Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në takimin e organizuar me rastin e 4 Marsit, Ditës Botërore të Librit. Takimi, që u zhvillua në Qendrën e Informacionit të British Council, ishte i
Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në takimin e organizuar me rastin e 4 Marsit, Ditës Botërore të Librit.
Takimi, që u zhvillua në Qendrën e Informacionit të British Council, ishte ideuar në formën e një paneli diskutimi mbi problematikën e të lexuarit në Shqipëri. Në të merrnin pjesë personalitete të letrave shqipe, botues, përkthyes, kritikë. Ishte i pranishëm edhe Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Blendi Klosi.
Kryeministri Nano mbajti një fjalë në këtë takim:
"Po marr pjesë në këtë tryezë për të shtuar kontaktet e mia dhe të ekzekutivit me ju. Kemi një kontakt partnerësh, mbështetur mbi enët komunikuese që duhet të këtë dhe Qeveria me mendimin e kualifikuar që përcjell proçesin e integrimit të vlerave tona në realietet e kohës dhe ka një kontakt midis meje dhe Aurelit, edhe formal, dhe informal, të cilin desha ta zgjeroj sot me këtë ditë anglosaksone, pra të traditës anglosaksone të librit për të gjithë dhe me dëshirën për të kuptuar më mirë se çfarë mund të bënim më shumë së bashku në funksione jo partizane dhe në mbështetje të integrimit të vlerave kulturore në shoqërinë që po përballon transformime, kosto, tensione për shkak të trysnisë objektive dhe njerëzore për t'iu afruar Evropës dhe botës moderne në mënyrë të programuar, të organizuar.
Politika prodhon shumë tension në këtë proces dhe, pavarsisht se qeveritë i takojnë formacioneve politike të caktuara, unë besoj se shtetit nuk i lejohet të nervozohet nga tensionet politike. Edhe programeve të administrimit të reformave nuk i lejohet të humbasin vëmendjen ndaj kulturës së librit, këtyre armëve më efikase të integrimit në raport me konfliktin e politikës apo me konfliktin që sjellin armët në shoqërinë që ka ende fenomene të zgjidhjes personale të konflikteve, për shkak të trazicionit edhe të sistemit që jep drejtësinë.
Dikur më është dashur të prezantoj ekzakt me këto terma realitetin shqiptar në trazicion. Më falni nëqoftëse e keni kapur gjëkundi dhe dua të përsëris ndonjë gjë të thënë, por gjej vendin më të përshtatshëm për të përsëritur që pasi u ktheva nga një vizitë nga Prishtina unë takova plot ish luftëtar të integruar tek bota e librit dhe bota e politikës. Më është dashur një herë të prezantoj ish luftëtarët e UCK-së me diplomatët e mëdhenj, me Ollbrukun, i cili më kërkoi që të mos ishin nga ata që i mbanin kallashnikovët tek hunda (nqs keni parasysh foton e Junikut ku Ollbruku është ulur në shilte, në Drenicë). Dhe i them që ky është paradoksi që duhet t'ia përcjellim më mirë të huajve për të kuptuar tensionin tonë kombëtar. Ai luftëtari, në pamje me syza, me mjekër dhe me një beretë, s'e kishte mendjen se ku ishte gryka e kallashnikovit, nën hundën e Ollbrukut. Ai ishte shkrimtar, pra kishte lënë kompiuterin ku shkruante, gruan në Suedi, dhe i ishte përgjigjur thirrjes për të çliruar Kosovën kur armata serbe filloi genocidin. Kjo histori ishte kaq praktikisht e vërtete, saqë ishte ngritur nga kompiuteri, kishte veshur një palë rroba me lara, i kishin dhënë dhe kallashnikovin në dorë dhe ishte bërë pritës me të tjetërt i Ollbrukut në Deçan, pas masakrës së Jasharëve. Ai nuk dinte ta mbante kallashnikovin. I them nuk jemi kaq primitiv, por ajo që duhet të kuptojmë është që për shkak të moszgjidhjes së problemeve kombëtare dhe pranimit në komunitetin ndërkombëtar me dinjitetin e kulturës dhe të qytetërimit që kemi ne rrezikojmë të lëmë kompiuterat, anët moderne të konkurencës, të kthehemi tek kallashnikovët.
Unë besoj se vazhdimi i kësaj bisede me ju do të na bënte edhe ne përfaqsuesit e politikës apo të shtetit t'i nënshtroheshim programeve të çarmatimit dhe besoj se nëqoftëse ka një mesazh që mund të na bashkonte në një përpjekje që shoqëron integrimin, të cilin nuk mund ta bëj vetëm shteti apo politika, është pikërisht nevoja e qarkullimit më të mirë të vlerave të librit, të vlerave tona, të vlerave anglosaksone po deshët, apo të integrimit pse jo virtual përpara se të lëvizim lirisht meqë këtu ka dhe teknologji moderne të komunikimit.
Unë këtë gjë e bëj natyrshëm sic e bëjnë në familjen time, sic e bëjnë dhe fëmijët e mi, lëvizin lirisht në botën virtuale dhe ndeshin vështirësi në terrenin e egër real ku gjithmonë sfida për të lëvizur nga kallashnikovi tek pistoleta është prezente. Sidoqoftë nuk dua ta shoh me sy pesimist këtë gjë. Ju lutem mos më keqkuptoni nuk po e organizoj këtë takim sot se dikush tjetër bëri një takim nesër, unë jam në punë dhe zhvilloj takime çdo ditë. Unë nuk kërkoj që ju të jeni partizanë të politikës. Unë jam i interesuar që të më ndihmoni që të kuptoj si mund t'ju asistojmë në procesin e çarmatimit të procesit të reformave dhe të administrimit politik të tyre. Kemi vënë një ministër të pakorruptuar shumë nga politika, i cili jam i sigurt ka më shumë pore hyrëse se sa të një ish personaliteti kulturor që ka hyrë në politikë. Ndoshta është më e përshtatshme rruga e kundërt që ta ruajmë "genuin" interesin tuaj dhe kërkesën tuaj për më shumë mbështetje.
Një shkrimtar amerikan ka thënë: "S'di të këtë ndonjë popull të kulturuar që të jetë i varfër" ashtu sic ky shkrimtar nuk di dhe këtu po mundohem ta personalizoj që do të këtë ndonjë popull të pa kulturuar që të mos jetë i varfër".