E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano është takuar sot paradite me një delegacion të Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale në Europë të kryesuar nga z. Yavuz Mildon. Kryeministri Nano në fillim

Kryeministri Fatos Nano është takuar sot paradite me një delegacion të Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale në Europë të kryesuar nga z. Yavuz Mildon.

Kryeministri Nano në fillim të këtij takimi ka garantuar vullnetin e Qeverisë Shqiptare për një proces zgjedhor të lirë demokratik dhe që siguron parimin "një votues një votë".

"Qeveria shqiptare është e vetëdijshme për rëndësisnë e këtyre zgjedhjeve . Ne ju ftuam ju që të vëzhgonit këto zgjedhje, me qëllim që ju të asistoni në imazhin e ri që ka krijuar Shqipëria. Qeveria Shqiptare ka përmbushur detyrat e saj për përgatitjen e këtyre zgjedhjeve", tha Kryeministri Nano duke shtuar se vlerëson misionin monitorues të ODIHR-it në Shqipëri si dhe Këshillin e Europës për vëmendjen që po i kushton procesit të zgjedhjeve lokale.

"Ne mbetemi të angazhuar për të vazhduar bashkëpunimin me ju për të pasur një proces elektoral të lirë të drejtë dhe demokratik", tha më tej Kryeministri duke vlerësuar partneritetin me OSBE ODIHR dhe organizmat e tjerë ndërkombëatrë që asistojnë Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit.

Kryeministri Nano ka shprehur bindjen e tij se këto zgjedhje do të shënojnë një progres të dukshëm drejt përafrimit të vendit tonë me standartet europiane.

Kryeministri Nano në këtë takim ka përmendur disa nga faktorët që kanë shënuar progres në përgatitjen e këtyre zgjedhjeve si: Kodi elektoral i hartuar në bashkëpunim me komunitetin europian dhe konsensusin e të gjitha forcave politike për këtë çështje; përmirësimi i Infrastrukturës zgjedhore për të cilën Qeveria Shqiptare ka financuar në drejtim të modernizimit të këtij procesi etj.

Bashkëbiseduesit janë ndalur edhe në reformën e decentralizimit të pushtetit vendor ku Kryeministri Nano i ka njohur me hapat e bëra nga qeveria lidhur me ecurinë e këtij procesi që konsiderohet si shumë i rëndësishëm nga ana e qeverisë shqiptare.

Më pas Kryeministri Nano i ka uruar delegacionit të Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale në Europë punë të mbarë në misionin e tyre të monitorimit të zgjedhjeve lokale në vendin tonë.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e këtij delegacioni theksuan rëndësinë e zhvillimit të një procesi elektoral korrekt dhe të parametrave europianë. Ata u shprehën të kënaqur nga përgatitjet e deritanishme si dhe nga impenjimi i Qeverisë shqiptare në organizimin e një procesi elektoral të drejtë dhe demokratik.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›