Kryeministri Fatos Nano është takuar sot paradite me Drejtorin e Institutit italian për Shërbimet e Sigurimeve mbi Tregtinë e Jashtme Giorgo Tellini. Dy bashkëbiseduesit janë përqëndruar
Kryeministri Fatos Nano është takuar sot paradite me Drejtorin e Institutit italian për Shërbimet e Sigurimeve mbi Tregtinë e Jashtme Giorgo Tellini.
Dy bashkëbiseduesit janë përqëndruar në mundësitë e zbatimit të projekte të mundshme në energjitikë, ujësjellësa, telekomunikacion, sigurime, etj. ku SACE mund të japë asistencën e saj.
Z.Tellini është shprehur i impresionuar nga ndryshimet pozitive në vitin e fundit në Shqipëri, duke nënvizuar se vërehet një progres i dukshëm në zhvillimin ekonomik të vendit, në fushën e sigurisë dhe të funksionimit të administratës publike.
Kryeministri Nano ka garantuar se qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar për të strukturuar raporte të reja ekonomike me grupe dhe institucione financiare të huaja, duke krijuar në këtë mënyrë lobingje financiare që do të përfaqësonin rritjen ekonomike të Shqipërisë.
Z.Nano vuri gjithashtu në dukje rëndësinë e integrimit të tregut vendas dhe atij rajonal në tregun europian, e cila do të çojë edhe në zbatimin e projekteve të mëdha me interes të përbashkët në infrastrukturë, telekomunikacione, energjitikë etj.
"Kam ndarë të njëjtin mendim me Kryemistrin italian ashtu edhe me përfaqësues të institucioneve italiane për integrimin e sistemit të tregut shqiptar dhe rajonal për në tregun europian dhe anasjelltas. Në këtë moment kur të gjithë po i drejtohen vizionit të tregut global, është koha të programohen projekte financimi për krijimin e infrastrukturave të mëdha si projekti për naftësjellësin Shqipëri-Maqedoni-Bullgari apo ai i Korridorit 8-të, të cilin, duhet sëbashku ta shohim si një sistem të infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe të telekomunikacionit", tha Kryeministri Nano.
Z.Nano ka nënvizuar se vetëm gjatë një turi zyrtar në disa vende të Evropës Qendrore, një javë më parë, duke patur si pjesë të delegacionit dhe një grup biznesmenësh, u arritën të negocioheshin 16 milion dollarë kontrata konkrete. Kjo, - ka theksuar Kryeministri, - është një inisiativë që mund të shtrihet edhe në Shqipëri.
Instituti për Shërbimet e Sigurimeve mbi Tregtinë e Jashtme është një ent publik i cili garanton riskqet me të cilat ndeshen operatorët italianë në transaksionet internacionale dhe në investimet e tyre në vendet e huaja. SACE do të sigurojë nga risqet financimin e firmës General Electric për hekurudhën Durrës-Tiranë-Rinas.