Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot një takim të veçantë me Presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova. Në fillim të takimit Z.Rugova u shpreh se ka mirëpritur vizitën e Kryeministrit Nano
Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot një takim të veçantë me Presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova.
Në fillim të takimit Z.Rugova u shpreh se ka mirëpritur vizitën e Kryeministrit Nano në Kosovë dhe se ky takim i shërben forcimit të marrëdhënieve të lidershipit në Shqipëri dhe Kosovë.
Z.Nano nga ana e tij i shprehu Z.Rugova ftesën për një vizitë në Shqipëri, duke theksuar se ai ishte i mirëpritur nga të gjithë atje. Z Rugova ka falenderuar Kryeministrin Nano duke pranuar ftesën për një vizitë në një kohë të afërt.
Më tej, dy personalitetet diskutuan për konkretizimin e programeve të bashkëpunimit midis institucioneve të të dy vendeve, për bashkëpunimin ekonomik dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare, projektet në infrastrukturë dhe energjitikë, fillimin e rrugës Durrës-Prishtinë, si dhe përpjekjet e Shqipërisë dhe Kosovës për integrim në strukturat Euroatlantike.
Kryeministri Nano e njohu Presidentin Rugova me zhvillimet në Shqipëri dhe procesin e reformave që ka ndërmarrë Qeveria Shqiptare, që do ta çojnë Shqipërinë më pranë standarteve ndërkombëtare.
Nga ana e tij Z.Rugova vlerësoi si tepër të rëndësishëm rolin e Qeverisë Shqiptare si faktor stabiliteti në rajon dhe nxitës i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.
Po ashtu, Z. Nano vlerësoi zhvillimet inkurajuese që kanë ndodhur gjatë kësaj kohe në Kosovë, ecurinë pozitive të proceseve demokratizuese, konsolidimin e mëtejshëm të institucioneve vetqeverisëse kosovare, si dhe përpjekjet për përmbushjen e standarteve dhe arritjen e një stabiliteti të qëndrueshëm politik, ekonomik dhe social.
Kryeministri Nano vlerësoi rolin e Z. Rugova në vend dhe veprimtarinë me faktorin ndërkombëtar për përmbushjen e standarteve për Kosovën. Ai ka rikonfirmuar mbështetjen e Qeverisë Shqiptare ndaj planit për implementimin e tyre, si mënyra më e mirë për ta përgatitur Kosovën të shkojë sa më parë drejt zgjidhjes përfundimtare të statusit të saj.
"Zgjidhja e çështjes së Kosovës është një çështje e vendimit demokratik të qytetarëve të saj, në bashkëpunim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare", tha Kryeministri Nano.
Kryeministri Nano vlerësoi qëndrimin e Z.Rugova, të Qeverisë së Kosovës dhe spektrit politik kosovar në tërësi për avancimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, ndërkohë që ka shprehur angazhimin e Qeverisë së Shqipërisë për mbështetjen e këtij procesi.
Dy personalitetet e larta ndanë të njëjtin mendim se ka ende shumë çështje që kërkojnë vëmendjen e veçantë të autoriteteve vendase dhe administratës ndërkombëtare për zgjidhjen e tyre adekuate, e cila mund të arrihet nëpërmjet bashkëpunimit mes tyre.
"Qeveria shqiptare do të vazhdojë bashkëpunimin me UNMIK-un dhe institucionet vendore me qëllim përfshirjen më të madhe të tyre në proceset e vendimmarrjes, bashkërendimin e politikave që qëndrojnë më pranë interesave të popullit kosovar, si dhe uljen e tensioneve të panevojshme", u shpreh Kryeministri Nano.