E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot paradite në mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, e cila u zhvillua në qytetin e Vlorës. Kryeministri Nano

Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot paradite në mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, e cila u zhvillua në qytetin e Vlorës. Kryeministri Nano mbajti këtë fjalë:

"Fillojmë mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Shqipërisë, e cila po krijon edhe traditën në përputhje me veprimet e ekzekutivit, që për projekte të rëndësishme zhvillimi të zhvendoset në qytetet dhe në zonat përkatëse, për të qenë në kontakt me komunitetin dhe për të sjellë në vëmëndjen nacionale potencialet dhe projektet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe perspektiv, që po mbështeten nga qeveria dhe nga institucionet ligjore të zhvillimit dhe të kontrollit të territorit.

Këtu, në këtë sallë para dy muajsh u morën në shqyrtim çështje të zhvillimit të sipërmarrjes vlonjate dhe të partneritetit të saj me sipërmarrjen e madhe të rajonit dhe më tej në fushën e energjetikës, në fushën e projekteve të parkut industrial, në mënyrë të veçantë në fushën e tregut rajonal të energjisë dhe të infrastrukturave, që do ta kthejnë Vlorën në një nga qendrat e zhvillimit dhe të integrimit kombëtar në rajon dhe në tregjet globale.

Pra, vazhdojmë të impenjohemi para këtij qyteti për projekte zhvillimore për përurim investimesh ndërtimore, kësaj radhe për qendrën e tij, ku duket se me një investim të përbashkët të institucioneve të specializuara dhe të kapaciteteve qeverisëse dhe projektuese vendore u arrit të harmonizohen interesat e disiplinimit të gjendjes ekzistuese apo të trashëguar dhe të sipërmarrjes publike dhe private, që do t'i japë qendrës së Vlorës aspektin e zhvillimit standart që po projektojmë për qytetet e Shqipërisë.

Finalizimi i këtij projekti do t'i japë qytetit kahjen e zhvillimit urban që ky Këshill i pati hedhur para dy vjetësh. Veç kryeqytetit të Shqipërisë duket se do të ishte e mundimshme që ndonjë qytet tjetër në Shqipëri të mund ta kalonte Vlorën në garën për miratimin e studimit urbanistik, e cila me fjalë të tjera është garë për zhvillim.

Vlora e ka tejkaluar tashmë statusin tradicional si kryeqendër e jugut, jo vetëm për shkak të pozicionit apo potencialeve që i ka dhënë Zoti apo natyra, por kryesisht si rezultat i kapaciteteve që po paraqet dhe që do të afishojë edhe sot, në thithjen dhe zbatimin e projekteve që kërkojnë para së gjithash vendimmarrje energjike dhe integrim të interesave lokale në ato të zhvillimit kombëtar.

Ne jemi këtu sot, për t'u ballafaquar me këto përgjegjësi dhe sfidat e reja të realiteteve tona të zhvillimit integrues. Kemi punuar gjatë dhe do të vazhdojmë të punojmë për ta përgatitur bazën ligjore në të cilën ky proces dhe orientim i zhvillimit duhet të mbështetet. Me miratimin e studimit për qendrën e Vlorës dhe në vijim edhe në studimin e qendrave të tjera, - do të vijë Elbasani më pas,- mbyllet faza e dytë e rëndësishme e këtij procesi të zhvillimit dhe programimit urban.

Duket sikur këtu do të mbaronte roli ynë si KRRTRSH apo si ekzkutiv dhe pastaj gjithçka do të mbetej në dorën tuaj, të qeverisjes vendore, por një nga mësimet që kemi nxjerrë këto vite në procesin e decentralizimit veçanërisht është se ky nuk është proces braktisjeje, por është procesi i konsolidimit të partneritetit midis autoriteteve qendrore dhe atyre të qeverisjes vendore, në harmonizimin e kompetencave në organizim, kontroll dhe monitorim reciprok për të evituar që zhvillimet të degradojnë apo të kthehen në konfliktuale.

Duket se një motiv i rëndësishëm për ta integruar në mënyrë të programuar zhvillimin perspektiv dhe të qëndrueshëm të vendit dhe të kapaciteteve të tij urbane dhe turistike është rritja e peshës edhe e aftësive të sipërmarrjes dhe të kapitalit vendas, pra, krijimi i grupeve të interesit që gjithnjë e më shumë po ofojnë dhe po pranojnë partneritet për të realizuar edhe interesat e tyre apo për të vënë kapitalet dhe kapacitetet e tyre në dobi të zhvillimit me përfitim për komunitetin dhe për vendin.

Është detyrë e të gjithë aparatit shtetëror të vazhdojë ta konsolidojë këtë partneritet dhe të nxisë klimë akoma më miqësore për sipërmarrjen vendase dhe të huaj. Pra, roli i këtij Këshilli është i pazëvendësueshëm në kontributet për projekte që i kalojnë kufijtë e një njësie të caktuar vendore. Për rastin e Vlorës do të thosha me rëndësi rajonale po aq sa kombëtare.

Nuk është koinçidencë që qoftë në projektin e Tiranës apo të zhvillimit të Kakomesë janë afruar projektues dhe zhvillues të huaj nga më të rëndësishmit në tregjet globale dhe veçanërisht në prioritete për të cilat Shqipëria ka aftësi konkuruese për t'u konsoliduar. Kjo është rrjedhojë e kredibilitetit të vendit dhe e karakterit tërheqës që kanë potencialet e vendit, por edhe kapacitetet tona për projekte për zhvillim, për sipërmarrje edhe për konkurrim duke sjellë në mjedisin e rajonit apo të mesdheut asete dhe zhvillime, që do të kenë një vend jo lehtësisht të konkurueshëm në flukset turistike apo të lëvizjeve të lira.

Duket se ne duhet të mësohemi dhe të konsolidojmë eksperiencën e bashkëpunimit me investitorët e mëdhenj të huaj, ashtu si kemi mësuar të punojmë dhe të ndërtojmë programe dhe projekte zhvillimi me mjaft faktorë ndërkombëtarë që asistojnë vendin në zhvillim dhe në integrim.

Ky është edhe një nga parametrat e stabilitetit të Shqipërisë, por edhe vazhdimësisë së përgjegjësive qeverisëse në procesin e integrimit.

Ne do të vazhdojmë të nxisim gjithnjë e më shumë nisma ku integrohen faktorët projektues, investues, menaxherialë, vendas dhe ndërkombëtarë, duke shtuar aftësitë e absorbimit dhe potencialet e zhvillimit apo ritmet gjithnjë e më të konsoliduara të rritjes gjithnjë e më të qëndrueshme të ekonomisë dhe të resurseve që ka vendi. Kjo nuk ëshë përulje ndaj të huajve, ky nuk është kurrë konflikt i importuar ndaj interesave të komuniteteve apo të pronarëve vendas. Kjo është e vetmja rrugë për integrimin e Shqipërisë në realitetin bashkëkohor, ku nuk ka rol vetëm qeveria, por ku qeveria shton dhe garanton,- mbi bazën e legjislacionit që i përafrohet atij të BE çdo ditë e më shumë,- të bashkëpunojnë pa u bërë merak se do t'u dhunohet apo preken interesat, të gjithë sipërmarrësit dhe pronarët vendas.

Zhvillimi i sotëm me një numër nga projektet që ka rendi i ditës janë të lidhura me konkurset e mëdha, që nisën nga qendra e Tiranës dhe tani po vazhdojnë me konkursin e studimit të bregut të jugut, shpallja zyrtare e të cilit tashmë është bërë dhe ku përfshihet një pjesë e madhe e niveleve të dyta qeverisëse të bashkive dhe komunave të bregdetit.

Ne do të vazhdojmë të mbështesim rritjen e kapaciteteve institucionale dhe administrative të njësive të qeverisjes vendore, të cilat po tregohen gjithnjë e më të afta për të thithur autoritete kompetenca apo prona në procesin e decentralizimit dhe natyrisht do t'ju mbështesim dhe për të kapërcyer boshllëqet apo pikat e ngushta, si dhe për të luftuar sëbashku papërgjegjshmërinë, apo korrupsionin e abuzimin me kompetencat e reja që zbresin para jush për të përgatitur sëbashku një klasë të re administratorësh publikë, që do t'i shërbejë komuniteteve, duke u bërë përçues të mentaliteteve të reja, të teknikave të reja dhe të një administrimi publik transparent.

Ka edhe një problem tjetër që desha të ndaj me ju. Miratuam në Kuvend pas një viti të gjatë diskutimi dhe debati me të gjithë grupet e interesit ligjin e ri për pronat.Çdo mendje e mbyllur do të shikonte të zhvillohet ky proces në copëza toke si shami hundësh të shpërndara anekënd atdheut apo në mes një mozaiku interesash konfliktuale, të cilat e bëjnë të paimagjinueshëm dhe ndofta të pamundshëm integrimin jo vetëm midis tyre, por edhe me realitetin global. Për ta shmangur një situatë të tillë kaotike, si dhe të gjithë ata që në mënyrë spekullative abuzojnë me interesat e pronarëve legjitimë dy janë prirjet kryesore që ne duam të mbështesim dhe të konsolidojmë edhe në këtë proces.

E para, është paraprirja me më shumë studime dhe plane bashkëkohore, që përputhen me vizionin e zhvillimit strategjik dhe të integrimit europian të vendit dhe e dyta disiplinimi, orientimi, stimulimi dhe mbështetja e të gjitha interesave të komuniteteve dhe të pronarëve privatë të ligjshëm në këto projekte për zhvillim, në trajta bashkëkohore, sepse të gjitha kërkojnë pashmangërisht gjithëpërfshirje kapitalesh, pronash, pronarësh, intelektesh dhe kapacitetesh për zhvillim.

Pra, i gjithë ky proces duhet të çohet përpara me kurajon e integrimit pa patur frikën,- të mbështetur apo të imagjinuar,- se po abuzojmë me interesat e të tjerëve. Ne jemi këtu për të marrë përgjegjësitë ligjore dhe për të ndarë me të gjithë shtetasit dhe grupet e interesit hapësira për zhvillim dhe projektet e integrimit që i duhen këtij vendi.

Unë dhe qeveria që drejtoj, për sa kohë do të bindemi se rruga jonë drejt zhvillimit është shumatorja e miratimeve dhe vendimmarrjeve të mëdha apo të vogla, që ndajnë me komunitetet, për sa kohë do të ndiejmë shtysën e të gjithë shqiptarëve vullnetmirë, do të vazhdojmë të çojmë përpara këtë proces pa kthim të modernizimit të vendit me të gjithë komponentët dhe ekuilibrat e nevojshëm kombëtarë dhe ndërkombëtarë, ekonomikë, socialë, ligjorë dhe ato që nxisin punësimin, mirëqënien dhe lëvizjet e lira".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›