E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano është takuar sot, në Sofje, me Kryeministrin bullgar Simeon Saksoburggotski, gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit trepalësh të Mirëkuptimi

Kryeministri Fatos Nano është takuar sot, në Sofje, me Kryeministrin bullgar Simeon Saksoburggotski, gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit trepalësh të Mirëkuptimit midis Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë për ndërtimin e naftësjellësit AMBO.

Dy autoritetet konstatuan se marrëdhëniet midis dy vendeve kohët e fundit kanë përjetuar zhvillime të rëndësishme konkrete, shoqëruar me shkëmbime të nivelit të lartë, duke rikonfirmuar vazhdimësinë e këtij intensiteti dhe niveli shkëmbimesh politike.

Zoti Nano i shprehu zotit Sakskoburggotski përshëndetjen për vendimin e Këshillit Europian të dhjetorit, i cili vlerësoi progresin real të Bullgarisë në rrugën e anëtarësimit në BE dhe hapi rrugën për finalizimin e Traktatit të Aderimit në prill të 2005. "Jemi të bindur, - u shpreh zoti Nano, - se anëtarësimi i Bullgarisë në BE në vitin 2007 do të jetë inkurajim për vazhdimin e procesit të integrimit edhe për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit perëndimor". Ai vlerësoi në këtë funksion mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në NATO dhe BE, e konkretizuar në Memorandumin e Bashkëpunimit në kete drejtim. Nga ana e tij, zoti Saksoburggotski garantoi për mbështetjen e vazhdueshme që Bullgaria do t'i japë Shqipërisë në rrugën e zhvillimit dhe progresit drejt BE-se.

Duke u ndalur në bashkëpunimin ekonomik dy autoritetet vlerësuan zhvillimin me sukses të punimeve të Sesionit të Katërt të Komisionit të Përbashkët shqiptaro-bullgar ekonomik, industrial dhe teknik, si një moment i rëndësishëm për intensifikimin e shkëmbimeve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Në funksion të zgjerimit inisiativave zhvilluese rajonale, dy Kryeministrat vlerësuan gjithashtu të rëndësishëm nënshkrimin e Memorandumit tre palësh të Mirëkuptimit të projektit AMBO, duke theksuar interesin, mbështetjen dhe rëndësinë që do të vazhdohet t'i kushtohet realizimit të projektit të naftësjellësit Burgas-Vlorë.

Zoti Nano mirëpriti gjithashtu propozimin e palës bullgare për takimin në Sofje të kryetarëve të qeverive të vendeve të Korridorit 8-të. "Sigurimi i burimeve për financimin e korridorit 8-të mbetet sfida kryesore dhe detyra për të ardhmen.", u shpreh zoti Nano.

Po ashtu, bashkëbiseduesit shprehën interes për bashkëpunim afatgjatë në fushën e energjisë elektrike, si dhe ndërtimin e linjës së tensionit të lartë 400 kë ndërmjet Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, një projekt i rëndësishëm për gjithe rajonin.

Gjatë takimit dy Kryeministrat u ndalën edhe në nxitjen e inisiativave rajonale për lehtësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve. Zoti Nano theksoi se realizimi i Shengenit Ballkanik vazhdon të mbetet një ndër prioritetet në kuadrin e politikave integruese rajonale. Ai vlerësoi masat e ndërmarra nga qeveria bullgare për lehtësimin e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë, duke shprehur besimin në bashkëpunimin e mëtejshëm midis dy vendeve në të ardhmen. Në këtë aspekt, zoti Nano, kërkoi vlefshmërinë e vizave shengen në pasaportat e shtetasve shqiptarë për hyrjen në Bullgari.

* * *
Po sot, Kryeministri Fatos Nano u takua në Sofie me Kryeministrin e Maqedonisë, Vlado Buckovski.

Në fillim të takimit, Kryeministri Nano i shprehu zotit Buckovski urimet për fillimin e detyrës, duke rikonfirmuar mbështetjen e plotë dhe gadishmërinë e qeverisë shqiptare për bashkëpunim me qeverinë e kryesuar nga zoti Buckovski. Autoritetet maqedone, - u shpreh zoti Nano, - do të kenë mbështetjen dhe bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare në gjithë veprimtarinë e tyre, që ka të bëjë me stabilizimin e qëndrueshëm të situatës në vend, zbatimin e tërësishëm të Marrëveshjes së Ohrit dhe të procesit të rëndësishëm të decentralizimit, me zhvillimin e reformave dhe të procesit të integrimit në strukturat europiane dhe euroatlantike. Dy autoritetet konfirmuan vizitën zyrtare në Shqipëri të zotit Buckovski në fillim të vitit 2005.

Dy Kryeministrat ndanë të njëjtin mendin se integrimi në strukturat euroatlantike mbetet prioritare në procesin e bashkëpunimit dypalësh dhe atë rajonal. Duke vlerësuar rezultatet e bashkëpunimit në kuadër të Kartës së Adriatikut, ata vunë theksin në rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit në funksion të këtyre proceseve integruese, duke shfrytëzuar përvojën pozitive të bashkëpunimit në nismën e A 3.

Zoti Nano dhe zoti Buckovski ndanë të njëjtin vlerësim se zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe do të fokusohet edhe në rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm ekonomik. Zoti Nano kërkoi që gjatë vitit 2005 të përmbyllen një sërë aktivitetesh e veprimtarish dypalëshe në axhendën e bashkëpunimit midis dy vendeve. Në këtë kuadër, një rëndësi e veçantë do t'i kushtohet zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e transportit, energjisë, turizmit, bujqësisë, shëndetësisë dhe kulturës.

Një pjesë e rëndësishme e axhendës së bashkëpunimit dypalësh, vlerësuan dy autoritetet mbetet lehtësimi i vazhdueshëm i qarkullimit të lirë ndërmjet dy vendeve, edhe si një nga treguesit e nivelit të zhvillimit të këtyre marrëdhënieve. Pikërisht kësaj, theksuan ata, do t'i shërbejë edhe përshpejtimi i procedurave për hapjen e dy vendkalimeve të reja kufitare në Trebisht dhe Steblevë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›