Kryeministri Fatos Nano i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Kosovës, zotit Ibrahim Rugova me rastin e rizgjedhjes në këtë detyrë. Në këtë mesazh, zoti Nano shprehet: "Rizgjed
Kryeministri Fatos Nano i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Kosovës, zotit Ibrahim Rugova me rastin e rizgjedhjes në këtë detyrë. Në këtë mesazh, zoti Nano shprehet:
"Rizgjedhja Juaj në postin e Presidentit të Kosovës, më jep kënaqësinë e veçantë t'Ju përgëzoj përzemërsisht duke Ju uruar për një vazhdimësi të suksesshme në realizimin e detyrës Suaj sa fisnike, aq edhe të vështirë.
Më lejoni t'Ju shpreh vlerësimin tim personal, për kontributin e çmuar që Ju jepni vazhdimisht për krijimin e kushteve optimale për të gjithë popullin e Kosovës, për një bashkëjetesë dhe mirëqenie që zhvillohet nga brenda, dhe që kthehet në burim stabiliteti dhe sigurie në rajon.
Jam i bindur se arritjet e deritanishme në Kosovë do të shërbejnë si gur themeli për përballimin e sfidave të reja më impenjative, që kërkojnë mirëkuptim dhe bashkëpunim të ndërsjellë dhe për të cilat unë shpreh bindjen time të palëkundur se Ju do t'i kapërceni me sukses.
Njëkohësisht shpreh besimin dhe dëshirën që marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Kosovës të ecin me këto ritme të larta bashkëpunimi, në funksion të aspiratave të përbashkëta për integrim sa më të shpejtë në familjen europiane.
Në këtë kontekst dëshiroj t'Ju siguroj se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë çdo përpjekje apo politikë që inkurajon përmbushjen e standarteve për një shoqëri demokratike, shumetnike dhe më pranë familjes europiane, me bindjen se autoritetet vendore në bashkëpunim dhe mirëbesim me ato ndërkombëtare, do të venë në zbatim të gjitha angazhimet e marra përpara popullit të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare".