Pas nënshkrimit të Memorandumit trepalësh të Mirëkuptimit, Kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, Kryeministri i Bullgarisë, Simeon Saksoburggotski dhe ai i Maqedonisë Vlado Buckovski dhanë
Pas nënshkrimit të Memorandumit trepalësh të Mirëkuptimit, Kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, Kryeministri i Bullgarisë, Simeon Saksoburggotski dhe ai i Maqedonisë Vlado Buckovski dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Kryeministri shqiptar Fatos Nano u shpreh "Vlerësoj këtë ngjarje të rëndësishme që bashkon tre vendet, Bullgarinë, Maqedoninë dhe Shqipërinë në një inisiativë të re të rëndëishme infrastrukturore, një nga lidhjet që ende mungon midis nesh, një nga infrastrukturat më të rëndësishme për integrimin rajonal dhe atë europian dhe euratlantik të Ballkanit Perëndimor. Unë besoj se ky është një shembull i fortë partneriteti dhe përfitimi reciprok midis tre vendeve, të aktorëve respektivë udhëheqës në procesin e standartizimit të tregjeve dhe të shoqërive tona me realitetet euratlantike dhe të kompeticionit të ekonomive tona. Ne nuk mund t'i kemi burimet energjitike ruse në rajon pa financimet amerikane dhe e gjithë kjo duhet të përshtatet tashmë me direktivat e Bashkimit Europian. Sigurisht kjo është më shumë se shkëmbim energjie, është shkëmbim energjish politike dhe në mënyrë të veçantë miqësie".
Duke iu përgjigjur interesimit të medias për rëndësinë e realizimit të projektit për naftësjellësin Ambo, zoti Nano tha se "kjo lidhje e sistemeve hidrokarbure, si pjesë e projektit të madh të krijimit të tregut dhe të komunitetit të përbashkët energjitik në rajonin e Europës Juglindore, është një nga infrastrukturat e rëndësishme të shkëmbimeve të sipërmarrjes së përbashkët dhe të konsolidimit të mjedisit ekonomik ndaj të cilit ne shfaqim aftësitë tona konkuruese". Ai nënvizoi se "naftësjellësi transballkanik do të jetë një sipërmarrje dhe kantier i madh për rreth dhe për gjatë të cilit do të lëvizin edhe më shumë aktorë, sipërmarrës privatë nga të tri vendet, banka dhe institucione të sigurimit të kapitaleve që po shoqërojnë lëvizjet gjithnjë e më të lira në këtë aks, që duhet të kujtoj është aksi i Korridorit të 8-të i kësaj rruge shumë dimensionale lëvizjesh dhe shkëmbimesh të shumëllojshme të vlerave, të mallrave, kapitaleve dhe qytetarëve të lirë midis vendeve tona. Dua të kujtoj se ky Korridor, kjo pjesë e tregjeve globale është një pikë e rëndësishme tranziti midis Europës Perëndimore dhe rajonit të Azisë së Mesme, ku jemi të bindur se resurse të rëndësishme për ekonominë globale do të bashkohen me financime dhe sipërmarrje po kaq globale, që do t'ju japin shumë përfitme vendeve tona".
Kryeministri bullgar Simeon Saksoburggotski shprehu kënaqësinë për firmosjen e Memorandumit trepalësh dhe theksoi se "ky dokument dëshmon vullnetin e tre vendeve për të punuar sëbashku për mirëqënien e rajonit". Ai nënvizoi se implementimi i projektit AMBO në një të ardhme të afërt do të shërbejë si një shembull pozitiv i bashkëpunimit ndërkombëtar.
Ndërkaq nënshkrimi i këtij dokumenti është një dëshmi konkrete që rajoni ynë tashmë dominohet nga një klimë solidariteti dhe mirëkuptimi, u shpreh Kryeministri maqedon Vlado Buckovski. "Me përpjekje të përbashkëta mund të sigurojmë një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e rajonit". Kryeministri maqedonas ka theksuar bindjen se bashkëpunimi i mirë midis Maqedonisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë do të jetë një model i suksesshëm bashkëpunimi jo vetëm në këtë pjesë të Europës.
Projekti Ambo do të kushtojë rreth 1.2 miliard dollarë. Ndërtimi i naftësjellësit Burgas-Vlorë do të zgjasë 3-4 vjet. Ky është një nga projektet infsrastrukturore prioritare në fushën e energjisë për tre vendet dhe një ndër më të rëndësishmit në rajon dhe Europë. Projekti do të jetë pjesë e infrastrukturës energjitike të Korridorit 8-të Europian.
Memorandumi përcakton mekanizmat e implementimit të bashkëpunimit midis Kompanisë AMBO dhe vendeve pjesëmarrëse, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin e naftësjellësit.