E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Fatos Nano gjatë vizitës së tij zyrtare në Kosovë ka zhvilluar takime edhe me Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës z. Hashim Thaçi, si dhe me Kryetarin e Partisë Ardhmëri

Kryeministri Fatos Nano gjatë vizitës së tij zyrtare në Kosovë ka zhvilluar takime edhe me Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës z. Hashim Thaçi, si dhe me Kryetarin e Partisë Ardhmëria e Kosovës z. Ramush Haradinaj.

Ne fillim te takimit z.Thaçi u shpreh se kjo vizitë e Kryeministrit Nano shënon një moment historik për Kosovën e cila ka gati 13 vjet që e mirëpret këtë çast. "Vizita juaj,- tha z.Thaçi,- hap një kapitull të ri për Shqipërinë dhe Kosovën për procesin integrues", ndërsa ka nënvizuar "kontributin e vyer të z.Nano në luftën për liri dhe paqe të kosovarëve".

Kryeministri Nano nga ana e tij shprehu vlerësimet për rolin e PDK-së, si një forcë politike e rëndësishme në Kosovë, në procesin e përmbushjes së standarteve, krijimin e klimës së bashkëjetesës dhe bashkëpunimit ndëretnik, si dhe për vazhdimin e dialogut politik mes të dy vendeve.

Zoti Nano theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit të forcave politike shqiptare për çështjet e mëdha me të cilat përballet Kosova, duke e cilësuar këtë si një tregues mjaft të rëndësishëm të përgjegjshmërisë dhe aftësisë së udhëheqësve kosovarë për të drejtuar vendin e tyre, drejt përmbushjes së standarteve perëndimore demokratike.

Gjithashtu, Kryeministri u shpreh se ka ardhur koha që Partia Demokratike e Kosovës të iniciojë procesin e anëtarësimit në Internacionalen Socialiste, një proces ky që do të ndihmojë edhe integrimin e kësaj force politike në forumet ndërkombëtare. Z. Nano siguroi se në këtë proces kjo parti do të gëzojë të gjithë mbështetjen e Partisë Socialiste të Shqipërisë, e cila është anëtare me të drejta të plota në këtë organizatë.

"Vlerësojmë qëndrimin e institucioneve dhe spektrit politik kosovar në tërësi dhe veçanërisht mbështetjen e dhënë nga PDK për përparimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit në nivel të grupeve teknike të punës, gjë që afirmon akoma më shumë Kosovën, si një faktor të rëndësishëm rajonal", tha Kryeministri shqiptar, duke vënë në dukje, më pas, disponimin e plotë të Qeverisë Shqiptare për mbështetjen e dialogut, si rrugë e rëndësishme për zgjidhjen e problemeve dhe çështjeve praktike, që prekin jetën e përditshme të entiteteve.

Ne vazhdim z.Thaçi e ka njohur Kryeministrin shqiptar me përgatitjet që po bën PDK, për procesin e afërt të zgjedhjeve, që do të zhvillohen në tetor dhe që, sipas tij, do të shënojnë një hap përpara në konsolidimin e demokracisë dhe forcimin e institucioneve në vend.

Kryeministri Nano, në këtë takim, ka ritheksuar edhe njëherë se në çështjet e integrimit nuk ka opozitë dhe partitë politike në Kosovë duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për të ecur përpara drejt progresit. Në këtë kuadër z. Nano theksoi edhe rëndësinë që ka procesi i bashkëpunimit edhe në nivel lokal të partive politike.

********

Në takimin me Kryetarin e Partisë Ardhmëria e Kosovës z.Ramush Haradinaj, Kryeministri Nano shprehu gadishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe shkëmbim eksperiencash mes Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe Partisë Ardhmëria e Kosovës.

Z.Nano shprehu bindjen se UNMIK-u, institucionet vetëqeverisëse dhe populli i Kosovës do te bashkepunojne edhe ne vazhdim ne drejtim te sigurise dhe stabilitetit në Kosovë.

Kryeministri u ndal edhe në çështjen e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë të parashikuara të mbahen në vjeshtë të këtij viti, të cilat, sipas z.Nano, do të konfirmojnë edhe një herë hapat e ndërrmarra në drejtim të europianizimit të Kosovës, ecurinë e proceseve demokratike dhe përkushtimin e shqiptarëve të Kosovës për të ndërtuar një të ardhme sa më të qetë dhe të sigurt, me anë të institucioneve vetëqeverisëse demokratike.

Z.Haradinaj këtë vizitë të Kryeministrit Nano e ka cilësuar si "një moment të veçantë për të gjithë Kosovën, i cili sjell në kujtesë rolin tuaj të pazëvendësueshëm në përpjekjet për lirinë e Kosovës".

Gjithashtu, Kryeministri Nano ka rimarrë edhe njëherë idenë e procesit të integrimit të forcave politike kosovare në forumet ndërkombëtare, pasi, sipas tij, integrimi i partive ndikon drejtpërsëdrejti në integrimin e Kosovës. "Ju nuk duhet të vonoheni për këtë,- tha z.Nano - dhe kjo është e rëndësishme".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›