmë sëbashku me Bankën Botërore dhe FMN për të adminsitruar jo vetëm kontributet fiskale që krijon sipërmarrja dhe puna e ndershme e shqiptarëve në sektorë të ndryshëm të aktivizimit të resurseve ekonomike, por edhe donacionet apo financimet ndërkombëtare të cilat aktualisht orientohen jo vetëm për krijimin e infrastrukturave për një rritje të qëndrueshme ekonomike por dhe me programe të rëndësishme të kurimit të varfërisë dhe të ndihmave sociale përfshi edhe kostot e reformave që kryejmë, reforma që natyrisht po hapin tregun dhe po sjellin cmimet e ofrimit të shërbimeve dhe të produkteve jetike që nga energjia deri tek ato telefonike në nivelet e kostos dhe të konkurrencës së një tregu që hapet.

Z.Nano, cfarë duhet bërë që qytetari shqiptar të mos jetën sinonim i varfërisë?

Nuk besoj se mund të bëhet dicka më shumë apo më ndryshe nga c'po bëjmë, sepse pasuria e shqiptarëve nuk është e gjitha në duart e qeverisë. Rreth 3 miliardë dollarë kursime ndodhen në sistemin bankar privat, në rreth 400 mijë depozita individuale, 60 % e të cilave shkojnë nga 7 mijë deri në 10 mijë dollarë dhe këto shifra janë publike për shkak të transparencës të ligjit për bankat. Nga buxheti shtetëror, që arrin tashmë 2 miliardë dollarë, rreth 700 milionë ose më shumë se 1/3 e tij përdoret për programet e ndihmës të punësimit dhe të integrimit social të komuniteteve në nevojë dhe reformat që po kryhen e shumëfishojnë efektin e investimeve publike dhe të rritjes ekonomike duke e shpërndarë edhe në zonat dhe territoret më në varfëri, duke bërë të mundur që edhe sensibiliteti apo protesta civile ndaj keqadministrimit publik të sjellë nga instritucionet qëndrore dhe qeveria më shumë transparencë dhe më shumë angazhim në luftën kundër korrupsionit, devijimit të fondeve apo keqadministrimit të financave publike. Pra besoj se jemi në rrugën e duhur dhe ajo që kërkohet është një konsensus për reformat krahas trysisë së gjithasnëshme që duhet ushtruar ndaj organeve përgjegjëse për administrimin publik për të luftuar korrupsionin dhe për të siguruar transparencë në administrimin e pasurisë kombëtare.

Ju përmendët trafiqet, korrupsionin. A ka kapacitet shteti shqiptar që t'í luftojë këto dukuri?

Ne po zhvillojmë kapacitete standarte dhe ato janë në shtim e sipër sepse edhe korrrupsioni edhe trafikantët, krimi i organizuar në ekonomi apo shoqëri, vecanërisht ai që lidhet me trafikimin e qënieve njerëzore apo substancave të rrezikshme, është i pajisur më mirë se në të kaluarën, është i lidhur në rajon apo ndërkombëtarisht dhe lëviz në një dinamikë që është bërë përfundimisht një rrezik global jo vetëm nacional apo lokal. Pra ne po krijojmë gjithnjë e më shumë forcë goditëse të organeve të shtetit të së drejtës, të policisë, prokurisë dhe gjykatave, po krijojmë më shumë rezultate në bashkëpunimin me agjenci dhe institucuione të specializuara ndërkombëtare në luftën kundër trafiqeve, po krijojmë më shumë besim për sigurimin e kufijve për shkak të programeve dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit me institucionet e luftës kundër krimit në rajon, po sjell si fakt që gomonet e fundit që i dhanë fund industrisë të klandestinëve nga deti në shtatorin e 2002-it nuk mund të ishin bllokuar pa një bashkëpunim të shkëlqyer të katër vendeve që lagen prej Detit Adriatik, dhe ajo që duket si paradoks historik është që gomonia e fundit u bllokua nga forcat e Rojes Bregdetare Shqiptare pasi u qëllua nga Roja Bregdetare e Malit të Zi. Pra të gjitha këto po shtojnë kapacitetet e institucuioneve dhe besimin e qytetarëve tek dobia dhe efikasiteti i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Flitet se një pjesë e krimit të organizuar është në strukturat e qeverisjes, në strukturat tuaja partiake...

Unë nuk besoj se kjo cështje mund të kapërdihet lehtë edhe kur thuhet, edhe kur mohohet, për shkak se qeveria nuk është i vetmi insitucion apo institucioni që dominon gjithcka në një shoqëri demokratike, për vec parlamentit dhe sistemit gjyqësor ka edhe institucione kushtetuese që ushtrojnë kontrollin mbi qeverisjen apo që detyrojnë zyrtarët dhe qeveritarët të deklarojnë sipas ligjit burimin e pasurisë personale apo të ardhurat që përdorin për jetën private. Nga ana tjetër isnitucionet e Shqipërisë janë të monitoruara nga institucione ndërkombëtare dhe qeveri mike, me programe zhvillimi dhe integrimi të cilat kanë kondicionalitete që detyrojnë transparencën dhe rezultatin në luftën kundër korrupsionit apo të lidhjeve të politikës me krimin. Prandaj debati politik nxit më shumë transparencë dhe rezultate në luftën kundër korrupsionit apo për të prerë lidhjet e kriminalitetit me politikën, ashtu si programet tona të luftës kundër tij përfshijnë edhe luftën kundër informalitetit dhe parave të pista që lëvizin në treg të cilat shpesh herë na rezulton se janë afër politikës, afër ushtruesve të pushtetit dhe për këtë arësye janë shtuar edhe ndëshkimet e shtetit ligjor dhe denoncimet e qeverisë për këtë qëllim, vecanërisht gjatë 18 muajve të fundit.

Meqë jemi tek korrupsioni shpesh përflitet edhe emri juaj si ndër të korruptuarit. Cili është qëndrimi juaj ndaj këtyre akuzave?

Unë nuk mund ta sfidoj këtë cështje vetëm me faktin që e kam bërë burgun tim të padrejtë për një aferë të montuar korrupsioni në kohën e regjimit të mëparshëm por Kryeministri i një vendi dhe vecanërisht të një vendi si Shqipëria që ka angazhime ligjore në procesin e integrimit është njeriu dhe autoriteti më i kontriollueshëm dhe më i detyruar të jetë transparent se cilido tjetër. Pra unë i kam kryer të gjitha detyrimet për tu vënë në dispozicion të dispilinës ligjore dhe të institucioneve që kontrollojnë veprimtarinë time, jo vetëm nga parlamenti por edhe nga organet e transparencës për pasurinë private dhe besoj se do të vazhdoj me vëmendje këtë debat për të provuar më shumë rezultate jo vetëm të kredibilitetit tim politik që votohet në mënyrë konstante nga shumica e shqiptarëve por edhe për të luftuar korrupsionin në bashkëpunim me të gjithë ata që ofrojnë fakte reale për të bllokuar abuzimin me detyrën dhe pasurinë publike kudo ku ai shfaqet, qoftë edhe në radhët e maxhorancës.

T'i kthehemi edhe një herë politikës mbarëkombëtare. Takimi juaj i Kretës është shumëpërfolur në Kosovë, nëpër mediume, etj., takimi juaj me Miloshevicin sidomos. A keni menduar se keni bërë një hap të drejtë sot pas këtyre viteve?

Unë bëra hapin që mund të bëhej në atë periudhë pas pjesëmarrjes sime si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë në mbledhjen e grupit të kontaktit që ndiqte situatën kritike të krijuar nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe vecanërisht, genocidin që po ushtronte regjimi i Milloshevicit ndaj Kosovës, mbledhja e Bonit e kapërcyellit të viteve '97-'98 dhe pas konsultimesh me faktorët më të rëndësishëm globalë të komunitetit ndërkombëtar që monitorinte dhe tashmë ka siguruar celjen e rajonit ndaj proceseve të integrimit, realizova presionin e parë të drejtëpërdrejtë të atij sistemi rrethimi demokratik ndaj Serbisë që solli më në fund ndërhyrjen e NATO-s, bombardimet mbi Armatën e Milloshevicit, clirimin e Kosovës dhe fillimin e procesit të integrimit të saj në demokraci nën kujdesin e UNMIK-ut sot dhe të BE-së nesër. Pra Kreta nuk ishte asgjë më shumë sesa një stacion zhvillimi i proceseve të demokracisë për Kosovën, në përcjelljen e pasojave të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe të krijimit të shteteve të pavarura prej saj dhe natyrisht, në realitetin e sotëm ku të gjitha vendet e Ballkanit kanë të njëjtat detyra për reforma integrimi që i afrojnë cdo ditë e më shumë me Europën moderne.

Po lidhjet tuaja Z.Kryeministër me UCK-në gjatë luftës cilat kanë qënë?

Ato janë gjithashtu një pjesë e karrierës sime politike, sic janë pjesë e pashlyeshme e historisë së clirimit të Kosovës dhe integrimit të saj demokratik. Ato ishin një instrument i pandashëm nga bashkëpunimi diplomatik i Shqipërisë me vendet kryesore perëndimore që përcollën clirimin e Kosovës. Ato janë gjithashtu sot, shumë aktive në funksion të konfiguracionit politik që ka jeta demokratike në Kosovë dhe të integrimit të faktorëve të rezistencës dhe të luftës kundër së keqes genociviste të Armatës millosheviciane në institucionet përfaqësuese të Kosovës dhe në të ardhmen integruese të saj.

Po sot, kur beteja zhvillohet kryesisht në rafshin diplomatik a konsideroni se Shqipëria duhet të bëjë më shumë, zëri i saj duhet të jetë më i ashpër përsa i përket Kosovës? Mendoni se keni bërë mjaft si qeveri apo...?

Unë mendoj se ne po kryejmë me shumë efikasitet detyrën si shtet dhe si anëtar i organizatave ndërkombëtare. Unë konstatova gjatë vizitës së Z.Holker në Tiranë para dy javësh dhe bisedave që patëm sot me të dhe me autoritete të tjera, se tashmë kanë rënë të gjitha paragjykimet për ndonjë rol të fshehtë apo të munguar apo të tepruar të Shqipërisë në marrëdhënie me Kosovën apo në marrëdhëniet e reja në rajon dhe jam i sigurtë se tashmë institucionet kosovare në procesin e tranzicionit të kopetencave dhe të autoritetit nga UNMIK-u drejt tyre dhe në procesin e ndërtimit të standarteve për t'u përgatitur për fazën e një statusi europian për Kosovën kanë marrë të gjithë përgjegjësitë e veta dhe prandaj po zhvillohet ky partneritet produktiv edhe me qeverinë e Tiranës.

Pas mëse 14 vjet tranzicioni në vendin tuaj a konsideroni se janë krijuar kushtet që të fillojë një operacion si ai në Itali "duart e pastra". A ekziston vullnet politik dhe është gjyqësori shqiptar i gatshëm për një gjë të tillë?

Ne kemi nisur të ndërtojmë prej më shumë se një viti një sistem të drejtësisë së organizuar që lufton krimin e organizuar. Një sistem që po i vendos institucionet e shtetit ligjor në Shqipëri në një program veprimesh të përbashkëta dhe organizmi ligjor gjithnjë e më efikas dhe në një sistem detyrimesh dhe bashkëveprimesh rezultative kundër krimit me institucionet ndërkombëtare dhe agjencive të specializuara që janë të pranishme në Ballkan edhe në kuadrin e nismave të ndryshme që nga Pakti i Stabiliteti deri tek Bashkëpunimi i Europës Juglindore. Nga kjo pikëpamje është krijuar hapësira për të aktivizuar ligje dhe instrumenta të reja sic është legjislacioni italian apo amerikan, antimafia, i cili do të sjellë akoma më shumë efekte duke goditur edhe prapavijën ekonomike të trafikantëve apo krimit të organizuar duke konfiskuar pasuritë e tyre dhe duke i kaluar barrën e provës për vërtetimin e origjinës legale apo të paligjshme të pasurive që ushqejnë krimin e organizuar tek të dyshuarit. Nga kjo pikëpamje gjyqësori shqiptar nuk ka alternativë përvecse të integrohet në këtë aksion të organizuar të shtetit kundër krimit dhe rezultatet janë shumë pozitive duke përfishirë edhe rolin e institucionet që administriojnë pavarësinë e sistemit gjyqësor në Shqipëri.

Z.Kryeministër, gjyqësori a është i pavarur në Shqipëri?

Gjyqësori është krejtësisht i pavarur jo vëtëm sipas Kushtetutës por dhe sipas realitetit të raporteve të tij me ekzekutizin apo parlamentin. Sigurisht, kjo nuk mund të jetë pavarësi nga ligji dhe prandaj konceptet dhe skemat bashkëkohore që ne po zbatojmë në bashkëpunim me partnerët po e integrojnë gjyqësorin si hallka fundore ku duhet të ndëshkohen kriminelët dhe keqbërësit.

Z.Kryeministër a mund të organizojë Shqipëria zgjedhje që nuk do të mund të kontestoheshin nga askush?

Zgjedhjet në Shqipëri po perfeksionohen pas cdo raundi parlamentar apo administrativ. Ato janë të monitoruara nga OSBE apo nga autoritetet e Këshillit të Europës krahas qeverive të vendeve aleate. Zgjedhjet nuk mund t'i kënaqin të gjithë edhe kur ato kryhen në kushte demokratike standarte. Dikush do të fitojë dhe dikush do të humbasë. Pra sa kohë që humbësi nuk pranon rezultatin, dhe kjo ka ndodhur vazhdimisht me opozitën e drejtuar nga Sakli Berisha, nuk do të shuhen kontestet ndërsa Shqipëria dhe shumica përfaqësuese e saj, përfshi edhe shoqërinë civile të saj, në të cilën lëvizin mjaft organizata që punojnë për zgjedhje të lira dhe demokratike do të vazhdojë të (ndërpritet nga intervistuesi)

Edhe bashkësia ndërkombëtare nuk ka qënë shumë e kënaqur me raportet?

Ne do të vazhdojmë bashkë me të gjithë të interesuarit të bëjmë përmirësimet e duhura në procesin zgjedhor dhe të kthejmë në rregulla ligjore dhe institucionale rekomandimet për përmirësimin e administrimit të zgjedhjeve që bën edhe bashkësia ndërkombëtare. Sigurisht, kjo përbën institucionin kryesor të funksionimit demokratik të shoqërisë shqiptare dhe besoj se rruga më e mirë për këtë gjë është konsensusi ndërpartiak për pavarësinë e institucioneve zgjedhore dhe jo për militantizmin e tyre.

Z.Nano këto ditë jemi dëshmitarë të protestave, të zhvillimeve të ndryshme në Shqipëri. Kush në fakt e rrezikon më shumë qeverisjen tuaj, shoqëria civile, "Mjaft!", koalicioni antikorrupsion apo Partia Demokratike me slloganin "Nano ik!"?

Unë besoj se Shqipëria është në kohën e kthimeve të mëdha, e kthimit të vlerave të qytetërimit tonë tradicional si të pajtueshme me standartet e botës moderne ku integrohemi dhe e kthimit të rinisë apo të trurit interaktiv të shqiptarëve pas eksperiencave apo kualifikimeve në perëndimin e zhvilluar. Nuk besoj se qeveria që unë drejtoj ka dhënë ndonjë sinjal se i konsideron si armiq apo kundërshtarë organizatat që kritikojnë apo kundërshtojnë programet tona të administrimit të politikave të zhvillimit apo të pasurive publike e përfshi dhe luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit ne do të vazhdojmë të konsiderojmë si partnerë për zhvillim dhe demokraci më të pjekur të gjitha organizatat e shoqërisë civile apo partitë politike që kërkojnë një ritëm më të shpejtë reformash drejt standarteve euroatrlantike dhe natyrisht ne e kemi strukturuar përgjigjen e përgjegjshme dhe europiane ndaj njerëzve në protestë me të cilët po dialogojmë, jemi futur në gjirin e tyre në të gjithë territorin jo vetëm për të shpjeguar efektet dhe kostot e reformave por edhe për të korrigjuar politikat sociale që administrojnë koston e tyre në të gjithë territorin.

Z.Kryeministër, emisioni ynë është i drejtpërdrejtë, është përcjellë drejtpërdrejtë në Kosovë dhe në Shqipëri, kështu që ka zgjuar interes jashtëzakonisht të madh. Para se unë të kaloj tek pyetjet që kanë bërë shikuesit, desha të bëj edhe një pyetje. A është Sali Berisha fati juaj dhe fatkeqësia e Shqipërisë?

Unë nuk e kam pranuar asnjëherë këtë mënyrë vlerësimi të raporteve Nano-Berisha. Dikush sigurisht vlerëson se fati im politik apo elektoral është negativizmi i Berishës në politikën shqiptare, i vërtetuar dhe në mënyrë konstante gjatë të gjitha zgjedhjeve, përvec atyre të '92, të cilat ai i ka humbur. Por unë besoj se Z.Berisha si lideri i opozitës për po kaq kohë që unë jam lideri i progresistëve dhe i socialdemokratëve duhet konsideruar si partner në mënyrë që dhe ai t'i nënshtrohet procesit të transformimeve që përjeton e gjithë shoqëria shqiptare. Pra deri më sot rezulton se Berisha është një disavantazh për Shqipërinë, pra edhe për mua, sepse ritmi i zhvillimit ngadalësohet nga opozita e tij e vjetër. Ritmi i modernizimit të opozitës në Shqipëri ngadalësohet nga politika e vjetër e Berishës si udhëheqësi i saj. Integrimi i resurseve të mendimit dhe të formacioneve opozitare në Shqipëri, reformat për integrim gjithashtu, bllokohen nga politika konfliktuale e Berishës. Unë do të mirëprisja dialog në funksion të reformave sepse Berisha nuk mund të ketë sukses me burgosjen fizike apo opinionale të kundërshtarëve apo të komuniteteve në nevojë që shoqërojnë procesin e reformave dhe të integrimit të Shqipërisë.

Unë propozoj tani të kalojmë tek pyetjet e shikuesve. Argëtim Hamiti nga Viqia pyet: A ka të bëjë vizita juaj me bisedimet dhe planet që po bëhen për bashkimin e trojeve shqiptare dhe a e përkrahni ju një gjë të tillë?

Unë nuk jam në dijeni për ndonjë bisedim apo për faktorë që bisedojnë për këtë temë. Unë nuk besoj se cështja mund të shtrohet në këtë mënyrë dhe prandaj po ritheksoj se sot të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarë, pavarësisht nga cila anë e kufirit ndodhen në skakierën ballkanike po përjetojnë të njëjtat procese të hapjes dhe të integrimit që i afrojnë jo vetëm me njëri-tjetrin por edhe me standartet e BE-së ku lëvizjet e lira dhe institucionet që i garantojnë ato janë më të suksesshmet në historinë e njerëzimit. Ne nuk na lejohet të shpikim por vecse t'i përfaqojmë në realitetet tona institucionet ligjet dhe mekanizmat ekonomikë që na bëjnë të ndjehemi zot në shtëpinë tonë dhe të lëvizim lirisht për të vizituar njëri-tjetrin.

Një pyetje nga Londra, megjithë respektin sidomos në kohën e luftës së Kosovës, ku ndihmuat popullin dhe UCK, a ka mundësi që ju dhe zoti Berisha të tërhiqeni nga politika që tërë populli dhe Shqipëria të ecë përpara dhe pushtetin ta marrin ekspertët apo ndonjë kompani e specializuar për ta nxjerrë nga kriza? Kështu mendon Yzni Krasniqi nga Londra.

Unë shpresoj që Yzniu të jetë me dokumenta legale në Londër dhe jo klandestin që nuk ka akses në shoqërinë apo oportunitetet e tregut dhe të ekonomisë në Britaninë e Madhe, për të kuptuar që autoritetet që votohen nuk mund të largohen me mënyra të dhunshme apo në favor të ekspertëve që kanë detyra të tjera në një shoqëri demokratike. Pra unë do të largohem kur të mos votohem më dhe do të pranoj që ndryshe nga Z.Berisha rezultatin e zgjedhjeve që nuk do të më votojnë më, sic kam bërë deri më sot. Derisa vazhdoj të jem i votuar dhe të shtoj mbështetjen ndërkombëtare për një Shqipëri në zhvillim dhe integrim atëherë unë jam i detyruar të respektoj interesat e shumicës që më voton dhe të së ardhmes euro-atlantike të vendit për të cilën po punoj.

Z.Nano në adresën tonë kanë arritur me qindra pyetje. Ju kërkoj ndjesë të gjithë shikuesve. Për shkak të kohës së limituar ndoshta nuk do të mund të përgjigjemi. Së paku provuam disa prej tyre t'ia parashtrojmë Z.Nano. Desha në fund Zoti Nano, sigurisht të gjithë shqiptarët kanë për qëllim dhe synim Bashkimin Europian. Cili do të jetë zëri i shqiptarëve në një të ardhme, do të jetë ai i ndarë, apo do të përfaqësohet në tri pjesë, apo do të përfaqësohet njëzëri apo së paku do të arrihet një konsensus përfundimisht mes shqiptarëve përsa i përket cështjeve madhore?

Unë nuk mund të bëj profetin përballë historisë moderne dhe asaj që jetojmë. Unë besoj e di ashtu si njerëzit këtu në Kosovë që kanë qënë vizitorë dhe shtetas në shumë raste të vendeve të Europës Perëndimore për shkak të rrethanave historike në 20-30 vitet e fundit sidomos, se në Europë flitet e njëjta gjuhë edhe në shtete të ndryshme, bie fjala gjermanishtja në Austri dhe në Gjermani. Për pasojë unë besoj se e ardhmja e shqiptarëve kudo ku jetojnë, e ardhmja e Europës Juglindore ku jetojnë shqiptarë më mënyrë të vecantë do të jetë ajo e qytetarëve të Europës, e shtetasve të pajisur me pasaporta europiane, pavarësisht se ato do të lëshohen nga zyra të ndryshme administrative.

Si do të reagonte Qeveria Shqiptare, a do ta përkrahte, do të printe procesin drejt pavarësimit të Kosovës. Cili do të ishte reagimi juaj?

Ju duhet të administroni vetë procesin e krijimit të standarteve për të krjuar një status anëtari të asociuar dhe më pas të drejta të plota të BE-së. Të jeni të sigurt që Qeveria e Republikës së Shqipërisë që ka të njëjtat detyra dhe që i është dashur të clirohet vetëm nga komunizmi në fillim të viteve '90 e sheh me shumë simpati këtë proces, do të japë të gjithë kontributin e vet duke bërë mirë detyrat e shtëpisë që edhe Shqipëria edhe Kosova ashtu si vende të tjera të rajonit të përparojnë me ritmet e duhura drejt standarteve për integrim dhe për pasojë ta jetojmë sëbashku epokën e integrimit dhe të ndërvarësisë euroipiane midis nesh.

Kosova ndodhet në një fazë ku ka nevojë më së shumti për ndihmë dhe Shqipëria konsioderohet si vendi prej nga ku duhet të vijë mbështetja, kryesisht në aspektin politik. A mendoni se ka ndonjë fushë në të cilën Shqipëria mund t'i kthejë sytë nga Kosova, duke sugjeruar ndihma të llojit politik apo cfarëdoqoftë?

Ne po vazhdojmë të jemi shumë efikasë në zgjerimin e shkëmbimeve të gjithanshme midis nesh. Tashmë ka një numër marrëveshjesh që lehtësojnë dhe stimulojnë zgjerimin e lëvizjes së lirë, të njerëzve, të mallrave, të kapitaleve, të arsimtarëve, të politikanëve, të përfaqësuesve të institucioneve demokratike, të sipërmarrësve midis nesh. Sot inaguruam infrastrukturat e reja të kontrolleve të shpejta dhe moderne doganore të lëvizjes më të shpejtë të sipërmarrësve, po përjetojmë celje institucionesh bankare dhe të shoqërive të sigurimit në të dy anët e kufirit, të cilat janë standarte me ato banka apo kompani sipërmarrëse të botës së zhvilluar që po hyjnë në vendet tona dhe unë besoj se tashmë po jetojmë një fazë pjekurie të marrëdhënieve në rajon të cilat kanë përfshirë edhe lëvizjet e lira midis shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë, të cilat na ndihmojnë të ndihmojmë më shumë njëri-tjetrin dhe të aktivizojmë më shumë vlera dhe përfitime nga lëvizjet e lira dhe bashkëpunimi rajonal të cilat do t'i shërbejnë edhe përparimit të Kosovës në procesin e integrimit europian.

Z.Kryeministër, ju faleminderit që gjetët kohën të jeni mysafir i Koha Vizionit!

Ishte një rast për të mos u humbur të cilin shpresoj ta kemi shfrytëzuar në dobi të përbashket.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›