Kryeministri Fatos Nano ka mbërritur sot rreth orës 10:00 në Shkup të Maqedonisë, për të marrë pjesë në ceremoninë e homazheve dhe varrimit të Presidentit Maqedonas Boris Trajkovski, i cil
Kryeministri Fatos Nano ka mbërritur sot rreth orës 10:00 në Shkup të Maqedonisë, për të marrë pjesë në ceremoninë e homazheve dhe varrimit të Presidentit Maqedonas Boris Trajkovski, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident ajror.
Rreth orës 10:30 Kryeministri Nano është drejtuar për në selinë e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, ku ka vendosur një kurorë dhe ka bërë nderime përpara trupit të Presidentit Trajkovski.
Më pas, Kryeministri i ka shprehur ngushëllimet e tij zonjës së Presidentit Trajkovski.
Kryeministri Nano po ashtu, i ka shprehur ngushëllimet edhe Kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë z. Lubço Jordanovski, i cili nga ana e tij e ka falënderuar për faktin se Qeveria e Shqipërisë ka ndenjur shumë pranë në këtë moment të vështirë për Maqedoninë dhe ne -tha ai- e konsiderojmë këtë si shumë të rëndësishme.
Gjithashtu, Kryetari i Parlamentit maqedonas ka theksuar faktin se Presidenti Trajkovski ia kushtoi veprimtarinë e tij kauzës së stabilitetit, paqes, bashkëjetesës në Maqedoni, por edhe në të gjithë rajonin, si dhe vlerësoi edhe rolin e shqiptarëve në këtë drejtim.
Kryeministri Nano, nga ana e tij, duke i shprehur vlerësimet për Presidentin Trajkovski tha se roli i tij është i çmuar për shqiptarët, si dhe garantoi që qeveria e tij dhe në të ardhmen do të bashkëpunojë ngushtë me Maqedoninë, në funksion të stabilitetit, paqes, progresit dhe integrimit euroatlantik.
Në përfundim, Kryeministri Nano ka shkruar një mesazh në librin e homazheve në selinë e Parlamentit maqedonas.