E Diel, 1 Nëntor 2026

Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Greqi, Kryeministri Fatos Nano është pritur sot paradite në selinë kryeministrore të Athinës nga Kryeministri grek Kosta Karamanlis. Fillimisht, dy kr

Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Greqi, Kryeministri Fatos Nano është pritur sot paradite në selinë kryeministrore të Athinës nga Kryeministri grek Kosta Karamanlis. Fillimisht, dy kryeministrat kanë zhvilluar një takim kokë më kokë, i cili ka zgjatur rreth 15 minuta dhe më pas dy kryeministrat kanë vazhduar bisedimet zyrtare mes dy delegacioneve.

Në përfundim të takimit, Kryeministri Nano dhe homologu i tij grek Karamanlis, bënë një deklaratë përpara mediave.

Kryeministri Kosta Karamanlis:

Pata kënaqësinë të takohem sot me Kryeministrin e Shqipërisë mike, Zotin Fatos Nano. Në bisedimet tona zyrtare, konstatuam me kënaqësi se marrëdhëniet tona kanë hyrë tashmë në një rrugë të qëndrueshme dhe të pakthyeshme drejt progresit të vazhdueshëm.

Patëm rastin të bëjmë një rivlerësim të të gjitha marrëdhënieve tona dypalëshe, të cilat tashmë po ecin në një kuadër të qëndrueshëm dhe të konsoliduar me kursin e duhur dhe mbi një bazë solide që është Traktati i Fqinjësisë së mirë, Bashkëpunimit dhe Sigurisë, që kanë nënshkruar të dy vendet tona si dhe vullnetin e përbashkët politik për të përballuar sfidat e të ardhmes, në kuadrin e Europës së Bashkuar në bazë të parimeve europiane, që siç theksova më së fundi në takimin me Kryeministrin në Sarajevë, me vështrimin drejt të ardhmes dhe jo të mbërthyer tek e kaluara.

Përsa i përket marrëdhënieve dypalëshe të cilat të dyja palët i konsiderojnë të një rëndësie strategjike konstatuam progresin pozitiv që shënuan në fushën ekonomike, ushtarake dhe policore, si dhe në fushën e kulturës. Qëllimi ynë është t'i zgjerojmë këto marrëdhënie dhe t'i japim një hov këtij bashkëpunimi edhe në fusha të tjera. Jam i kënaqur që Qeveria Shqiptare përmes Kryeministrit të saj rikonfirmon angazhimin dhe vullnetin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona, duke e konsideruar Greqinë si një mik dhe partner të sinqertë.

Siç e dini, u japim rëndësi të veçantë çështjeve të minoritetit grek që jeton në Shqipëri, të drejta që burojnë nga konventa ndërkombëtare. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut është pjesë e Koalicionit qeveritar në Shqipëri, fakt që tregon kontribut e minoritetit në jetën politike dhe sociale të vendit fqinj, mik.

Informova, gjithashtu, Kryeministrin shqiptar për hapat tepër pozitive që ka marrë Greqia dhe Qeveria greke, për integrimin ekonomik dhe social të emigrantëve shqiptarë të cilët kanë dhënë një kontribut në stabilitetin ekonomik të Greqisë por edhe në zhvillimin e Shqipërisë.

Përsa i përket perspektivës europiane të Shqipërisë padyshim në këtë drejtim po hidhen hapa të rëndësishëm dhe padyshim kërkohen shumë përpjekje për të arritur objektivin që ka parashtruar Komisioni Europian dhe që Shqipëria po punon në këtë drejtim. Në këtë përpjekje Greqia do të qëndrojë në krah të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar. Duke i uruar edhe njëherë mirëseardhjen Kryeministrit të Shqipërisë, mikut, Z.Fatos Nano, dhe duke ditur se ai ka një program të ngjeshur takimesh zyrtare në Athinë, i uroj një qëndrim të frytshëm dhe të këndshëm në Greqi.

Kryeministri Fatos Nano:

Kam kënaqësinë dhe nderin të ndaj me Kryeministrin Kosta Karamanlis të njëjtin vlerësim për etapat e marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe për nevojën e konsolidimit të mëtejshëm të inisiativave të bashkëpunimit dhe të partneritetit dypalësh dhe europian midis Shqipërisë dhe Greqisë në kuadrin e kësaj vizite të parë zyrtare në Greqi pas konstituimit të qeverisë së re greke të kryesuar nga Z.Karamanlis, e cila jo vetëm konsolidon arritjet e deritanishme midis dy vendeve tona por përbën një pikënisje të re për zhvillimin e tyre dinamik në të ardhmen, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Konstatova më kënaqësi të veçantë se bashkëpunimi dypalësh është një partneritet i sigurtë i mbështeur në vlerat evropiane dhe që stimulon më tej procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Europian dhe në Aleancën e Antlantikut Verior. Është një stimul i madh për Qeverinë Shqiptare që Qeveria e Greqisë, mike e shikon si synim strategjik edhe politikën e saj të fqinjësisë së mirë.

Unë mora mbështetjen e qartë të Kryeministrit Karamanlis që Greqia do të vazhdojë të jetë përkrah Shqipërisë në këtë proçes historik që ndikon edhe në zhvillimin e mbarë rajonit duke synuar edhe mbylljen e negociatave dhe nënshkrimin e marrëveshjes së asociimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian para mesi të vitit 2005, si dhe për të përcaktuar një rrugë dhe kalendar të qartë për antarësimin e Shqipërisë në NATO ku Samiti i Stambollit në Qershor të këtij viti është një kartë e rëndësishme.

Mendoj se ndër vendet e tjera të rajonit Shqipëria ka fatin të ketë dy fqinj aleatë strategjikë në strukturat euro-atlantike, Greqinë dhe Italinë, çka përbën një garanci për të ardhmen e sigurt dhe të pakthyeshme të vendit tonë në Europë.

Përfitoj nga rasti t'ju drejtohem të gjithë bashkëatdhetarëve të mi që jetojnë dhe punojnë në tokën greke se, mora të gjithë mbështetjen e duhur nga Kryeministri grek për legalizimin dhe normalizimin e qëndrimit të tyre në këtë vend, duke i konsideruar ata si dhe minoritetin në Shqipëri, ura të çmuara miqësie dhe bashkëpunimi midis dy vendeve dhe popujve tanë fqinj.

Nisur nga sensibilitetet e shprehura kohët e fundit ne e shqyrtuam me vëmendjen e duhur dhe të posaçme dhe shprehëm vullnetin e përbashkët politik për të zgjidhur të gjithë çështjet e mbetura pezull nga e shkuara historike si çështja e pronave të shtetasve shqiptarë në Greqi dhe atyre grekë në Shqipëri dhe ndaj vendosëm për të filluar më gjerë konsultimet e përbashkëta të ekspertëve për implementimin e detyrimeve që rrjedhin nga Traktati i Fqinjësisë së mirë, Bashkëpunimit dhe Sigurisë midis dy vendeve tona, në mënyrë të veçantë nga neni 15 i këtij Traktati, i nënshkruar në vitin 1996 dhe i ratifikiuar nga parlamentet e dy vendeve tona në 1997.

Gjatë takimeve, i theksova Kryeministrit Karamanlis gjithë mbështetjen dhe bashkëpunimin proaktiv të të gjitha strukturave të qeverisë dhe të shtetit shqiptar, si ato të rendit, mbrojtjes dhe të shërbimeve tona inteligjente, për mbarëvajtjen dhe zhvillimin me sukses të Lojrave Olimpike të Athinës, çka përbën një sfidë jo vetëm për Greqinë, por për të gjitha vendet e rajonit tonë, Europës dhe Botës së qytetëruar në luftën pa kompromis kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Gjithashtu, ne ramë dakort të intesifikojmë dialogun politik dhe të vazhdojmë përpjekjet për të institucionalizuar marrëdhëniet tona shumë planëshe në të ardhmen e afërt, me vizita të ndërsjellta në të gjitha nivelet, duke nisur nga ato të nivelit më të lartë. Me këtë rast i përcolla homologut dhe mikut tim Karamanlis ftesën për të vizituar Shqipërinë në një kohë të afërt, ftesë e cila u prit me kënaqësi nga ai.

Pas takimit të zhvilluar me Z.Karamanlis, Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Petros Moiljatis.

Më tej, Z.Nano është pritur në një takim, e më pas në një drekë pune nga Kryetarja e Parlamentit të Republikës së Greqisë, Ana Benaki

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›