- Kryeministri u përgjigjet tre interpelancave të kërkuara nga deputetët; interpelanca për energjitikën, interpelanca lidhur me marrëdhëniet Shqipëri-Greqi ne lidhje me vizitën më të fundi
- Kryeministri u përgjigjet tre interpelancave të kërkuara nga deputetët; interpelanca për energjitikën, interpelanca lidhur me marrëdhëniet Shqipëri-Greqi ne lidhje me vizitën më të fundit në Athinë të Kryeministrit Nano dhe takimin me Kryeministrin grek, Karamanlis, si dhe interpelanca për proçesin e mbylljes së skemave piramidale
- Interpelanca e Kryeministrit për energjitikën
Të nderuar kolegë,
Po rikujtoj pyetjet tuaj për të qenë në fokus të arsyetimit që kanë përgjigjet e tyre. Pyetja e parë është: Në politikat e qeverisë suaj për këtë vit të paraqitur në parlament është folur edhe për shtimin e burimit të prodhimit të energjisë elektrike përmes ndërtimit të një TEC të ri në qytetin e Vlorës me fuqi 100-120 mega, me kredi nga donatorët e huaj. Ndërkohë që ristrukturimi i TEC të Fierit duhet të ishte alternativë konkuruese e strategjisë për përmbushjen e këtyre politikave.
Përpara se të filloj të përgjigjem në detaje për këtë pyetje, më lejoni t'ju them se nëse do ta njihnit sado pak sistemin elektroenergjitik dhe zhvillimet e vrullshme në këtë sektor do ta kishit fare të qartë përgjigjen. Këtë jau them si anëtar i Komisionit të Industrisë dhe ish punonjës i sistemit, sepse pritej të ishit më i azhornuar me problemin, sepse informacioni nuk ju ka munguar. Mjafton vetëm të shfrytëzohej se nuk është rezervat. Nëse do ta kishit në vëmendje të gjithë informacionin, duke pasur parasysh edhe mungesën e eksperiencës tuaj me bankat, sidomos ato që japin kredi me kushte lehtësuese, mund të kishit dalë dhe vetë në konkluzionet që vijoj:
Së pari, institucionet financiare kur japin kredi kontrollojnë të gjithë mundësitë dhe alternativat e projektit që duan të financojnë, pastaj zgjedhin atë që është më fizibël. Në këtë drejtim, nuk ka pse qeveria shqiptare të mos jetë dakort me principin dhe pastaj punon me shumë sukses me bankat dhe institucionet financiare më me zë në këtë botë. Po t'i shtosh proçesit dhe faktin që nga informacionet zyrtare vendimi i marrë nga Banka Botërore për financimin e TEC-it të Vlorës është i pari pas rreth 30 vjetësh, pra ka 30 vjet që BB nuk financon në ndërtime të burimeve të tilla të reja, Kuptohet sesa i kujdesshëm ka qenë proçesi i fizibilitetit dhe i kontrollit të përzgjedhjes së projektit të TEC-it të Vlorës si më i miri për t'u financuar.
Së dyti, më lejoni t'ju qartësoj se institucionet financiare kanë një eksperiencë shumë negative në rehabilitimin e TEC-eve në të gjitha vendet ku janë përpjekur ta bëjnë këtë gjë. Mjafton të përmend shembujt e Rusisë, Armenisë, Japonisë por edhe atë që kemi më afër, Kosovën. Me gjithë shpenzimet e mëdha për rehabilitimin e TEC-it elektroenergjitik kosovar sistemi elektroenergjitik i Kosovës ka mbetur në varësi jo të vogël nga sistemet e vendeve fqinje, ku futet edhe sistemi ynë. Edhe tani depozitojmë energji në Kosovë për shkak të stërmbushjes së rezervuarëve.
Qeveria që unë drejtoj preferon të mësojë nga gabimet e të tjerëve dhe nga eksperiencat më të mira ndërkombëtare. E rëndësishme për ne të gjithë është kryerja e investimeve në sektorin strategjik të stabilitetit energjitik të vendit sot dhe në të ardhmen. Më lejoni t'ju them se nga investimet më të vështira për t'u financuar nga institucionet financiare ndërkombëtare janë pikërisht investimet në burimet e reja. Ato mund të kryhen në kushtet kur janë mbuluar të gjitha investimet për rrjetin trasmetues dhe shpërndarës, vendi apo kompania që përfiton investimin tregon besueshmëri në realizimin e tyre. Besoj se edhe ju e keni të qartë se sidomos këto dy vitet e fundit KESH sh.a e ka treguar këtë besueshmëri dhe prandaj po shton partneritetin edhe me financime donatorësh dhe tregtare.
Së treti, institucionet financiare janë të bindur se kanë partnerë seriozë si në ndërmarrjet energjitike, por më shumë në qeveritë që marrin përsipër detyrime të tilla. Prandaj janë në gjendje të menaxhojnë investime të tilla t ëmëdha siç i vlerësuat dhe ju. Më e mira që mund të bëjmë sëbashku është të mbështesim të gjithë dhe të nxisim këto financime, sepse nuk janë as për Kryeministrin e Shqipërisë, as për maxhorancën qeverisëse por janë për të gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë. Prandaj, nuk është e dobishme që sipërmarrje të tilla të mëdha të vihen në dyshim. Ju riftoj të punojmë të gjithë për të përshpejtuar realizimin e tyre. Edhe ju si specialist, megjithëse i shpërndarjes e nuk e di sesa i kuptoni investime të tilla apo ndonjë që ju ka shtyrë të bëni përpjekje t'i kuptoni investime të tilla për të vënë në dyshim punën dhe seriozitetin e atyre menaxherëve seriozë që me fonde dhe financime na kanë mbështetur, minimalisht ju kërkoj të mos pengoni punën. Unë pres shumë nga ju. P.sh zona juaj si deputet ka një arkëtim prej 25% dhe humbje prej 50%. Kur keni qenë ju punonjës i shpërndarjes arkëtimet kanë qenë 12% dhe humbjet 70%.
Sistemi elektroenergjitik shqiptar këto vitet e fundit po ballafaqohet me problemin e ndjeshëm të plotësimit të kërkesave të konsumatorëve për energji elektrike. Janë rrjedhimet e zhvillimit të vrullshëm të ekonomisë, të ndryshimit të hartave demografike të vendit nga zhvendosja e popullsisë dhe të mungesës së një strategjie të qartë të zhvillimit të sistemit në vitet e para pas komunizmit. Sistemi vetë nga aftësia artificiale për të mbuluar nevojat e brendëshme dhe për eksport normalisht dhe logjikisht në të gjithë këtë tranzicion u kthye në një sistem që importon energjinë elektrike në sasira që nga viti në vit është e vërtetë kanë ardhur duke u rritur.
Duke i patur parasysh këto zhvillime dhe faktin se plotësimi i kërkesave të konsumatorëve me energji është parakusht për ritmet e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit për t'i ruajtur dhe konsoliduar ato, sot në sistemin energjitik shqiptar në drejtimin e tij nga qeveria me strategji dhe plane veprimi, si dhe në koorporatën e vetme të fushës me reforma të dukshme dhe të suksesshme si për shtimin e energjisë elektrike ashtu dhe për rehabilitimin e burimeve ekzistuese HEC apo TEC po synohet edhe ndërtimi i kapaciteteve të reja prodhuese që ballancojnë konsumin me optikën afatgjatë.
Përsa i takon pyetjes që ju bëni më lejoni t'ju sqaroj. Kompania amerikane "HARZA Engineering", në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Energjisë dhe KESH sh.a, me mbështetjen e Agjencisë së Zhvillimit të Tregtisë të SHBA dhe të BB kryen studimin mbi leverdishmërinë e rehabilitim-modernizimit të TEC të Fierit. Gjatë këtij studimi, u analizuan disa variante të mundshme për rehabilitimin e TEC të Fierit dhe u krahasuan ato me variante ndërtimi të një TEC-i të ri. Në përfundim, ky studim serioz rekomandoi mundësinë e rehabilitimit të TEC të Fierit vetëm për njësinë 60 mega e importuar ngaÇekia, me vlerë 24 milion USD, pasi të kryhen disa testime në tre nyjet kryesore të tij. Ndërsa njësitë e tjera të TEC-it të Fierit rezultuan të paleverdisshme për t'u rehabilituar. Ky studim iu paraqit institucioneve financiare ndërkombëtare për ta financuar këtë ndërhyrje rehabilituese. Mbështetur në këto konkluzione BB sugjeroi një zgjidhje më afatgjatë dhe më të sigurt të problemit dhe prandaj përkrahu financimin e ndërtimit të një TEC-i të ri me cikël të kombinuar. Më tej, ishte Agjencia Amerikane e Zhvillimit që akordoi fondin prej rreth 720 mijë USD për realizimin e studimit të fizibilitetit për ndërtimin e TEC-it të ri. Ky studim tashmë ka përfunduar, është zgjedhur vendi, është miratuar dhe në KRRTRSH se ku do të bëhet, pra në parkun industrialo-energjitik të Vlorës, ish zona industriale, është bërë studimi i plotë i leverdisshmërisë ekonomike dhe financiare, është bërë dhe realizuar ndikimi në mjedis i TEC-it, si dhe janë përgatitur dhe specifikimet teknike të TEC-it të ri. Gjithashtu, ka përfunduar marrëveshja e huasë me BB për këtë qëllim, është negociuar marrëveshja e huasë me BERZh dhe më datë 17 korrik në Luksemburg do të negociohet edhe me Bankën Europiane të Investimeve. Në këtë mënyrë mbyllet cikli dhe zgjidhet plotësisht mbështetja finaciare për realizimin e projektit të TEC-it të ri.
Po kështu, ka përfunduar, sipas skedulit të proçedurave të Bankës Botërore, proçesi i zgjedhjes së firmave për konsulencën e këtij projekti dhe është bërë njoftimi për diskutimin në publik të "Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis".
Mbështetur në këtë informacion më lejoni të konkludoj se:
1. Ne kemi nevojë në periudhen afatshkurtër, deri në vitin 2007, për rreth 300 – 400 MW kapacitete të reja termike, pra edhe për ndërtim TEC-esh të rinj edhe për rehabilitim të TEC-it të Fierit.
2. Institucionet financiare ndërkombëtare kanë mbështetur zgjidhjen afatgjatë të përballimit të kërkesave në rritje për energji elektrike, prandaj edhe ndërtimin e një TEC-i të ri me cikël të kombinuar, me teknologji dhe tregues tekniko-ekonomikë të përparuar, mbështetur edhe në eksperiencën e rehabilitimit të TEC-eve në Kosovë.
3. Invetimi për ndërtimin e TEC-it të ri të Vlorës, në vendin e zgjedhur, është disa herë më i përshtatshëm sidomos po të kihet parasysh mundësia e zgjerimit të këtij TEC-i me njësi dhe bateri të tjera gjeneruese termo, infrastruktura e përshtatshme lidhur me aftësitë e terminalit që do të furnizojë me lëndë djegëse këto bateri TEC-i, si dhe futjen në kompleksin Industrialo-Energjetik të zonës, në një pozicion tepër të përshtatshëm për të mbështetur zgjidhjen e qëndrueshme për një kohë të gjatë të furnizimit të të gjithë zonës së Jugut dhe sidomos bregdetin e Detit Jon me energji, lidhur kjo me investimin e ndërtimit të Nën-stacionit te ri 220/110 kV në BABICË të Vlorës.
4. Kostoja e prodhimit të njësisë së energjisë elektrike me TEC-in e Ri të Vlorës është më e vogël se kostoja e njësisë së energjisë elektrike që vjen nga rehabilitimi i TEC-it të Fierit. Këtu duhet të kemi parasysh që vetëm kostoja e rehabilitimit të Tubacionit Vlorë-Fier kërkon një investim prej rreth 20 million USD.
5. Rehabilitimi i TEC-it të Fierit mbetet objektiv i qeverisë. Problemi qëndron në gjetjen e burimeve të financimit. Ne kemi patur oferta nga firma çeke, kineze dhe së fundi nga kompania franceze ALSTOM, por skema e financimit të tyre nuk ka qenë kompetitive dhe as atraktive. Ky rehabilitim ka rëndësinë e vet sidomos për përdorimin e lëndëve djegëse të vendit, të cilat, siç edhe e dini besoj, janë të papërshtashme për teknollogji të reja dhe prandaj përpunimi i tyre do të kërkonte impiante desulfurimi që sigurisht duhen parashikuar në investimin për rehabilitimn e TEC-it Fier.
6. Një alternativë serioze për vënien në efiçencë të TEC-it të Fierit ka qenë dhe mbetet edhe dhënia e tij me konçesion.
7. Sot, kur rezultati financiar i KESH-i për vitin 2003 dhe parashikimi për vitin 2004, i azhionuar edhe këto ditë, është shumë i mirë, po studiohet edhe mundësia e financimit nga vetë Sh.A.KESH-i, i projektit të rehabilitimit të TEC-it të Fierit për atë pjesë që kanë gjykuar institucionet e specializuara se ia vlen të bëhet.
Pra i nderuar koleg – qeveria që unë drejtoj kërkon të minimizojë importet dhe të ulë shkallën e varësisë të sistemit dhe të konsumit për energji elektrike nga importi si problem jetësor për popullsinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Dëshiroj të mos mendoj se ju apo ndonjë tjetër jeni akoma për tendera me prokurim të drejtpërdrejtë të sasive të mëdha të importuara, sepse hapi që është bërë është shumë i madh dhe esencial dhe flet për përgjegjshmëri, përgjegjësi politike dhe qeverisëse për të menaxhuar sa më mirë paratë e popullit.
Për të gjitha këto opsione më lejoni t'ju risiguroj në seriozitetin dhe angazhimin e qeverisë që unë drejtoj duke synuar edhe bashkëpunimin me ju për zgjidhje që marrin parasysh të gjithë komponentet e nevojshme, edhe ekonomike, edhe sociale.
Ju faleminderit!
- Interpelanca e Kryeministrit Fatos Nano lidhur me marrëdhëniet Shqipëri-Greqi nën dritën e vizitës më të fundit në Athinë dhe takimin me Kryeministrin grek, Karamanlis
I nderuar z. Kryetar,
Të nderuar z.deputetë,
Siç jeni në dijeni, në datat 5-7 maj 2004, zhvillova një vizitë zyrtare në Greqi, me ftesë të homologut tim grek, zotit Kostas Karamanlis, në krye të një delegacioni në përbërje të të cilit kishte edhe anëtarë të qeverisë, deputetë e biznesmenë. Kjo shënohet si vizita e parë e një kryeministri të huaj në Athinë, pas fitores në zgjedhje nga "Demokracia e Re" dhe konstituimit të qeverisë së re greke të spektrit të djathtë.
Në agjendën e takimeve të mia, përveç takimit me z. Karamanlis, ishin përfshirë edhe takime si ai me Presidentin e Republikës, z. Stefanopulos, Kryetaren e Parlamentit, znj. Benaki, ministrin e Jashtëm z. Moliviatis, ministrin e Mbrojtjes Kombëtare, z. Spiliotopulos, ministrin e Punës e tëÇështjeve Sociale, z. Panajotopullos, kryetaren e Bashkisë së Athinës, znj. Bakojani dhe, sigurisht, një takim shumë miqësor me z. Papandreu, kreun aktual të PASOK-ut në opozitë. Gjithashtu një takim tepër konstruktiv e i dobishëm ishte edhe ai në Shoqatën e Industrialistëve grekë, ku mbajta edhe një fjalim të shkurtër për rritjen e mundësive dhe kapaciteteve të bashkëpunimit mes dy bizneseve duke u parashtruar atë nivel të lartë sigurie dhe garancie që gëzojnë sot e kësaj dite investimet e huaja në territorin e Shqipërisë. Ndër të tjera, kam kënaqësinë t'ju bëj me dije, se pata një takim tejet vëllazëror, të frytshëm e të ngrohtë me bashkatdhetarët e mi që jetojnë, punojnë e studiojnë në Greqi në mjediset dinjitoze të ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë. Siç mund ta konstatoni me lehtësi, bëhej fjalë për një agjendë tejet të ngjeshur dhe me një spektër po aq të larmishëm takimesh.
Pa dashur të hyj në detaje të rëndomta, të cilat lypset t'i keni përcjellw nga monitorimi i hollësishëm që media elektronike dhe ajo e shkruar e të dy vendeve i bëri vizitës sime si dhe informacionit korrekt dhe të standarteve që vjen nga zyra e Kryeministrit përmes një vargu teknikash, duke qenë se vizita të kësaj natyre janë pjesë e natyrshme e programit të punës së një Kryeministri, mund t'ju them, duke ju kërkuar ndjesë për mungesën e modestisë së shtirur, se e gjithë vizita dhe çdo takim në suazën e saj, ishte tejet e frytshme dhe përfundimisht e suksesshme. Janë faktet ato që vërtetojnë fjalët dhe jo e kundërta. E them këtë se përtej retorikës së rëndomtë që shoqëron pritje-përcjelljet e kësaj natyre dhe të këtij niveli, vizita ime ka pasur një follow up të menjëhershëm, rezultatet e të cilit janë të prekshëm për gjithkënd ditën me diell e natën me hënë.
Më konkretisht: ashtu siç deklarova edhe në konferencën e përbashkët për shtyp që pata fill pas takimit sëbashku me homologun Karamanlis, unë mora gjithë mbështetjen e duhur nga Kryeministri grek për legalizimin dhe normalizimin e qëndrimit të shqiptarëve në atë vend. Po ky qëndrim m'u konfirmua edhe nga ministri i Punës dheÇështjeve Sociale. Për rrjedhojë, në vijim të Amendamentit të veçantë që miratoi parlamenti grek më 20 maj 2004 (pra, vetëm 13 ditë pas vizitës sime) për "shtyrjen e afatit të nxjerrjes së lejeve të punës dhe të qëndrimit për emigrantët e huaj në Greqi", më datë 2 qershor 2004, qeveria greke nxori në trajtën e një qarkoreje të përbashkët të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Pushtetit Lokal dokumentin për "mundësimin e të gjithë emigrantëve të huaj në Greqi për t'u pajisur me leje qëndrimi". Siç mund të konstatohet pa ndonjë mund, kësodore është vendosur përshpejtimi maksimal i procedurave të legalizimit nëpërmjet masave që parashikojnë krijimin e qendrave të veçanta në shërbim të emigrantëve. Nga ky vendim përfitojnë të gjithë ata që për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të përfundojnë procedurat e duhura për legalizimin e qëndrimit të tyre në tokën helene. Afati i paraqitjes së kërkesave është deri më 30.06.2004 dhe në marrëveshje midis ministrave të rendit Toska dhe Vulgarakis, udhëtarët do të lëvizin pa probleme midis dy vendeve edhe pas kësaj date.
Po kështu, përkundër lajmeve të rreme, në një numër prononcimesh publike, autoritetet e shtetit grek kanë deklaruar se, emigrantët shqiptarë ashtu si të gjithë të huajt e tjerë, nuk do të kenë asnjë pengesë për të hyrë në atë vend gjatë kohës së zhvillimit të Lojrave Olimpike në gusht të këtij viti. Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme është shprehur qartë e në mënyrë eksplicite se, nuk do të ketë asnjë ndryshim në regjimin e hyrjes në Greqi dhe se do të vazhdojnë të zbatohen me korrektësi kriteret e Schengen-it. Abuzimi ka lindur si pasojë e një liste të rishikuar të personave të padëshiruar për mbarë vendet antare të marrëveshjes Shengen. Kjo listë e cila i referohet sistemit CSIS përbëhet prej 698 mijë persona nga e gjithë bota. Ndërkohë që 64.717 persona janë të padëshirueshëm për Greqinë. Për referencë 331 mijë e 500 veta janë të padëshirueshëm për Italinë. Kësisoj formohet lista e plotë e Shengenit në të cilën sigurisht ka edhe shqiptarë, por ju bëj me dije se ata në asnjë mënyrë nuk përbëjnë ndonjë numër të konsiderueshëm. Nga ana tjetër ne nuk kemi pse të ngatërrojmë masat e sigurisë për të huajt që do të futen në Greqi gjatë kësaj kohe për shkak të lojrave olimpike, me qëndrime imagjinare tendencioze të caktuara "vetëm për shqiptarët". As më shumë, as më pak kjo vjen era autodiskriminim.
Ashtu siç u shpreha edhe para shtypit, unë dhe kryeministri Karamanlis shqyrtuam me vëmendjen e duhur dhe shprehëm vullnetin e përbashkët politik për të zgjidhur gjithë çështjet e mbetura nga e shkuara historike dhe në rastin konkret edhe çështjen e pronave të shtetasve shqiptarë në Greqi dhe të atyre grekë në Shqipëri, përtej çdo retorike boshe pseudonacionaliste. Ashtu siç ramë dakord gjatë bisedimeve, ne vendosëm për të filluar sakaq punën në nivel ekspertësh për implementimin e detyrimeve që rrjedhin nga Traktati i Miqësisë, Sigurisë dhe Bashkëpunimit mes dy vendeve tona dhe në mënyrë të veçantë të nenit 15 të këtij Traktati, i nënshkruar në vitin 1996 dhe i ratifikuar nga parlamentet respektive më 1997. Pa mëtuar se gjithçka u zgjidh me prekje të shkopit magjik, më lejoni të sjell në vëmendjen e sklerotizuar të ndokujt se për herë të parë në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, pala greke nuk e injoron këtë problem kaq sensitiv dhe pranon të ulet në tryezën e bisedimeve për zgjidhjen përfundimtare të tij, sipas parimeve demokratike dhe standardeve europiane. Përfitoj nga rasti të shpreh vlerësimin tim për kryeministrin Karamanlis për kurajon, kthjelltësinë dhe vizionin prej burri shteti për të futur në udhën e zgjidhjes këtë çështje aq fort të përfolur e të manipuluar nga mentalitete anakronike. Gjithashtu kujtoj se pikërisht për këtë çështje jam përballur me një debat parlamentar jo shumë kohë të shkuara. Nuk gjykoj të ha kohën e vyer të Parlamentit tonë duke rilexuar ç'thashë me këtë rast, pasi mund të rifreskoni kujtesën duke lëçitur gazetat apo verbalet e Kuvendit.
Në kuadrin e luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, i ritheksova z. Karamanlis gjithë mbështetjen dhe bashkëpunimin proaktiv të të gjitha strukturave të qeverisë e të shtetit shqiptar, si ato të rendit, mbrojtjes dhe shërbimeve tona inteligjente për mbarëvajtjen dhe zhvillimin me sukses të Lojrave Olimpike të Athinës, çka përbën një sfidë jo vetëm për Greqinë, por për të gjitha vendet e rajonit e fqinjët e saj në radhë të parë, Europës e botës së qytetëruar, në luftën pa kompromis kundër terrorizmit të të gjitha ngjyrave dhe krimit të organizuar e atij ordiner.
Mund të them se konstatova me kënaqësi të veçantë se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE dhe në strukturat e Aleancës së Atlantikut Verior, përbën një synim dhe angazhim serioz të qeverisë aktuale greke dhe të politikës së saj të jashtme. Unë mora mbështetjen e plotë dhe pa ekuivok të kryeministrit Karamanlis se Greqia do të jetë kurdoherë përkrah Shqipërisë në këtë proces historik jo vetëm për fatet e saj, por edhe të krejt rajonit, duke e vënë theksin në mbylljen e negociatave me Komisionin Europian dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit brenda gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm. Gjithashtu Greqia do të përkrahë anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në NATO duke bashkuar zërin për një afirmim të qartë të këtij ojektivi qysh në Samitin e Stambollit në fillim të javës që vjen. Duke i konsideruar marrëdhëniet me Greqinë strategjike (dhe ky është tashmë një perceptim i ndërsjelltë dhe jo i njëanshëm, siç e dëgjuat edhe nga vetë goja e Kryeministrit Grek), qeveria e kryesuar nga unë do t'i kushtojë të gjithë vëmendjen e duhur marrëdhënieve shumëfarëshe me të për t'i çuar kurdoherë përpara në të mirë të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të të dy vendeve tona dhe më gjerë.
Në përfundim do të theksoja, siç edhe kam pasur rastin të theksoj disa herë edhe përpara këtij parlamenti edhe në interpelancën e zgjeruar të datës 19 prill 2004, se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë mbeten të një rëndësie të veçantë, jo vetëm për shkak të fqinjësisë sonë, jo vetëm për faktin se në Greqi jetojnë rreth 650 mijë bij e bija shiptarësh të cilët, falë politikës së qeverisë atje por edhe punës së tyre të ndershme, gjithnjë e më shumë po integrohen në jetën e vendit; jo vetëm për faktin se pas Italisë Greqia mbetet vendi i dytë për nga masa e shkëmbimeve ekonomike me vende të BE-së; por edhe për faktin se tek Greqia ne shohim një aleat të rëndësishëm dhe portë për antarësimin tonë në BE dhe NATO.
E kam theksuar dhe gjej rastin të përsëris vlerësimin tonë të veçantë për Presidencën greke të BE në 6 mujorin e parë të vitit 2003, që me nismën e vet në Samitin e Selanikut organizoi një panel të veçantë, ku me propozimin tonë u ftua për herë të parë edhe Kosova. Ky Samit konsolidoi politikën e dyerve të hapura dhe kuadrin e marrëdhënieve më të avancuara të asociimit dhe integrimit në BE për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Duke e rikonsideruar si të vyer kohën e këtij Kuvendi, mendova të ndalem në këto çështje sensitive, për të cilat qeveria shqiptare ka pasur kurdoherë një qëndrim të artikuluar qartë në të gjithë nivelet e përfaqësimit. Jam i hapur për komentet tuaja.
Ju faleminderit!
- Interpelanca për proçesin e mbylljes së skemave piramidale
Të nderuar deputetë,
Detyrohem që duke iu përgjigjur interesit të Kryetarit të Partisë Lëvizja e Legalitetit rreth proçesit të mbylljes së skemave piramidale, të ndaj me të gjithë juve kënaqësinë e informacionit që deri në fund të vitit 2004 do të përfundojë plotësisht proçesi i administrimit të tyre, që do të thotë likuidim i plotë i vlerave të rekuperuara dhe shpërndarje e strukturës shtetërore që u morr me këtë problem. U deshën 7 vjet punë dhe angazhim, sfida dhe sakrifica të panumërta për të bërë të mundur jo thjesht mbylljen e 24 firmave rentiere, por çrrënjosjen përfundimtare të një fenomeni të frikshëm që rrezikoi fatet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Ky proces dhe kjo periudhë që sot mund të duket sikur ka ndodhur para historisë dëshmojnë edhe njëherë, faleminderit Z.Spahiu që na e jepni këtë mundësi, të rikujtojmë katrahurën ku e kishte hedhur vendin, shoqërinë dhe ekonominë tonë regjimi i papërgjegjshëm që lamë pas.
Sot Z.Spahia, ju jeni aleat me z.Berisha dhe mesa duket prandaj kërkoni të dini sa përqind do t'u kthehen kursimet e grabitura shqiptarëve. Pavarësisht nga fakti se sa do të jetë kjo shifër, më lejoni zoti Spahia të kujtoj për ju se askush në këtë botë dhe as Zoti në qiell nuk do mund t'u kthejë nënave dhe vatrave familjare ata mijëra djem dhe vajza që humbën jetët në vitet '96 – ‘97 për më shumë liri, për më shumë dinjitet, për një botë më të drejtë dhe për më shumë mirqënie.
Ka një analizë që i është bërë problemit, dhe unë ju falenderoj që e sillni në vëmendje, nga Komisioni Parlamentar Hetimor, ku kanë dalë qartë përgjegjësitë për këto çështje. Me atë rast unë kam theksuar dhe dëshiroj të përsëris edhe sot para jush se nuk është aspak morale që pikërisht themeluesi i kësaj të keqeje me përmasa tragjike, z.Berisha të vazhdojë të bëjë avokatin e piramidave. Të kërkosh një debat, një seancë pyetjesh për gjithçka që në një parlament është mëse normale, unë e mirëkuptoj, por kur kjo seancë pyetjesh kërkohet nga opozita që vetë e ka shkaktuar këtë të keqe, minimalisht duhet konsideruar si tejkalim i së drejtës, sepse qytetarët dhe zgjedhësit shqiptarë e kanë dhënë gjykimin e tyre, madje në mënyrë plebishitare në vitin 1997, duke e larguar atë rregjim bela nga pushteti. Në seancën e Raportit të Komisionit Parlametar Hetimor kam bërë pyetjen, e cila ka mbetur ende pa përgjigje: Në momentin kur qeveria e drejtuar nga unë arriti të merrte zyrtarisht në administrim ligjor nën mbikqyrjen e Bankës Botërore më 1 tetor 1997, llogaritë bankare të 24 firmave mashtruese piramidale në to u gjendën vetëm 9.5 milion dollarë. Prandaj po e përsëris në vëmendje të Z.Berisha, ku i ka çuar ai 1.1 miliardë dollarë? Se për këtë pyetje pret përgjigje mbarë opinioni shqiptar.
Tani, duke respektuar procedurat po u përgjigjem pyetjeve një nga një.
Pyetja e parë:
"Mbas 7 vjetësh nga ndërhyrja e shtetit në shoqëritë huamarrëse si i vlerësoj unë rezultatet konkrete të kësaj ndëhyrjeje në raport me pretendimin e maksimilizimit të kthimit të depoziatave dhe mbrojtjen e interesave të kreditoreve? Pra përballë pretendimit tim, thotë Z.Spahia, për kthimin 100% të depozitave si ndihem unë pas 7 vjetësh?"
Pergjigje:
Po e nis nga pjesa e fundit e pyetjes, ku detyrohem të konstatoj jo me shumë kënaqësi se z.Spahia vazhdon të mos i kuptojë pretendimet e mia, prandaj dhe kërkon t'u vërë nganjë targë apo numër pa lidhje. Pretendimet e mia dhe të maxhorancës sonë progresiste ju z.Spahia më duket se nuk keni dëshirën t'i kuptoni sepse ato janë ngushtësisht të lidhura me modernizimin dhe integrimin evropian të Shqipërisë dhe jo me ndërtime pa leje në zemër të Tiranës, të cilat mbrohen me imunitet parlamentar.
Lidhur me ndriçimin e arsyetimit tuaj rreth pyetjes që keni bërë, duhet t'ju kujtoj se ndërhyrja në dhe ndaj këtyre firmave, kishte nisur qysh nga qeveria e zotërinjve Berisha – Meksi. Mbi të gjitha, proçesi i nisur nuk ishte transparent dhe si i tillë jo vetëm la shumë pyetje pa përgjigje, por bëri të kundërtën, rriti edhe më tej mjegullën dhe abuzimin. Psh ju sot doni të dini sesa përqind do të marrin të dëmtuarit nga fondet e rekuperuara. Ndërsa unë jam i ndërgjegjshëm të pranoj se as sot nuk kam mundur të mësoj me saktësi se sa nga paratë e investitorëve të vegjël të këtyre firmave shkuan për të financuar fushatën elektorale të PD-së në maj dhe tetor '96. Nuk ishte rastësi që me përfundimin e këtyre zgjedhjeve, disa prej firmave rentiere u gjendën krejtësisht të paafta për të paguar dhe prandaj shpallën falimentin. Qeveria dhe maxhoranca e atëhershme për të mbrojtur krijesën e tyre piramidale i shkaktuan Shqipërisë një izolim total ndërkombëtar që solli si pasojë dhe ndërprerjen e të gjitha programeve të ndihmës, asistencës dhe kredive.
Maxhoranca e atëhershme arriti deri atje sa të sabotonte me kartonat parlamentarë të vjedhur në tetor apo në maj '96, iniciativat ligjore të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar kundër piramidave, vetëm e vetëm që të mundësonte zhdukjen e sa më shumë parave dhe të provave të inkriminimit të udhëheqjes së qeverisë me to.
Pas zgjedhjeve të vitit '97, qeveria që sërish drejtohej nga unë vuri si objektiv parësor mbylljen e të gjitha skemave mashtruese që ende vegjetonin me synimin e vetëm për rekuperimin e sa më shumë aseteve apo parave në dobi të kreditorëve. Qeveria u detyrua të përballet me një aleancë okulte PD – Piramida, e cila kërkonte zgjatjen pafund të agonisë së kreditorëve të thjeshtë, sepse donte të mbante krimin e organizuar në pushtet. Brenda vitit '97 të gjitha fondacionet dhe firmat rentiere ishin mbyllur dhe si të tilla të kyçuea iu dorëzuan auditit ndërkombëtar.
Duke qenë të bindur në seriozitetin dhe kompleksitetin e problemit, të shtyrë nga nevoja e një trajtimi profesional dhe transparent, Qeveria Nano '97 me ndihmën e BB dhe FMN angazhoi "Deloitte & Touche" dhe "Priceuaterhouse Coopers", dy nga shoqëritë më të specializura dhe me autoritet të padiskutueshëm ndërkombëtar në fushën e administrimit dhe auditit. Jo rastësisht, konkluzionet e këtyre dy kompanive prestigjoze u përputhën me inteligjencën sociale vendase që i klasifikoi firmat rentiere "piramidale", njësoj si regjimi që i polli.
Me shpërbërjen e firmave piramidale në vitin 1997, mazhoranca qeverisëse, për të realizuar transparencën, për t'i kthyer popullit parate e grabitura nga regjimi i mëparshëm, ndërmori një sërë nismash legjislative dhe administrative, dhe plotësoi kuadrin ligjor dhe nenligjor për të vepruar në këtë funksion. Në përputhje dhe në zbatim të këtij kuadri ligjor dhe nënligjor, u arrit:
E para, likuidimi dhe shpërndarja tërësisht e shoqërive rentiere. Nga ky proçes rezultoi se 90% e aseteve dhe bizneseve të tyre ishin tërësisht jo operuese. Në këto asete shoqëritë piramidale kishin ngurtësuar vetëm 5-7% të vlerave të kapitaleve të investuara nga kreditorët individualë.
E dyta, denoncimi dhe gjykimi për veprën penale të vjedhjes me anë të mashtrimit të 25 administratorë të skemave piramidale, vazhdon me të tjerë persona fizikë apo juridikë që janë në proçes hetimi apo gjykimi apo për bashkëpunëtorë në mashtrim.
E treta, është realizuar shitja dhe transkiptimi i pronësisë të rreth 310 aseteve të marra në administrim, duke siguruar një vlerë financiare prej rreth 50 milion dollarë në rikompesim të kreditorëve të dëmtuar në skema.
E katërta, vazhdon dhe është drejt përfundimit rikompesimi me koefiçientë i kreditorëve të 12 shoqërive huamarrëse në administrim, koefiçientë që variojnë nga 11 deri 50 % të vlerës së borxhit të njohur ligjërisht sipas secilës firmë.
E pesta, është përgatitur dhe së shpejti do të miratohet projektvendimi për rikompesimin e kreditorëve të shoqërive huamarrëse me koefiçientë 10 deri në 11%, për të realizuar brenda vitit 2004 mbylljen e krejt proçesit të transparencës së skemave piramidale.
Por, siç e thashë edhe në krye, arritja më e rëndësishme e kësaj maxhorance është zhdukja me themel e skemave piramidale dhe e të gjithë elementëve që ndihmojnë krijimin e tyre. Mjafton t'ju kujtoj se vetëm vitin që shkoi, sistemi bankar privat i ndërtuar gjatë maxhorancës sonë, rezultoi me afëtësi për të dhënë 920 milion dollarë kredi të re për sipërmarrjet dhe konsumatorët. Sot, qytetarët shqiptarë mund të përdorin instrumentat e kredisë jo vetëm për sipërmarrje, por edhe për të studiuar në universitete, apo për të bërë pushime jashtë shtetit. Rikuperimi më i madh që kjo maxhorancë ka bërë për kreditorët dhe shtetasit shqiptar në tërësi, për ekonominë kombëtare dhe integrimin në botën moderne është zëvendësimi i 24 piramidave që Z.Spahia aleatët tuaj na lanë trashëgim me 17 banka private, ndër të cilat sigurisht edhe Reiffeizen Bank. Sistemi modern bankar shqiptar është shtrirë në të gjithë vendin, madje ka filluar të shtrihet edhe në vende fqinjë në dobi të emigracionit shqiptar. Pjesë e rëndësishme dhe e domosdoshme për të çrrënjosur përfundimisht sistemin piramidal ishte ndërtimi dhe funksionimi i shtetit të së drejtës ku të gjithë e ndjejnë veten të barabartë para ligjit, ndërtimi i një ekonomie funksionale tregu ku Prodhimi Kombëtar Bruto ka lëvizur nga 670 USD për frymë në vitin '96, në afro 2 mijë USD për frymë në vitin 2003.
Shkurt pra, zoti Spahia besoj se biem dakort që nuk mund të shihet Shqipëria sot si fshati nga hauri i lopës, potr nga sfida kombëtare që kemi bashkarisht; integrimi euroatlantik.
Pyetja e dytë:
Cilat janë veprimet që ka ndërmarë qeveria për verifikimin, hetimin dhe nxjerrjen e përgjegjësisë për faktet e abuzimit me ligjin dhe detyrën, të konstatuara nga Komisioni Hetimor Parlamentar "Për hetimin e transparencës së fajdeve"?
Përgjigje:
Për saktësim të pyetjes, që dhe ju të mos bëheni viktimë e mashtrimit piramidal, besoj se e keni fjalën për akuzat që përfaqësuesit e opozitës bënë në këtë Komision ndaj përfaqësuesve ligjorë të shtetit që realizuan këtë proçes transparence.
Së pari, unë nuk kam pritur ndonjë kontribut tjetër nga arkitektët e skemave piramidale, përveçse të sulmojnë dhe shpifin. Edhe kur bëjnë sikur kërkojnë falje, nuk e kanë nga ndërgjegja, por nga nevoja për të fshehur sa më shumë gjurmë apo para të inkriminimit të tyre piramidal.
Së dyti, personalisht si Kryeministër dhe Kryetar i maxhorancës kam vlerësuar me kujdes çdo sensibilitet të krijuar në këtë proçes dhe prandaj po pres konkluzionet përfundimtare të organeve të specializuara të shtetit për t'u sqaruar dhe po të jetë nevoja, edhe për të vepruar në bazë të ligjeve në fuqi.
Por çfarëdo që ne të bëjmë si qeveri, sado administratorë të futen në burg (besoj se e morrët vesh se edhe zoti Gani Kadria po dorëzohet tek shteti ligjor), vendi ynë mbetet i rrezikuar nga praktika dhe koncepte piramidale, sa kohë që arkitekti i tyre i vërtetë, z.Berisha, vazhdon të jetë në Kuvendin e Shqipërisë. Nuk besoj se ka menduar ndokush që Sudja mund t'a ngrinte piramidën pa ndihmën dhe mbrojtjen e arkitektit Berisha. Unë nuk mund ta dënoj liderin e opozitës me burg, megjithëse më duket qesharake që para tij dënimet i vuajtën Sudja, Alimuça, sepse unë nuk jam Berisha dhe gjëja më e shtrenjtë që kam në jetë është ligji, atdheu dhe standartet europiane që po vijnë në vend. Prandaj përfundimisht, Berishën mund ta burgosi vetëm Berisha.
Ju faleminderit!