E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot në mesditë në konferencën "Rritja e eksporteve, sfidë e ekonomisë shqiptare në integrim" organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Këshilli i Agro

Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot në mesditë në konferencën "Rritja e eksporteve, sfidë e ekonomisë shqiptare në integrim" organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar si dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Lushnje. Në këtë aktivitet me eksportuesit e produkteve bujqësore në Divjakë, Kryeministri Nano u shpreh:

"Kam kënaqësi që ndodhem sot mes jush, promotorët realë të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, rritjes së përgjithshme të mirëqënies dhe integrimit tonë europian dhe, ç'është më e rëndësishme në shfaqjen dhe nisjen e fitimit të terrenit nëpërmjet aftësisë konkurruese të sipërmarrjes vendase. Duket se ju jeni elita e saj, në projektet rajonale apo të vendeve të Bashkimit Europian që na rrethojnë dhe më gjerë, duke eksportuar dhe duke kontribuar në përmirësimin e bilancit të shkëmbimeve ekonomike dhe valutore të Shqipërisë në botë.

Eshtë e qartë tashmë, që ju jeni një nga Shoqatat më përfaqësuese të sipërmarrjes së qëndrueshme vendase me një fizionomi dhe patentë përfaqësimi të përcaktuar qartë. Jeni shoqata e eksportuesve të produkteve bujqësorë ose elita e agrobiznesit vendas. Do më lejoni t'i quaj edhe ambasadorë të natyrshëm, të besueshëm dhe efikasë të përfaqësimit të Shqipërisë në hapjen ekonomike, në integrimin në tregjet rajonale, apo më gjerë se kaq.

Gjithashtu, më rezulton që nga shumë indikatorë ekonomikë, të cilët mundemi t'i kalkulojmë për shkak të planeve tuaja të biznesit dhe transparencës me të cilën punoni edhe me administratën shtetërore, ju keni orientim të qartë drejt sipërmarrjeve prodhuese dhe eksportuese që kristalizojnë aftësinë tonë konkurruese në proçesin e integrimit.

Më lejoni pra t'ju them që unë ju konsideroj si modelin më të mirë të sipërmarrjes efikase, modelin më të mirë të rritjes së qëndrueshme ekonomike, si modelin konkurrues të modernizimit të strukturës ekonomike, pra dhe të integrimit tonë ekonomik në tregjet globale.

Zgjodhëm sëbashku me drejtuesit e kësaj organizate, pararojë të sipërmarrjes shqiptare, këtë moment, për të bashkëbiseduar, sepse më rezulton se eksportet shqiptare, pas një krize dhe stajnacioni që zgjati një dekadë, po rilindin në mënyrë konkurruese. Produktet tuaja të markës shqiptare po arrijnë të përmbushin kërkesat dhe standartet e tregut europian, duke sjellë rritje në tërësi të vëllimit të eksporteve shqiptare në vlerë prej 47%. Ky krahasim bëhet vetëm me një vit më parë.

Ky është një ogur shumë i mirë, por dhe një motiv stimulues që vjen si një bum i rëndësishëm në programet ekonomike të Qeverisë dhe në negociatat që ne bëjmë me partnerët dhe donatorët e ndryshëm, në funksion të angazhimit më efikas, më prioritar dhe më racional në funksion të burimeve, energjive të tregut vendas, të sipërmarrjes vendase, dhe natyrisht të përshtatjes më të mirë të hapësirave ligjore dhe politikave stimuluese për një rritje më të qëndrueshme ekonomike të vendit, natyrisht dhe të eksporteve.

Eksportet tona sot kanë arritur të zënë 7% të GDP-së së prodhimit të përgjithshëm kombëtar bruto, por po ta zbërthejmë më tej këtë tregues rezulton se gjysma e tyre vjen nga sektori bujqësor. Prandaj merr përparësi, në negociata me ju, marrja e angazhimeve deri në kontratën e zhvillimit elitë.

Jam këtu për të vazhduar e thelluar proçesin e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit të Qeverisë me sipërmarrjen vendase, dhe natyrisht kjo nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanshme. Më vjen mirë që kam tashmë- për shkak të pjekjes edhe të këtij dialogu nga Ministri i Ekonomisë dhe për shkak të partneritetit që kam edhe me drejtues të shoqatave të biznesit apo të dhomave të tregëtisë- informacionin e duhur që do të na indikojë, përcaktojë instrumente, rrugë, politika dhe marrëveshje më nxitëse në dobi të eksporteve dhe në dobi të ballancimit më të mirë të shkëmbimeve me tregjet e tjera, por duke ruajtur ritmin më të lartë të rritjes së eksporteve në krahasim me GDP.

Kjo rritje stimuluese e eksporteve që është konstatuar në 12 muajt e fundit natyrisht ndjek frytet e disa transformimeve të dekadës së fundit. Si rezultat i reformave disavjeçare të ndërmarra në ekonominë kombëtare dhe në tregun e brendshëm me liberalizimin e ekonomisë, me privatizimin e saj, me mbrojtjen ligjore dhe me ngritjen e institucioneve të tregut që e garantojnë atë, edhe shteti është orientuar mirë drejt prioriteteve të agrobiznesit si një nga sektorët më realist të rritjes së qëndrueshme ekonomike në vend.

Në sektorin ku ju operoni dhe në tregun përkatës përveç reformës pronësore janë kryer investime kolosale për të ndërtuar dhe rehabilituar veprat e ujitjes dhe drenazhimit të tokës, për ndërtimin e një sistemi kombëtar tregjesh të standartit të Europës. Rasti më i fundit dhe i afërt është tregu modern i qytetit të Lushnjës, krahas rrjetit të modernizuar të kontrolleve laboratorike të cilësisë së produkteve.

Natyrisht, e gjitha kjo është e pamjaftueshme për të realizuar plotësisht objektivat shumë ambicioze që i kemi vënë vetes si vend. Duket se mallrat apo markat "made in Albania" ende nuk po arrijnë të shfrytëzojnë si duhet lehtësitë doganore për eksporte me tarifa zero, veçanërisht të mallrave bujqësore, apo me origjinë nga bujqësia.
Pra po filloj te rreshtoj indikacione që kthehen në detyra për zgjidhje nga Qeveria.

Produktet tona cilësore me shumë lëndë ushqyese, pra bioproduktet tona bujqësore apo blegtorale nuk po arrijnë të hyjnë ende siç duhet në tregjet rajonale dhe europiane. Një pjesë e mirë e pengesave më rezultojnë të jenë mangësi lehtësisht të kapërcyeshme siç janë disa standarte të përmbajtjes apo të garancisë shkencore për origjinën dhe përbërësit e produktit.

I theksova këta dy elementë për të kuptuar se mund të bëhet edhe më i madh numri i produkteve bujqësore dhe blegtorale në tregun e brendshëm dhe për eksport, nëse forcojmë dhe orientojmë më mirë bashkëpunimin e qeverisë me ju, duke orientuar në zgjidhje administrative dhe ligjore që stimulojnë në kapërcimin e këtyre pengesave. Pra dua ta marr këtë angazhim përsipër dhe t'ju garantoj se do të vazhdojmë të ndërtojmë struktura kontakti dhe pune të pandërprerë në mënyrë që të vazhdojmë të zhvillojmë e të fitojmë terren në tregje ku ju po shtriheni.

Eshtë fakt që bimët medicinale kanë një peshë të ndjeshme në eksportet bujqësore të vendit. Dhe unë do të vazhdoj që me autoritetin e Kryeministrit të orientoj të bëhet kujdes akoma më i madh me politika dhe matësa ekonomike dhe administrativë në dy drejtime themelore;

Së pari nxitjen e kultivimit dhe grumbullimit të këtyre bimëve në zonat verilindore të vendit, ku nevojat e popullatës për punë dhe të ardhura janë më të mëdha.

Së dyti, nxitjen e investimeve me teknologji moderne, për përpunimin e këtyre produkteve me qëllim rritjen e vlerës së tyre në eksport.

Gjithashtu, është inkurajues fakti që sipërmarrja vazhdon të investojë në dimensione në rritje në këto fusha veçanërisht në pesë vitet e fundit, e veçanërisht në frutikulturë. Kjo tregon se ju ndjeni garanci bashkë me fermerët të vazhdoni të stimuloni rivendosjen e strukturave prodhuese dhe ndërtimin e mekanizmave të rinj për thithjen e këtyre produkteve në treg nga frutikultura. Unë dhe ekipet qeverisëse po shqyrtojmë mundësinë e stimulimit të mëtejshëm të kësaj nëndege të veprimtarisë sipërmarrëse, për të mundësuar daljen më të strukturuar në tregun vendas dhe atë të eksporteve përfshirë këtu edhe produkte të përpunuara prej saj.

Unë dua të theksoj para jush, si sipërmarrës, nevojën për të evidentuar më mirë prirjet e tregut në ballafaqim edhe me sipërmarrësit përtej kufijve kombëtarë, kultivimin dhe eksportimin e bioprodukteve. Të huajt që e vizitojnë Shqipërinë vazhdojnë të kënaqen dhe të mahniten dhe pastaj të kërkojnë produkte më të shumta në cilësi dhe shije natyrale të produkteve tona. Por kjo ndodh kur ata na vizitojnë, ndërsa tregjet e tyre ende nuk po arrihen në mënyrë permanente dhe rezidenciale prej jush, apo prej markave shqiptare.

Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Bujqësisë dhe Ushqimit po përfundojnë analiza më të plota dhe po përgatisin drafte për vendimmarrje që duket se është bërë e nevojshme për nxitjen e bioprodukteve në treg. Ky angazhim i qeverisë nuk mund të realizohet saktë nëse nuk përmirësojmë bashkëpunimin me ju që jeni njohësit më të mirë të tregut sesa administrata.

Duket se ka nevojë që Qeveria të marrë përsipër dhe të realizojë një objektiv tjetër afatshkurtër siç është minimizimi i barrierave administrative dhe fiskale për eksportet, krahas lehtësimit të përgjithshëm të rregullave proçeduriale, të legalizojë dhe pastaj të stimulojë apo ndjekë veprimtarinë e operatorëve të tregut. Unë besoj se viti i ri financiar që po përgatitet do t'ju japë rregulla të reja shumë më efikase që do të nxisin me përparësi sipërmarrjen për eksport.

Unë i kam dëgjuar me shumë vëmendje dhe kam kërkuar edhe më shumë analiza dhe informacion të propozimeve tuaja për nxitjen më të qëndrueshme të iniciativave, si dhe rritjen ekonomike të mbështetur në potencialet vendase, në punësimin e vendasve, që sjellin potenciale prodhues të sipërmarrësve të vegjël dhe të mesëm vendas në tregun kombëtar dhe përtej tij.

Unë dua të marr përsipër të stimuloj më tepër veprimtarinë duke ndërtuar dosjet e vendimmarrjeve të plota që do të sjellë bum në të gjithë këtë mekanizëm. Ka shumë interesa që trokasin prej jush dhe sipërmarrësve të huaj në tryezat tona të punës dhe unë do t'ju kërkoja që këtë përvojë që po konsolidoni ta kthejmë në një nga asetet e investimit tonë të përbashkët, pra të sipërmarrjes private dhe të politikave shtetërore, që do të bënte të mundur të tërhiqeshin më shumë operatorë ekonomikë në treg dhe në marrëdhënie me sipërmarrjen që ju përfaqësoni. Pra ta strukturojmë më mirë këtë sipërmarrje nga pikëpamja ligjore, ekonomike, financiare, fiskale dhe komerciale që të ketë lehtësi për të dalë në tregje të tjera.

Nuk besoj se është e pamundur që të kemi zinxhirë dhe konvenierë të një tregu të madh vendas apo të zinxhirëve të eksportit të qëndrueshëm. Për këtë ekzistojnë edhe marrëveshje ndërshtetërore me lehtësira përkatëse siç janë marrëveshjet e tregtisë së lirë, apo financime të qëndrueshme bankash publike apo private, vendase apo të huaja. Nëse nuk sigurojmë që shkalla e bioprodhimit vendas, shkalla e aktivizimit të resurseve bujqësore dhe blegtorale vendase të mos jetë më e madhe sesa ekonomia fermere me dimensione të limituara aktualisht, nuk mundet të tentojmë të ushqejmë supermarketet e mëdha përtej kufijve. Nëse nuk ndërtojmë supermarkete të mëdha brenda vendit nuk mundet t'u japim indikacione të gabuara ekonomike operatorëve tregëtarë brenda vendit për të ndërtuar supermarkete që nuk kanë një mbështetje prodhuese në tokën, tregun, bujqësinë dhe blegtorinë e fermave shqiptare. Nuk mundet të ndërtojmë politika stimuluese apo legjislacion nxitës dhe mbështetës për eksport në kundërshtim me politikën stimuluese, legjislacionin nxitës apo mbështetës për prodhimin vendas. Nuk mund të kemi disekuilibre apo deformime të mëdha brenda politikave për zhvillim të shtetit, të legjislacionit që i mbështet ato midis drejtorëve dhe operatorëve të ndryshëm në sipërmarrje të ndryshme midis tregëtisë, fermave, transportit apo institucioneve që japin informacion tregu rreth tyre.

Pra unë do të kërkoja një partneritet më racional dhe me më shumë dimensione me organizatat sipërmarrëse vendase. Z.Bregasi ju jeni një interlokutor më i gjerë për Qeverinë sesa z.Rrapaj dhe kështu si ju ka edhe shumë përfaqësues të tjerë të cilët do të mund të na sillnin në mënyrë më të strukturuar informacion, inpute, analiza, propozime në tryezat vendimmarrëse të ekzekutivit dhe të legjislativit, që do të na bënin të mundur të ndërtonim një perspektivë të qëndrueshme shumëvjeçare për prodhimin bujqësor dhe blegtoral, për daljen e tij në treg me cilësi biologjike dhe natyrisht për eksportet tona në rritje të qëndrueshme përtej kufijve.

Unë pra kërkoj t'ju nxis duke ju përkrahur, të stimuloj energjitë tuaja për më shumë ritme, rritje ekonomike dhe integrim tregtar apo ekonomik për shkak të të cilit lëvizin jo vetëm operatorët ekonomikë por edhe qytetarët apo sipërmarrësit e sektorëve të ndërlidhjes, komunikacionit, transportit, bankave, instituteve të sigurimit etj.

Eshtë indikativ fakti që po takohemi pa i ndërhyrë njëri-tjetrit në axhendë. Po takohemi në prag zgjedhjesh që do të thotë- dhe që është provë dhe ogur i mirë- se edhe fushata zgjedhore, Qeveria apo sipërmarrja vazhdojnë punën qetësisht, takohen me njëri-tjetrin. Pra duket se sipërmarrja, partneriteti i saj me shtetin apo administratën, veprimtaria prodhuese apo tregtare, bankare apo financiare, nuk cënohet dot më nga faktorë ekstraekonomikë apo nga faktorë jashtë tregut, nga faktorë politik apo të provokimit apo të destabilizimit të institucioneve siç ka ndodhur më parë. Duhet të kesh një farë përvoje që ta fotografosh dhe ta afirmosh këtë fakt. Por është një fakt tashmë i qëndrueshëm. Ditën që në Kuvend u votua një dekret dhe nuk u votua një dekret i dytë për ndryshime të imponuara në kabinetin qeveritar, Presidenti i Republikës ishte i shqetësuar nëse mosvotimi kishte krijuar ndonjë shqetësim tek ju, apo tek depozituesit në Bankë dhe kishte kërkuar informacion nga Guvernatori i Bankës Qëndrore nëse ka ndonjë luhatje në sjelljen e oratorëve apo konsumatorëve që kërkojnë shërbime bankare në ditët e fundit. Kishte vazhduar të rritej dollari dhe të binte euro për shkaqe të konjukturave ndërkombëtare dhe jo vendase. Pra dua të theksoj se më vjen mirë dhe do t'ju nxisja të vazhdoni punën të qetë, për të mirën tuaj, të ekonomisë kombëtare, të konsumit, mirëqënies, të punësimit dhe natyrisht të shtimit të aftësive tona ekonomike, financiare dhe konkuruese gjithashtu.

Punë dhe fitime të mbara pavarësisht nga zgjedhjet!"

Mënjehërë pas këtij aktiviteti Kryeministri Nano mori pjesë në një panair të organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Lushnjes dhe e Divjakës ku u njoh nga afër me produktet që eksportoheshin nga sipërmarrësit e kësaj zone.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›