E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot paradite në ceremoninë e inagurimit të përfundimit të punimeve të segmentit rrugor Tapizë-Fushë Krujë. Rehabilitimi i rrugës Tapizë -Fushë Kruj

Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot paradite në ceremoninë e inagurimit të përfundimit të punimeve të segmentit rrugor Tapizë-Fushë Krujë. Rehabilitimi i rrugës Tapizë -Fushë Krujë është pjesë e Korridorit Verior dhe së bashku me ndërtimin e urave mbi Lumin Mat dhe Drin bënë të mundur lidhjen e Tiranës me Lezhës dhe më tej me seksionin Lezhë-Shkodër. Financimi i kësaj kontrate është bërë i mundur nga Qeveria Italiane me një vlerë prej 1.5 milionë Euro. Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe Ambasadori italian në Tiranë z. Masimo Januci, Ministri i Transporteve Spartak Poçi, deputetë të kësaj zone, si dhe përfaqësues të Pushtetit Lokal.

Gjatë ceremonisë së inagurimit Kryeministri Fatos Nano u shpreh:

Më lejoni t'ju përgëzoj dhe t'ju uroj ta shkelni me shpejtësinë europiane këtë segment rrugor dhe të përshëndes dhe të përgëzoj bashkëpunëtorët që e ndërtuan atë, Qeverinë Italiane, fimrën Falcone dhe në mënyrë të veçantë ju dhe përfaqësuesit e administratës publike të Republikws sw Shqipwrisw, të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, që tashmë po krijojnë produkte shumë të mirëpritura prej jush, prej gjithë qytetarëve të Shqipërisë, me të cilët po krijohen autostradat e lidhjes midis nesh, e lidhjes së kësaj zone me kryeqytetin, me portin, me aeroportin, me botën, me Europën e bashkuar dhe këto arterie të gjera të lëvizjes së qytetarëve, të vlerave, dhe të shfaqjes së aftësive tona konkuruese, dhe për miqësi me popujt e zhvilluar të kësaj zone dhe të kontinentit ku jetojmë.

Ne po adoptojmë këtë transparencë dhe dhënie llogarie të Qeverisë dhe donatorëve ndërkombëtarë ndaj qytetarëve dhe shtetasve të këtij vendi, që çdo pjesë të paketës së financimeve për ndërtime infrastrukturash, për vepra dhe punë publike në shërbimin tuaj, që nga rrugët e deri te shkollat, spitalet dhe sipërmarrje të tjera publike dhe private, që po tranformojnë Shqipërinë dhe gjithë territorin e saj, të vijmë të presim shiritin, që ju të na kontrolloni dhe të prekni rezultatin e financimeve me taksat që ju paguani apo me taksat që paguajnë qytetarë europianë, të cilat vijnë në formë ndihme për zhvillim donacionesh ndërkombëtare për zhvillimin dhe integrimin e Shqipërisë në Europën moderne.

Unë dua të përshëndes në mënyrë të veçantë Qeverinë Italiane dhe Ambasadorin e shkëlqyer, i cili mbi bazën e një përvoje dhe të një traseje të ndërtuar në bashkëpunimin midis të dy vendeve dhe administratave respektive ne vite po demostron aftësinë dhe gadishmërinë për ta përshpejtuar prodhimin e produkteve si rruga që përurojmë sot.

Në mesin e muajit të kaluar Drejtoria e Kooperimit në Ministrinë e Jashtme Italiane miratoi një numër projektesh të financuara nga Qeveria Italiane për zhvillimin e Shqipërisë, vepra publike ndër të cilat po kujtoj Spitalin e ri të Elbasanit. Pak ditë më parë dhe ne nënshkruam me Qeverinë Italiane një donacion të ri prej 41 milion eurosh në sistemin tonë energjitik për Korporatwn Elekroenergjetike Shiptare,e cila po vazhdon të modernizohet e transformohet duke përmirësuar ndjeshëm edhe gjendjen e furnizimit me energji për ju.
Pak përpara inaguruam mbikalimin e Urës së Dajlanit në kryqëzimin midis Tiranës, Portit të Durrësit dhe Korridorit 8,që pastaj shtrihet në drejtim të Myzeqesë dhe të jugut.

Besoj se ju do të dini t'i shfrytëzoni këto infrastruktura të reja në të mirën tuaj dhe të fëmijve tuaj. Sot përurohen 6 km rrugë të cilat me një gjerësi prej 10.5 metrash kanë kushtuar 1.5 milion Euro. Janë realizuar në 8 muaj e gjysëm punë. Unë besoj se ju dini të lidhni këtë pjesë të rrugës sonë për në Europë me pjesë të tjera që kemi përuruar jo më shumë se një vit më parë, në vazhdim të kësaj rruge siç janë urat e rëndësishme mbi lumin Mat 650 m dhe mbi lumin Drin 200 m.
Madje më lejoni t'ju kujtoj se urwn mbi lumin Mat sërish të realizuar me financime italiane dhe nga e njëjta shoqëri pata nderin dhe kënaqësinë ta inaguroj me Kryeministrin Berluskoni. Financimi total i Qeverisë Italiane për të dyja pjesët e kësaj kontrate është 6.5 milion Euro.

Unë pra duhet të bashkohem sot me ju në këtë gëzim, i cili na zgjat rrugën për tek njëri- tjetri dhe për në Europë, që na zgjat jetën dhe investimin tonë njerëzor, qytetar dhe atdhedashës për ta bërë dhe këtë pjesë të kontinentit po aq të lulëzuar dhe të jetueshme si Europa moderne.

Paçi fat dhe mirësi në familjet tuaja, të lëvizni më shpejt për të thelluar më shumë mirëqënien.

Gëzuar!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›