Të nderuar anëtarë të Komitetit të Politikave të Sigurisë, Të nderuar të ftuar, Thirra këtë mbledhje të radhës së këtij Komiteti për të vlerësuar sëbashku gjendjen e sigurisë d
Të nderuar anëtarë të Komitetit të Politikave të Sigurisë,
Të nderuar të ftuar,
Thirra këtë mbledhje të radhës së këtij Komiteti për të vlerësuar sëbashku gjendjen e sigurisë dhe të stabilitetit në vend, në një kohë kur lufta ndaj terrorizmit dhe kundër krimit të organizuar si një nga format e shfaqjes së tij apo si prapavijë e tij kanë marrë tashmë përmasa globale.
Ngjarjet e fundit në Turqi dhe vende të tjera që vijuan pas goditjeve terroriste në Irak tregojnë dhe për ne se rreziku është eminent për të gjitha shtetet e rreshtuara në koalicionin ndërkombëtar të antiterrorit, ku natyrshëm qeveria dhe shteti shqiptar janë pozicionuar pa ekuivoke dhe me kontribute reale qysh pas ngjarjeve tragjike të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky rreshtim mbetet vendimtar jo vetëm për të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë, por edhe për sigurinë e sotme të shtetasve tanë, për kontributet tona në rajon, për progresin ekonomik dhe social të vendit, për stabilitetin dhe konsolidimin e shtetit ligjor në Shqipëri.
Si pasojë e përfshirjes në zhvillimet globale edhe gjendja e sigurisë në Shqipëri nuk mund të shihet jashtë zhvillimeve ndërkombëtare, ku aleanca e vendeve demokratike po reagon gjithnjë e më ashpër kundër terrorit. Nga kjo pikëpamje gjendja e sigurisë në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe në kufijtë e saj ka nevojë për më tepër veprime intensive dhe të koordinuara në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. Për këto shkaqe, para pak ditësh, thirra në tryezën e koordinimit të qeverisë me disa drejtues institucionesh si Prokuroria, Rendi Publik, Drejtësia dhe Shërbimi i Inteligjencës, me të cilët ndamë informacionin dhe vlerësimet se Shqipëria ka hyrë në një fazë vendimtare dhe pa kthim në luftën globale kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe trafiqeve. Pavarësisht se fenomene të tilla janë eksportuar apo tranzituar në Shqipëri për shkak të hapjes me botën, ne mbetemi të ndërgjegjshëm se pjesa jonë e detyrave qeverisëse është e ngjeshur dhe ne jemi të aftë t'i përmbushim më së miri ato.
Për qeverinë që unë drejtoj, si për çdo qeverisje serioze, çështjet e sigurisë globale, kombëtare, apo të sigurisë së individit gjithashtu, nuk kufizohen vetëm në raportet e krimit me shtetin, shoqërinë apo vendet që e rrethojnë. Konsolidimi i shtetit të së drejtës, qëndrueshmëria e rritjes dinamike të ekonomisë e të mirëqënies së shqiptarëve, nxitja dhe mbrojtja e sipërmarrjes së ligjshme, zgjerimi i infrastrukturave të komunikimit dhe të tregut, mbështetja e njerëzve në nevojë gjithashtu janë faktorë kryesorë që godasin dhe eleminojnë edhe burimet apo rrjetet e krimit, të trafiqeve apo të terrorit. Angazhimet e kësaj qeverie për këto çështje themelore të drejtimit të shtetit janë të realizuara tërësisht dhe në përputhje me mandatin që Kuvendi i Shqipërisë na ka dhënë më 31 korrik 2002.
Për këto arsye vlerësoj se lidhja e debateve politike a publike të kohëve të fundit për kushtetutshmërinë apo ligjshmërinë e qeverisë me realitetin e qeverisjes që po jeton vendi është thelbësisht spekulative. Aq më tepër bëhet destruktiv përsa i takon angazhimit tonë ndërkombëtar kundër terrorizmit apo angazhimeve kombëtare në luftë kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve.
Mesa duket dhe, për fat të keq, segmente të politikës janë të mpleksura me interesa ilegjitime që sponsorizohen herë nga klane informale, herë nga bota e krimit apo e trafiqeve. Vetëm zhdukja e industrisë kriminale të gomoneve dhe skafeve u ka kushtuar pronarëve dhe avokatëve të tyre në politikë një fitim vjetor të munguar prej 100 milion dollarësh. Vërtet mbetem i bindur dhe i vendosur se ne mund të rrezikojmë edhe pushtet politik për të bërë shtetin ligjor e për të shpëtuar shoqërinë shqiptare nga rreziqet e trafiqeve a të krimit. Kam bindjen se janë këto interesa të dyshimta që orientojnë apo mbështesin debatin mbi kushtetutshmërinë e kësaj qeverie, vë në pikëpyetje legjitimitetin e maxhorancës antitrafik apo përpiqen të bllokojnë veprimin e ekzekutivit në luftë kundër krimit.
Kushdo që bën politika apo merr pjesë në të duhet të kuptojë përfundimisht që programet politike të një ekipi maxhoritar qeverisës, pasi konkurojnë dhe fitojnë në zgjedhje, janë thjesht promotor të vënies në lëvizje të pushteteve ligjore për zbatimin e tyre. Institucionet organizohen dhe funksionojnë mbi bazën e rregullave të vendosura nga shtetasit, kur këta miratuan në referendum Kushtetutën. Duke qenë në punë për plotësimin sa më parë të vendeve vakant të dy ministrave qëndrimet e mia institucionale rreth kësaj krize të imponuar dhe artificiale janë formalizuar gjithashtu para Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, me anë të dy letrave veçanërisht për zgjidhjen përfundimtare të vakumeve apo korrigjimin e keqzbatimit të Kushtetutës së vendit.
Qeveria që unë drejtoj vlerëson se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është themeli i organizimit dhe funksionimit të shtetit të së drejtës. Ai është një dokument solid dhe bashkëkohor që i shërben stabilitetit dhe demokracisë së vendit. Si i tillë askush nuk ka tagrin e deformimit të saj, por të gjithë janë të detyruar ta zbatojnë atë me korrektesë.
Fatkeqësisht askush nga institucionet që kanë për detyrë sigurimin e zbatimit të Kushtetutës nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret për të korrigjuar praktikat e gabuara në zbatim të saj, por të gjithë i janë nënshtruar një debati shterp dhe jo produktiv të politikës së ditës. Kështu psh. e vetmja gjë që nuk lejon Kushtetuta jonë është vakumi në drejtimin politik të Ministrive. Në realitet e vetmja gjë që ka ndodhur është pikërisht vakumi. Ne zotërojmë argumenta ligjorë, tashmë të shprehur dhe të artikuluar, se kjo ka ardhur si rezultat i deformimeve në zbatimin e Kushtetutës për shkak të ndërhyrjes së politikës në të.
Siguria kombëtare nuk është atribut vetëm i qeverisë, për sa kohë ajo varet në masë të konsiderueshme edhe nga stabiliteti i vendit, i cili po kërcënohet nga veprime të papërgjegjshme të një opozite destruktive që tenton të rikthehet në praktikat e dështuara të terrorizmit politik dhe vepron pa pritur zgjidhje ligjore a përgjigje nga institucionet legjitime demokratike.
Pavarësisht këtyre diskutimeve dëshiroj të siguroj publikun e gjerë se administrimi i detyrave ekzekutive është korrekt, ligjor dhe funksional. Qeveria punon normalisht me të njëjtin ritëm si dhe para fillimit të këtij debati. Unë nuk besoj se publiku dhe partnerët ndërkombëtarë kanë ndjerë regres në menaxhimin e rendit publik psh., përkundrazi është i prekshëm progresi në luftë kundër krimit të organizuar apo abuzimit me detyrën dhe kjo ka hyrë në një fazë cilësisht të re. Goditja frontale që po u bëjmë krimit dhe trafiqeve po ndihmon në spastrimin e territorit nga këto fenomene, po kontribuon në rritjen e sigurisë së jetës dhe të bizneseve legjitime, si dhe po adreson pozitivisht të gjitha percepsionet e qeverive partnere që po na ndihmojnë pa rezerva në proçesin e integrimit të vendit në komunitetin euroatlantik.
Vetëm në takimet që pata javën e fundit me disa Kryeministra të vendeve të BE dhe të NATO-s konstatova vlerësime pozitive për vendosmërinë e qeverisë për thellimin e mëtejshëm të reformave, pavarësisht nga kostot reale dhe ato fiktive që provokohen.
Me këtë rast dëshiroj të theksoj për opinionin publik se lëvizjet politike që prodhojnë destabilitet ushqehen tërësisht nga interesa informale, që qeveria që unë drejtoj filloi para një viti t'i godasë ligjërisht. Prandaj dhe jemi të vendosur për t'i luftuar ato deri në fund, megjithëse kriminelët mund të investojnë për të qënë më të pajisur se policia, megjithëse trafikantët kanë më shumë të ardhura ende se prokurorët apo gjyqtarët. Në këtë luftë të pabarabartë, vullneti popullor mbështetës dhe ai politik i ekzekutivit kanë shënuar dhe do të shënojnë vetëm aksione suksesi dhe progresi. Ne nuk ndjehemi vetëm në këtë luftë, sepse ndihmohemi edhe nga partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë të vendit.
Ndërkohë kur qeveria po intensifikonte punën dhe rezultatet për të mos lejuar që nga Shqipëria të mbërrijë drogë në duart e fëmijëve tanë apo atyre të Evropës, të mos mbërrijnë prostituta që trondisin jetën e familjeve shqiptare apo të atyre europiane, të mos mbërrijnë mallra kontrabandë që shkatërrojnë konkurencën e ndershme a europiane, ne detyrohemi të përballojmë një opozitë të vjetër apo të çartur përballë nesh apo një opozitë brenda nesh që ka nisur gjithnjë e më shumë t'i ngjajë dhe të bashkëpunojë haptazi me të parën.
Ne jemi të bindur se situatat e sigurisë po përmirësohen dhe do të përmirësohen më tej, sepse të gjithë parametrat substancialë të matjes së zhvillimit të një shteti a shoqërie po njohin vetëm progres në Shqipëri. Edhe sipas raporteve të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe të Bankës së Shqipërisë, prodhimi kombëtar sivjet pritet të rritet me 6% ose ndryshe të kapë vlerën e 744 miliard lekëve. Për shkak të politikave makroekonomike të përgjegjshme lëvizja e çmimeve vazhdon të mbetet e kontrolluar në kufijtë e 4% rritje edhe për vitin 2003. Pagat e pensionet vazhdojnë të rriten më shpejt se çmimet, duke nxitur rritjen e mirëqënies së njerëzve. Papunësia ka rënë me 17 mijë vetë për 10 muajt e parë të këtij viti. Vetëm për përkrahje sociale dhe ndihmë ekonomike individëve dhe familjeve në nevojë këtë vit po shpenzohen 8.2 miliard lekë. Investimet publike dhe private, vendase dhe të huaja për vitin 2003 pritet të kalojnë kufirin e 1 miliard dollarëve. Janë të programuara për në negociata projekte publike apo private në vlerë për më shumë se 3 miliard dollarë në tre vitet e ardhshme.
Si konkluzion, për shkak të kësaj klime reale të progresit, stabilitetit dhe sigurisë në vend, partnerë strategjikë do të konkurojnë për privatizimin e Bankës më të madhe në vend, Bankës së Kursimeve, duke vijuar kështu shanse suplementare që ekonomia të ketë në dispozicion për kreditim edhe 1.5 miliard dollarë të tjerë që kjo Bankë zotëron në formë depozitash. Për shkak të kësaj klime reale progresi, stabiliteti dhe sigurie, vetëm javën e shkuar sipërmarrësit shqiptarë që shoqëruan Kryeministrin në vizita qeveritare në Bullgari, Rumani dhe Poloni, realizuan kontrata shkëmbimesh dhe investimesh që kapin shifrën 16 milion dollarë.
Marrdhëniet tona diplomatike vazhdojnë të jenë në përmirësim të vazhdueshëm. Nënshkrimi i fundit në Uashington i Deklaratës së Përbashkët pas mbledhjes së komisionit mes tre vendeve dhe SHBA-së për Kartën e Adriatikut, mesazhet miqësore dhe mbështetja e hapur, dialogu i qëndrueshëm dhe institucional për negociatat me BE-në, riafirmimi i mbështetjes partneriale të vendeve anëtare të BE-së për proçeset tona integruese, vizitat e mia qeveritare si dhe ato të Presidentëve polak dhe kroat në Shqipëri, si dhe ajo e nënsekretarit amerikan të shtetit Mark Grosman, janë vetëm disa nga këto mesazhe dhe arritje të kohëve të fundit.
Ne jemi të vendosur që të konsolidojmë edhe më tej dhe të perfeksionojmë një sistem të tërë të drejtësisë së organizuar kundër krimit të organizuar. Në janar të vitit të ardhshëm do të fillojë funksionimin për herë të parë Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila do të ndëshkojë profesionalisht kriminelë të rrezikshëm për Shqipërinë. E gjithë infrastruktura e nevojshme për funksionimin e saj është përgatitur tashmë. Qeveria do të nxjerrë edhe aktet e fundit nënligjore këto ditë.
Në konkluzion, suksesi më i spikatur që kemi arritur është konsolidimi i institucioneve tona demokratike, rritja e pavarësisë së tyre nga ciklet politike si dhe funksionimi mbi baza ligjore i administratës publike, tregjeve dhe shoqërisë civile, i lirisë së sipërmarrjes dhe stabiliteti makroekonomik në harmoni me interesat publike të zhvillimit dhe të sigurisë kombëtare. Prandaj të nderuar bashkëpunëtorë institucionalë, dëshiroj të theksoj se asgjë nuk do të na devijojë të gjithëve sëbashku nga detyrat e rëndësishme ekzekutive dhe shtetërore që kemi përpara. Në vijim ftoj të gjithë të pranishmit të shprehin vlerësimet e tyre në përputhje me rendin e ditës.
Faleminderit!