Zëvendëskryeministri Namik Dokle ka pritur sot pasdite, në një takim të veçantë, një delegacion të nivelit të lartë të UNESCO-s, i përbërë nga drejtues dhe specialistë të Zyrës së V
Zëvendëskryeministri Namik Dokle ka pritur sot pasdite, në një takim të veçantë, një delegacion të nivelit të lartë të UNESCO-s, i përbërë nga drejtues dhe specialistë të Zyrës së Venecias, e cila është krijuar për të mbuluar rajonin e Mesdheut.
Në këtë delegacion merrnin pjesë personalitete të tilla si Dr. Horst Godicke, z. Dino Bumbaru Sekretar i Përgjithshëm i ICOMOS-it, njësi e specializuar e UNESCO-s për trashëgiminë historike monumentale, z. Damir Dijakovic përfaqësues i zyrës së UNESCO-s si dhe znj. Mari Pol Rudil drejtore e Zyrës së Venecias.
Zëvendëskryeministri Namik Dokle në këtë takim u njoh me faktin se specialistët e Zyrës së Venecias do të relatojnë për dosjen e Gjirokastrës në Konferencën e përvitshme tw UNESCO-s, që sivjet do të zhvillohet në Kinë, ku edhe pritet të merret vendimi për përfshirjen e Gjirokastrës në Trashëgiminë Botërore.
Lidhur me këtë çështje z. Dokle u shpreh se përfshirja e pjesës muzeale të Gjirokastrës në trashëgiminë botërore do të përfaqësonte një ndihmë të madhe jo vetëm për këtë qytet dhe për vlerat që ai mbart, por edhe për kulturën tonë dhe atë botërore. "Së bashku me Sarandën këto qytete do të krijonin një segment të turizmit kulturor dhe atij bregdetar', tha z. Dokle.
Mw tej bashkëbiseduesit diskutuan mbi interesin shkencor, kulturor dhe vlerat e trashëgimisë që ofron Shqipëria me monumentet kulturore të aspektit material dhe shpirtëror me vlera globale.
Në këtë takim Z. Dokle dhe përfaqësuesit e këtij delegacioni ndanë të njëjtin opinion se "integrimi i Shqipërisë në BE nuk është i plotë pa integrimin kulturor, sepse në themel të Europës së Bashkuar qëndron pluraliteti kulturor". Në këtë kuadër z. Dokle theksoi se duhet vlerësuar pasuria e Shqipërisë me monumente kulturore të trashëgimisë materiale, në të gjithë territorin gjeografik të saj.
Gjithashtu, përfaqësuesit e delegacionit të UNESCO-s shprehën një admirim të veçantë për trashëgiminë historike monumentale të Shqipërisë, pas vizitave që kishin zhvilluar në qytete të tilla si Shkodra, Lezha, Durrësi, Berati, Gjirokastra, Sarandë,Bylisi etj.
Z. Dokle i ka njohur përfaqësuesit e Zyrës së Venecias me predispozicionin e Qeverisë Shqiptare dhe të vetë Kryeministrit Fatos Nano për "Planin Kombëtar" të rigjallërimit të 40 monumenteve të shpallura me rëndësi kombëtare, ku përfshihen kala, qendra historike dhe sita arkeologjike. "Për këtë qëllim,- tha z. Dokle- do të ngrihet edhe një komision ndërministerial i cili do të drejtohet nga Kryeministri Nano".