Kryeministri Fatos Nano gjatë ditës së dytë të vizitës zyrtare në Athinë ka zhvilluar një takim me Asosacionin e Industrialistëve grekë, ku merrnin pjesë përfaqësues të biznesit të fuq
Kryeministri Fatos Nano gjatë ditës së dytë të vizitës zyrtare në Athinë ka zhvilluar një takim me Asosacionin e Industrialistëve grekë, ku merrnin pjesë përfaqësues të biznesit të fuqishëm të Greqisë. Në këtë takim Kryeministri Nano shoqërohej nga Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së shqipërisë z. Luan Bregasi si dhe përfaqësues të tjerë të kësaj dhome. Në takim mori pjesë edhe Ministri i Ekonomisë z. Anastas Angjeli.
Kryetari i Shoqatës së Industrialistëve grek në fillim të këtij takimi i ka uruar mirëseardhjen Kryeministrit shqiptar si dhe është shprehur se kjo vizitë është një hap shumë i rëndësishëm dhe një garanci më tepër për biznesmenët grekë që të afrohen me investimet e tyre në Shqipëri.
Gjithashtu, z. Luan Bregasi Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri theksoi se ky organizëm ka një bashkëpunim shumë të mirë me biznesin grek që është prezent në Shqipëri me investimet e tyre. Ai shtoi se biznesi shqiptar vlerëson dhe është i hapur për të thelluar më tej bashkëpunimin për një partneritet të ngushtë me sipërmarrjen greke.
Të dy autoritetet e larta të bizneseve të të dy vendeve kanë falënderuar me këtë rast Kryeministrin Nano për këto iniciativa, të cilat afrojnë dhe konsolidojnë më tej bashkëpunimin mes biznesmenëve grekë dhe atyre shqiptarë.
Kryeministri Fatos Nano në këtë aktivitet u shpreh:
"Përpara se të filloj, më lejoni që në emër të Qeverisë Shqiptare, të uroj Ambasadën e Greqisë dhe Dhomën e Tregtisë së Greqisë, për organizimin e këtij takimi me përfaqësues të biznesit nga të dy vendet tona.
Ky takim, i cili zhvillohet në një kohë kur bashkëpunimi mes komuniteteve tona të biznesit po rritet gjithnjë e më shumë, do të çojë më përpara edhe bashkëpunimin ekonomik dhe atë komercial, që ekziston aktualisht mes vendeve tona.
Dhe padyshim, përfaqëson një mundësi të madhe për të çuar në një nivel më të lartë investimet greke në Shqipëri.
Megjithatë, qëllimi ynë kryesor strategjik afatgjatë, mbetet sigurisht integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Rruga e gjatë dhe e vështirë drejt integrimit Europian, ka thelluar bashkëpunimin dhe integrimin rajonal, me negociatat për Marrveshjen e Stabilizim Asociimit të cilat përfaqësojnë një hap të rëndësishëm përpara në këtë proces.
Mbështetja e Greqisë, vazhdon të mbetet një faktor mjaft i rëndësishëm, duke i shtuar vlera të reja përpjekjeve tona Europiane.
Qeveria Shqiptare ka vendosur si alternativë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, përdorimin e potencialeve që kontribuojnë në rritjen e shkëmbimeve komerciale dhe investimeve në nivel rajonal dhe ndërkombetar.
Kështu, qeveria jonë i ka dhënë prioritet zhvillimit të sektorit privat, me krijimin e institucioneve të spikatura, për ta çuar këtë proces akoma më përpara.
E kam të qartë se ngritja e këtyre agjensive do t'i shërbejë promovimit të investimeve, rritjes së eksporteve dhe krijimit të një numri më të madh të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, që, të gjitha së bashku, duhet të kontribuojnë, për t'u sjellë prosperitet më të madh ekonomik qytetarëve të vendit tim.
Pra, aseti më i rëndësishëm që do të shërbejë për rritjen e nivelit të investimeve të huaja në Shqipëri do të jetë privatizimi i sektorëve ekonomikë strategjikë kyç si: telekomunikacioni, bankat e vogla dhe korporatat bankare, siguracionet, nafta dhe gazi.
Një tjetër burim do të jetë stimulimi i vazhdueshëm i sektorit privat, me projekte që lidhen direkt me sigurimin e shërbimeve tona publike më të rëndësishme.
Qeveria Shqiptare, do të synojë të rrisë nivelin e investimeve në turizëm, në shfrytëzimin e burimeve minerare dhe krijimin e parqeve industriale, të cilat së bashku, do të sigurojnë që eksportet shqiptare të mbeten konkuruese në tregjet botërore.
Megjithatë, një nga pengesat kryesore që vazhdon të bllokojë rritjen e investimeve të huaja dhe përparimin ekonomik, janë barrierat administrative.
Një vlerësim i bërë kohët e fundit, ka treguar se këto barriera lidhen me implementimin e procedurave doganore, taksave, çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e pronësisë së tokave, lejet e ndërtimit, si dhe procedurat që lidhen me liçencat.
Qeveria që unë drejtoj, nëpërmjet diskutimeve me komunitetin e biznesit, ka zhvilluar tashmë një plan konkret dhe serioz, me qëllim zgjidhjen e këtyre çështjeve të trashëguara.
Siç është ky rast në të gjithë botën perëndimore, sfida kryesore me të cilën përballet sektori privat, është të gjejë një klimë pozitive, në të cilen biznesi mund të prosperojë lirisht, i papenguar nga rregullimet e detyruara qeveritare.
Masa të caktuara për të arritur këtë qëllim janë:
• Forcimi dhe zhvillimi institucional;
• Krijimi i një kuadri ligjor dhe fiskal konkurues;
• Përmirësimi dhe forcimi i sistemeve të kreditimit;
• Mbështëtja për një zhvillim të barabartë ndërmjet zonave dhe sektorëve.
Kështu, unë kam kënaqësinë t'ju bëj me dije se, pavarësisht nga projektet e bashkëpunimit dypalësh, çdo vit niveli i shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona, është rritur ndjeshëm me Greqinë, e cila përfaqëson tashmë një nga partnerët tanë kryesorë tregtarë.
Gjatë vitit 2003 eksportet Shqiptare drejt Greqisë perfaqësonin 12.8% të volumit total të eksporteve tona, ndërsa importet Greke përfaqësonin 20.1% të importeve totale.
Këto janë suksese të mëdha dhe është diçka që ne duhet ta pranojmë me krenari.
Kam gjithashtu kënaqësinë të them se komuniteti i biznesit Grek në Shqipëri po rrit aktivitetin e vet me ritme të përshpejtuara, duke luajtur një rol aktiv në nxitjen e shkëmbimeve komerciale.
Ekziston tashmë një traditë e fortë e bashkëpunimit ekonomik mes tregtisë Greke dhe asaj Shqiptare. Shpresoj se Shoqëria Greke e Investitorëve, do të vendosë së shpejti zyrën e vet në Shqipëri, ashtu si dhe do të kontribuojë më tej në komunitetin e biznesit në Shqipëri.
Investitorët e huaj Grekë përfaqësojnë një sektor aktiv, veçanërisht ata të përfaqësuar nga komuniteti bankar, që ofrojnë një kontribut me vlera të larta për përmirësimin e legjislacionit që lidhet me zhvillimin e biznesit.
Biznesi Grek në Shqipëri ofron jo vetëm vlera përsa i përket investimeve të tyre kapitale, por ofron gjithashtu asistencë të madhe përsa i përket eksperiencës së tyre profesionale, që vazhdon të kontribuojë në mbështëtjen e sektorit privat ne Shqipëri.
Qeveria Shqiptare ka dhe do të vazhdojë të ketë, politika të jashtme rigoroze dhe të pakufizuara të tregut të lirë.
Është fakt se që prej vitit 1999, regjimi komercial i import-eksportit ka qënë krejtësisht i liberalizuar, me tendencën e ndryshimit të tarifave maksimale, të cilat janë ulur nga 40% që ishin në 1996, në 30% në 1997, dhe vetëm në 15% aktualisht.
Qeveria Shqiptare, është e ndërgjegjshme se potenciali për marrdhëniet ekonomike dhe komerciale mes vendeve tona, nuk është eksploruar ende plotësisht. Shpeshtimi pozitiv i kontakteve, veçanërisht në marrdhëniet mes komuniteteve të biznesit, do të shërbejë sigurisht, si nxitje për rritjen e nivelit të investimeve Greke.
Situata e re në rajonin tonë, tregon nevojën e integrimit ekonomik të Shqipërisë me vendet e tjera të Europës Juglindore. Qeveria Shqiptare është e angazhuar të vazhdojë implementimin e reformave ekonomike dhe strukturore që do të kontribuojnë në përmirësimin e ekonomisë liberale të tregut – duke përmirësuar klimën e investimeve dhe duke rritur zhvillimin e një sektori privat dinamik dhe të lulëzuar.
Në kuadrin e integrimit rajonal, Shqipëria është një anëtare plotësisht aktive në shumë projekte financiare kyçe, që do të ndihmojnë në implementimin e objektivave të Paktit të Stabilitetit.
Kam edhe njëherë kënaqesinë të them se pjesëmarrja e komunitetit të biznesit në shumë prej këtyre aktiviteteve, së bashku me mbështetjen e fortë dhe të dobishme ndërkombëtare, po bëhet gjithnjë e më shumë evidente dhe e suksesshme.
I urojmë jetë të gjatë kësaj marrëdhënie".
Gjatë pasdites së sotme Kryeministri Fatos Nano do të zhvillojë takime edhe me Ministrin e Mbrojtjes së Greqisë z. Spyliotopoulos, si dhe me Ministrin e Turizmit të këtij vendi.