E Diel, 1 Nëntor 2026

Dua në radhë të parë të falënderoj Presidentin e Internacionales Socialiste Gutierres dhe Kryetarin e Komitetit për Europën, për pjesën tonë të Europës, Piero Fassino, të cilët janë so

Dua në radhë të parë të falënderoj Presidentin e Internacionales Socialiste Gutierres dhe Kryetarin e Komitetit për Europën, për pjesën tonë të Europës, Piero Fassino, të cilët janë sot të pranishëm në Tiranë dhe mundësuan që liderët politikë të partive socialiste dhe socialdemokrate në shumicën e vendeve të Ballkanit në qeverisje, u mblodhën në këtë ngjarje të rëndësishme, dialogu dhe riaktivizimi të iniciativave politike të familjes sonë të madhe të së majtës edhe në funksion të reformave të integrimit të Ballkanit në Europën e Bashkuar dhe të forcimit të institucioneve të bashkëjetesës dhe të bashkëpunimit rajonal.

Dua të shpreh, krahas ndjenjave të mikpritjes, që i vlerësuan edhe miqtë, angazhimet e Qeverisë dhe të maxhorancës në Republikën e Shqipërisë, angazhime që na bashkojnë edhe ne socialistët dhe socialdemokratët shqiptarë për të vazhduar investimin për paqe, demokraci, stabilitet, bashkëjetesë dhe integrim rajonal në Bashkimin Europian të vendeve ku udhëheqin qeveritë dhe iniciativat politike drejt së ardhmes.

Dua, gjithashtu, të ritheksoj se ne do të mbetemi të gatshëm për të mikpritur dhe për të kontribuar në iniciativa të tjera të Internacionales Socialiste, në Shqipëri dhe në Ballkan, në Europë dhe për iniciativa më të gjera se kaq, që do t'i shërbenin të njëjtave angazhime parimore që karakterizojnë të majtën, luftës kundër varfërisë, luftës për paqe, demokraci dhe stabilitet në shkallë globale, luftës për Europën e Bashkuar që siç u shpreh Presidenti Guiterres nuk është fantastike, madje është më shumë se realiste. Pra shpresojmë ta realizojmë përpara. Kjo do të na bënte të gjithë anëtarë të saj brenda 25 vjetorit të rënies së murit të Berlinit, domethënë brenda vitit 2015 dhe ku na duhet të gjithëve të disiplinojmë padurimin, sepse po rritemi edhe nga pikëpamja qytetare, edhe nga pikëpamja politike, edhe nga pikëpamja e institucioneve çdo ditë e në mënyrë më të qëndrueshme si europianë dhe mbi të gjitha të shpreh falenderimin për vlerësimet e progresit të Shqipërisë nga ana e përfaqësuesve të rëndësishëm të Organizatës më të madhe politike ndërkombëtare si dhe për angazhimet e tyre që të vazhdojnë të stimulojnë këtë progres europian të vendit dhe të rajonit drejt insitucioneve komunitare.

Pyetje: Z.Kryeministër, cili do të jetë angazhimi i Shqipërisë, edhe në kuadër të partisë politike që ju drejtoni dhe që përfaqëson maxhorancën aktuale, duke patur parasysh shkurtimin e afateve për realizimin e një integrimi sa më të shpejtë të Shqipërisë brenda këtij afati që z.Gutierres evidentoi për vitin 2015?

Kryeministri Nano: Unë besoj se duke e disiplinuar padurimin, siç përsërita mesazhin, nuk besoj se kemi kohë për të humbur. Pra ne duhet të vazhdojmë krahas negociatave për asociim, të forcojmë kapacitetin e institucioneve demokratike dhe të formalizojmë tregun duke synuar edhe institucione funksionuese të tij, veçanërisht ato financiare, të forcojmë bashkëpunimin me institucionet europiane dhe me qeveritë e vendeve të rajonit për menaxhimin e kufijve, në mënyrë që ato të kthehen në kufij të hapur për lëvizjen e lirë të mallrave, kapitaleve dhe qytetarëve. Pra të mos kërcënohen më lëvizjet e lira nga krimi i organizuar, trafikantët, ashtu si dhe institucionet nga korrupsioni, si dhe të kontribuojmë krahas axhendës vendase në forcimin dhe rritjen e ritmeve të reformave europiane, të shpejtësisë së integrimit në të gjitha vendet e rajonit, sepse është fakt, siç theksoi edhe z.Gutierres, që Europa nuk mund të bashkohet pa Ballkanin brenda, pa secilin vend prej vendeve të Ballkanit si një realitet dhe si një realitet i institucionit gjithashtu, të standartit europian. Pra këtu jemi të gjithë me të njëjtën axhendë për t'u bërë të gjithë të shtatë kryeqytetet e Ballkanit pjestarë të komunitetit europian.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›