E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot në mesditë në ceremoninë e organizuar me rastin e përvjetorit të 13-të të Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë. Në këtë ceremoni festive

Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot në mesditë në ceremoninë e organizuar me rastin e përvjetorit të 13-të të Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë. Në këtë ceremoni festive Kryeministri Nano u shpreh:

"Të dashur motra dhe vëllezër më të rinj, bashkëmoshatarë.

Ju faleminderit, që ditëlindjen e FRESH-it e keni kthyer sëbashku me ne, në një festë të vërtetë për të gjithë, për të gjithë socialistët, për të gjithë rininë progresiste dhe europeiste që ju përfaqësoni kaq mirë.

Kjo festë sapo ka nisur sivjet dhe do të vazhdojë për shkak të besimit tuaj të patundur, deri në fitoren bindëse të zgjedhjeve të verës. Kjo frymë do të vazhdojë kaq gjatë, sepse sëbashku do ta mbajmë të ndezur atë. Ju, përfaqesuesit më të denjë të rinisë, të angazhuar me aksionin e madh politik dhe qytetar do të realizoni, sëbashku me eksperiencën që kanë socialistët në Shqipëri, modernizimin dhe integrimin europian të vendit.

Si Kryetar i nderuar i të gjithë socialistëve kam kënaqësinë të vlerësoj pjekurinë e organizatës suaj, energjinë, efikasitetin, hapjen e saj dhe gadishmërinë e pashtershme për të ndërrmarrë aksione politike, që mbështesin maxhorancën progresiste, që do të integrojë Shqipërinë në europën e Bashkuar.

Më lejoni të vlerësoj me notën maksimale angazhimin tuaj, në gjithë lëvizjen për progres, që karakterizoi edhe dy fazat e Kuvendimit të Madh të socialistëve me të gjithë shqiptarët. Ishit ju që përçuat sidomos, pa asnjë humbje, mesazhet e vullnetit për reforma dhe politikës progresiste për njerëzit në të gjithë Shqipërinë, për aspiratat e tyre që e gjithë Shqipëria të bëhet si ju, e re dhe Europiane.

Siç shihet, ne, kemi ndezur motorrët e angazhimit të progresistëve për të fituar zgjedhjet historike të mesit të vitit 2005. Kam kënaqësinë t'ju bëj me dije se, në veprimin politik të këtij viti, përgjegjësitë detyrat meritat dhe përfitimet tuaja janë të patjetërsueshme nga askush tjetër. Ju dhe Gruaja Socialiste, si pjesët më vitale të armatës socialiste në mbarë Shqipërinë do të vazhdoni të jeni bërthama dhe motorri i lëvizjes së këtij koalicioni të madh të progresit, që do të konsolidojë reformat europiane të Shqipërisë.

Ky model i socialistëve për të harmonizuar eksperiencën dhe energjitë e brezave dhe gjinive nuk mund të qëndrojë në këmbë pa dashurinë dhe solidaritetin tonë tradicional, respektin mbështetur në meritën, bashkëveprimin që të hap vizione të reja, vlerat dhe traditat e shëndosha që kemi instaluar ne në Shqipëri, në sajë të paqes sociale dhe pajtimit kombëtar, të cilat nuk mund të lejojmë të kërcënohen më nga regjimi i dhunës, regjimi i Berishës, regjimi i së errtës së djeshme.

Ne pra, sot, angazhohemi solemnisht për t'i thënë ndal sërish, klikës revanshiste të Sali Berishës, që kërkon pushtetin për të shkatërruar shtetin dhe për tu hakmarrë ndaj transformimit progresist dhe europian, që ka izoluar këtë grup njerëzish nga skutat e së kaluarës.

Për ne socialistët dhe progresistët pushteti nuk është pasuri private dhe nuk është qëllim në vetvete. Ne kemi detyrë të shenjtë njerëzore dhe prindërore të mbrojmë brezin e ri nga ethet për pushtet dhe marrëzia e aventurierëve politikë të tipit Berisha.

Ne duam ta bëjmë këtë sëbashku me ju dhe për të mirën tuaj. Ne krenohemi me ju, se ju jeni jo vetëm aktivistë të palodhur politikë, por edhe nxënës të shkëlqyer, studentë të dalluar, ekspertë të aftë dhe profesionistë të reformave. Me burime njerëzore dhe investime si këto që vijnë prej jush Partia Socialiste dhe Shqipëria kanë garanci dhe forca se, rruga për në Europën moderne jo vetëm nuk ndërpritet, por shkurtohet çdo ditë. Me investime të tilla mbështetur në energjitë tuaja dhe në eksperiencën tonë qeverisëse ju garantoni të ardhmen tuaj dhe të mbarë shqiptarëve, duke zvogëluar mundësitë e të tjerëve që të luajnë me fatet e vendit.

Periudha deri në zgjedhje është e shkurtër. Unë ju ftoj të ndizni edhe ju motorët politikë, motorrët e energjive të pashtershme dhe të ëndrrave të pashlyeshme dhe të zbrisni me vrullin tuaj rinor në çdo fshat dhe lagje qyteti, të shtoheni në radhët e bashkëmoshatarëve si ortek i pastër dëbore, për t'u bërë dëshmimtarë dhe misionarë të arritjeve, të përballimit të sfidave dhe të realizimit të misionit historik që kemi ne socialistët dhe progresistët, integrimin e plotë dhe përfundimtar të Shqipërisë në familjen europiane.

Ne kemi sëbashku shumë energji. Si prindërit tuaj nuk ndihemi aspak të lodhur nga pesha e dy mandateve, që transformuan Shqipërinë në një vend normal dhe kaq afër me Europën. Ne sëbashku do të dimë të shfrytëzojmë për fitore dhe qëndrueshmëri të procesit të integrimit, pjekurinë e veteranëve, energjinë e rinisë, dashurinë e nënave dhe motrave, vendosmërinë e burrave socialistë në mbarë vendin.

Ne dimë të konkurojmë, prandaj jemi të bindur se do të fitojmë si militantë, si profesionistë, si reformatorë, si progresistë, si europianë dhe angazhime të tilla kanë një simbolikë të jashtëzakonshme kur thuhen në një ditë të shënuar si kjo, në ditëlindjen e FRESH-it, sepse ngjallin më shumë besim se kurrë.

Rroftë FRESH
Rroftë rinia shqiptare
Rroftë Shqipëria Europiane!"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›