E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Fatos Nano ka pritur sot pasdite në një takim të veçantë z. David M. Walker Kontrollor i Përgjithshëm i SHBA, i cili përfaqëson zyrtarin më të lartë të auditimit të shtetit

Kryeministri Fatos Nano ka pritur sot pasdite në një takim të veçantë z. David M. Walker Kontrollor i Përgjithshëm i SHBA, i cili përfaqëson zyrtarin më të lartë të auditimit të shtetit amerikan.

Në fillim të këtij takimi Kryeministri Nano vlerësoi asistencën e ofruar nga ky institucion (GAO) me një eksperiencë të gjatë në fushën e auditimit.
"Vendi ynë,- tha Kryeministri Nano- është përfshirë në një proces reformash të pakthyeshme, ku ne e vlerësojmë shumë rolin e strukturave të auditimit, në të gjitha nivelet, si një instrument, që duhet të ndikojë në ritmet e zhvillimit në tërësi".

Më tej zoti Nano theksoi rëndësinë e misionit të auditimit për të ndihmuar përmirësimin e efektshmërisë dhe të sigurimit të përgjegjshmërisë financiare për administrimin e fondeve publike, të vlerësimeve dhe rekomandimeve në përmirësimin e performancës në sektorin publik. "Reforma në të gjithë nivelet e auditimit, qoftë ky i lartë apo i brendshëm është një problem kyç, i cili ndikon drejtpërsëdrejti në ritmet e zhvillimit të reformave në të gjithë sektorin publik", u shpreh Kryeministri Nano.

Sipas zotit Nano kontributi i strukturave të auditimit ka qenë i tillë, që me rekomandimet e tyre kanë ndikuar në vendimmarrjet e Qeverisë dhe të strukturave të saj, për përmirësimin e administrimit të burimeve publike.

Në këtë kuadër Kryeministri Nano garantoi se Qeveria është e vendosur për të konsoliduar strukturat e auditimit të brendshëm dhe në këtë drejtim janë ndërrmarrë hapa të rëndësishëm dhe të sigurtë që lidhen me akte ligjore dhe nënligjore. "Një ndër sfidat tona kryesore qëndron në reformimin e plotë të strukturave të auditimit të brendshëm, duke i përputhur veprimtaritë e tyre me standartet ndërkombëtare", tha Kryeministri.

Nga ana e tij z. Walker shprehu gadishmërinë për thellimin e bashkëpunimit të deritanishëm me qeverinë shqiptare në ofrimin asistencës dhe përvojës së tyre me qëllim reformimin e këtyre institucioneve. Në këtë kuadër ai vlerësoi rëndësinë e strukturave të KLSH duke u shprehur gjithashtu se "të gjitha këto reforma që ju keni nisur dhe në veçanti ato legjislative do të japin impaktin e tyre pozitiv në rritjen e përgjegjshmërisë financiare dhe administrimin e burimeve publike në përgjithësi".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›